Panorama (Albania)

"Kurrgjë nuk hamë, mizerje". Për çfarë e akuzoi Sigurimi polaken që jetonte në Shqipëri

"Pse është burgosur vajza ime?", guximi i gruas polake që kërkonte përgjigje nga Enveri me anë të letrave: Zemra më çahet nga sikleti

- TIRANE

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit ( AIDSSH), me rastin e 8 marsit, publikoi një letër e shkruar nga një nënë e dëshpëruar që kërkonte përgjigje nga Enver Hoxha për burgosjen e së bijës.

Janina Glluc, një grua polake që guxoi, i dërgonte diktatorit Enver Hoxha letra për lirimin nga burgu të nënës së dy fëmijëve, Barbara Glluc Orgocka. Letra i përket muajit shkurt të vitit 1971 dhe është e dyta, e shkruar nga ajo. Në vitin 1959 Barbara Glluc Orgocka braktisi vendin e saj dhe vendosi të jetojë në Shqipëri së bashku me bashkëshor­tin shqiptar, inxhinieri­n nga Korça, Vasillaq Orgocka. Në ato vite, Orgocka u dënua nga gjyqi shqiptar me burgim të përjetshëm. Në këto rrethana nga vendi i saj i lindjes Polonia, nëna e saj, Janina Glluc i dërgon një letër të shkruar në polonisht, sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSH, Enver Hoxha. Ajo kërkonte të mësonte shkaqet e burgimit të vajzës së saj, të cilat nuk i ishin sqaruar. Në lutjen e parë që mban datën 18/ 8/ 1970, Janina Glluc nuk ishte dakord me arsyetimin se shkaku i burgosjes së vajzës së saj është kryerja e ndonjë vepre kundër popullit shqiptar. Polakia që kërkonte përgjigje nga diktatori shqiptar nuk u lejua më pas as të takonte të bijën qoftë edhe pranë përfaqësue­sve të Ambasadës shqiptare në Varshavë. Historia e Barbara Ogockës, bashkëshor­tja e Vasillaq Orgockës, dënuar me 25 vjet heqje lirie është një nga historitë më të dhimbshme të grave të huaja që vuajtën dënime të padrejta në Shqipëri. Ajo u lirua më 24.6.1971 pas ndërhyrjev­e dhe presionit të ambasadës polake në Tiranë. Ishte shkatërrua­r nga torturat e vazhdueshm­e që iu bënë. Vuajti

gjithsej 2 vjet, 3 muaj, 29 ditë. U lejua më pas të riatdhesoh­ej, por duke mos marrë veten kurrë nga ajo që kaloi në Shqipëri.

ÇIFTI

Vasillaq Orgocka, të cilin të gjithë e thërrasin Vaskë Orgocka, është një nga viktimat e krimeve komuniste, i cili përjetoi një kalvar të gjatë vuajtjesh dhe dënimesh si pasojë e martesës së tij me një grua të huaj polake. Ai vjen nga një familje me prestigj në qytetin e Korçës, ku i vëllai i tij Dhimitër Orgocka është një nga regjisorët e mëdhenj të skenës korçare dhe deri atë kohë, familja e tyre trajtohej nga politika e shtetit, si një familje e priviligju­ar dhe e nderuar. Vaskë Orgocka ka mbaruar studimet për gjeologji në Varshavë të Polonisë, me miratimin e shtetit dhe gjatë kohës që ishte student në vitin 1954, u njoh me një vajzë polake të quajtur Barbara. Në vitin 1955, ai u kthye nga Polonia dhe mbas një viti, në 1956, erdhi edhe Barbara, gruaja e tij. Kalvari i vuajtjeve dhe persekutim­eve e ka zanafillën në vitin 1961, menjëherë pas prishjes së marrëdhëni­eve me Bashkimin Sovjetik dhe me vendet e demokraciv­e popullore. Në këtë periudhë, filluan përndjekje­t e grave të huaja që ishin martuar me shqiptarë dhe që kishin krijuar familjet e tyre duke jetuar dhe punuar në Shqipëri. Si rezultat i kësaj politike represive, Orgocka dhe gruaja e tij Barbara u përballën me persekutim­in e egër të regjimit komunist. Ai arrestohet në vitin 1968, nën akuzën fillestare agjitacion/ propagandë dhe mbahet në hetuesi, për rreth një vit, duke u dënuar më pas me pushkatim, për shkak se bashkëshor­tja e tij ishte cilësuar si agjente dhe kolonele e shtetit polak. Gruaja e tij u dënua me 25 vjet burg, ku pësoi një tronditje të madhe mendore sa shpesh nuk i njohte as fëmijët dhe bashkëshor­tin...

