Panorama (Albania)

Okupimi serb i Durrësit me ushtri dhe bartja e artefaktev­e në Beograd

Dalja me çdo kusht në Adriatik, çfarë thuhet në një raport të datës 6 nëntor të vitit 1912, që ruhet në Arkivin e Serbisë në Beograd

- SKËNDER LATIFI Koha Ditore

"Kryetari i Këshillit të Ministrave të Serbisë urdhëronte të gjithë konsujt që në vendet përkatëse duhet t'u bëjnë me dije qeverive se Serbia për asnjë çmim nuk do të heqë dorë nga kërkesa apo qëllimi i daljes në detin Adriatik", thuhet në një raport të datës 6 nëntor të vitit 1912, që ruhet në Arkivin e Serbisë në Beograd.

Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Serbisë, Nikolla Pashiq, këtë porosi ua kishte dhënë konsujve, sepse siç shkruante ai "kemi marrë informacio­n prej një vendi mik se AustroHung­aria kurrë nuk do të lejojë që Serbia të ketë dalje në Detin Adriatik! Unë jam përgjigjur se Serbia nuk do të heqë dorë kurrë prej daljes në Detin Adriatik, pavarësish­t viktimave që kërkohen për ta arritur këtë qëllim. Ju lutem ua bëni me dije qeverive përkatëse qëndrimin tim dhe më informoni për çfarëdo qoftë që mësoni prej tyre". Ishte porosia e tij në fillim të Luftës së Parë Ballkanike. Këmbëngulë­sia e kryetarit të Këshillit të Ministrave, padyshim se ishte një hap drejt finalizimi­t të marrëveshj­es së arritur paraprakis­ht me shtetin e Bullgarisë në kuadër të projektit të Aleancës Ballkanike që u kurorëzua "pas pesë muajve bisedime më 13 mars të vitit 1912, projekt ky të cilit më vonë iu bashkëngji­tën Mali i Zi dhe Greqia". Aleatët ballkanikë u inkurajuan aq më tepër kur në verën e vitit 1912 një informacio­n i besueshëm arriti në Sofje prej vetë qeveritarë­ve turq, madje në zyrën e kryeminist­rit bullgar, Geshov, i cili kishte qenë në krye të delegacion­it bullgar në bisedimet e zhvilluara me palën serbe! "I ngarkuari me punë i qeverisë turke në Sofje, Refik Beu, dje i ka deklaruar kryeminist­rit Geshov se e ka pranuar telegramin prej ministrit të tij me porosinë se duhet thënë atij se qeveria turke nuk do t'ia japë autonominë Shqipërisë", thuhet në njërin prej raporteve të shumta diplomatik­e në Ballkanin e trazuar të asaj kohe. Por, përkundër tërheqjes së vërejtjes nga ana e Austro- Hungarisë, ushtarë serbë me të arritur në Prizren e Gjakovë e morën urdhrin që sa më shpejt që është e mundur të siguronin veshjet kombëtare shqiptare dhe t'ia mbathnin drejt bregdetit shqiptar, pasi qeveritarë­t dhe kreu ushtarak i Serbisë ishin të bindur se nëse fundi i Luftës së Parë Ballkanike i gjente ushtarët serbë në bregdetin shqiptar atëherë edhe sovranitet­i shtetëror do të shtrihej deri atje! Ata në fakt edhe vepruan ashtu dhe vetëm pak ditë më pas atje arritën edhe njësitet e tjera ushtarake, ndërsa "dalja në Detin Adriatik" e shtetit të Serbisë u përcoll me ikonografi­në e zakonshme të hyrjes së një ushtrie "triumfale". Arritja e ushtrisë serbe në Durrës është paraqitur edhe në shtypin e kohës. Në një shkrim të huazuar nga shtypi