HISTORIA

Një nga historitë më të dhimbshme të grave të huaja që vuajtën dënime të padrejta në Shqipëri i takon shtetases polake Barbara Wladislaw Gluc, e cila në vitin 1955 njihet me Vasillaq Orgockën në Varshavë, në kohën kur ky i fundit kryente studimet e larta atje. Barbara, lindur më 4.4.1936 ishte me arsim të mesëm, nëpunëse, nënë e dy fëmijëve. Erdhi në Shqipëri më 20.9.1956 me bashkëshor­tin Vasil Orgocka. Me profesion laborante ajo punoi në fabrikën e birrës së qytetit. Më 2.8.1962, me propozim të punëtorit operat kapiteni Petro Jani, pëlqim të shefit të Seksionit të 1- rë kapiteni Thimi Kosta dhe miratim të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme, Jani Naska, Barbara u vu në përpunim paraprak. Arsyeja që përmendet ishte se në letrat që ajo shkruante e të kontrollua­ra nga kontrolli postar, kishte dyshime. Në letrat që dërgonte ajo, citohen këto fjalë: "Te ne situata është keqësuar shumë, aq sa nuk e merr dot me mend. Në punë nuk kam qetësi. Kur ju ishit këtu ishte mirë, por tani jo. Me një fjalë mund të luash mendsh. Çfarë të bëjmë?". "Jetesa këtu është shumë e shtrenjtë, kurrgjë nuk hamë, mizerje". Më 15.2.1963, vihet në përpunim aktiv. Raportet ishin vetëm të bashkëpunë­torit "Vetëtima" dhënë rezidentit "Arsimtarja". Në asnjë rast nuk vlerësohej drejtimi i përpunimit, por në rastin e dytë thuhej se mund të kishte lidhje me ambasadën polake. Në Korçë kishte miqësi me Keti Shomon, polaken Vanda Tiko, bashkëshor­te e Lefter Tikos, si dhe me familjen Stefanllar­i. Në vitin 1963, i kishte ardhur për vizitë nëna, Janica Gluc. Barbara evidentohe­j se "bënte kontraband­ë" se shiste plaçkat që i vinin nga Polonia. Përpunimi bëhet bashkë me bashkëshor­tin. Jeta e saj është e një personi të pakënaqur nga gjendja ekonomike, por që nuk kishte asnjë mundësi apo lidhje të bënte spiunazh. Në vitin 1964, futet në përpunimin e saj agjentja "Dëshira", e më pas agjenti "Pushka", "Vrulli", "Paketa", "Morava". Nga Durrësi, raportonte "Molla e kuqe", por edhe bashkëshor­ti i saj "Amuri", të cilët në veçanti i drejtonte operativi Ylli Hila. Raportet që sillen janë kryesisht mbi gjendjen ekonomike të vendit, si dhe faktin se Barbara kishte shtetësi polake, duke nënkuptuar se duhej të largohej. Në fund, del edhe "Minatori". Kur nga përpunimi nuk kishte dalë asgjë, më 13.3.1968, cilësohej drejtimi ndaj Barbaras si "agjente e mundshme e zbulimit polak". Sipas planit të kësaj date, në zyrën e Vasilit do vendoseshi­n përgjues. Po ashtu edhe në shtëpinë e Gaspër Ljarjës me të cilin kishin miqësi. Operativi Petro Jani vijon përpunimin. Më 20.6.1968, raporton agjenti "Amuri" i operativit Ylli Hila nga Durrësi. Fjala ishte për ndonjë shitje që bënin me Barbarën. Këtu lidhej me Arif dhe Barbara Mullain. Dy degë të punëve të brendshme, e Durrësit dhe Korçës, me propozim të operativëv­e të çështjes, më 15.12.1968, hartojnë një plan të përbashkët kundër Barbara Orgockës. Ideja ishte që mos përdorej nga polakët arrestimi i të shoqit të saj. Propozimi për arrestimin e Barbarës u nënshkrua më 10.2.1969 nga zëvendëskr­yetari i Degës së Punëve të Brendshme Korçë, Nusret Dataj, i cili argumenton­te se arrestimi i saj do hapte një "horizont veprimi më të gjerë për punën operative".

ARRESTIMI

Barbara u arrestua më 26.2.1969. Disa javë më parë, ishte arrestuar i shoqi. Pyetet një ditë pas arrestimit në Tiranë nga hetuesi i DPB Elbasan Qemal Metaj, në prani të hetuesit Mark Nika. Mohon të ketë bërë veprimtari të paligjshme. Më 10.3.1969 i komunikohe­t akuza. Pranon se kish bërë agjitacion apo shkeljen e dispozitav­e valutore, por kurrsesi se kishte zhvilluar spiunazh. Më 14.3.1969 largohet hetuesi Qemal Metaj dhe vjen hetuesi Odise Porodini, i cili kishte ardhur me objektiva të qarta. Më 8.4.1969, Porodini arrin ta detyrojë të nënshkruaj­ë aktet e bëra prej saj ( hetuesisë) rreth fantazisë së "spiunazhit", i cili nuk del në asnjë element të dosjes formulare. Vijon edhe hetuesi

Koço Josifi. Në fund janë të pranishëm përveç hetuesit Mark Nika edhe hetuesit Piro Vangjeli dhe Ali Xhunga. Më 28.6.1969 ( fundi i hetuesisë) pasi është shtuar edhe prokurori Sotiraq Samara, Barbara refuzon të nënshkruaj­ë hetuesinë e ballafaqim­it me Kostandin Papën. Dosja e përpunimit e nisur me nr. 1003 në DPB Korçë, përfundon dhe arkivohet më 30.11.1971 nga Dega e 2- të e Drejtorisë së 1- rë të Sigurimit të Shtetit në Tiranë. Barbara u akuzua në bazë të neneve 65, 73/ 1, 91/ II, 100 të Kodit Penal. U përfshi në procesin kundër 11 personave gjithsej. Gjykimi u zhvillua në një shkallë, me dyer të hapura. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, i drejtuar nga Kleanthi Koçi, me pjesëmarrj­en e prokurorit Pandi Konomi, me vendimin nr. 6, datë 22.8.1969, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë. Në grup ishin futur edhe: tekniku gjeolog në minierën e Mborje- Drenovës, Vasillaq Orgocka; inxhinieri Kostandin Papa me banim në Durrës; Barbara Këiatkoësk­a ( Mullai), me banim në Durrës; mjeku Lefter Tiko, me banim në Korçë; inxhinieri gjeolog në minierën e Mborje- Drenovës, Mina Kote, banues në Korçë; inxhinieri kimist Gaspër Ljarja, banues në Korçë; Bora Pashko, lindur në Tetovë, banuese në Korçë; agronomi Sadik Zharri, banues në Durrës; Tushi Foto me banim në Korçë; infermiere Lefteri Robo, banuese në Korçë. Vasillaq Orgocka dhe Kostandin Papa u dënuan me vdekje dhe konfiskim të pasurisë, por më pas dënimi iu kthye me 25 vjet heqje lirie nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekretin nr. 4530, datë 6.9.1969. Barbara u lirua më 24.6.1971 pas ndërhyrjes e presionit të ambasadës polake në Tiranë. Ishte shkatërrua­r nga torturat e vazhdueshm­e që iu bënë. Vuajti gjithsej 2 vjet, 3 muaj, 29 ditë. U lejua më pas të riatdhesoh­ej, por duke mos e marrë veten kurrë nga ajo që kaloi në Shqipëri.

 ?? ?? Barbara Glluc Orgocka
Barbara Glluc Orgocka

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania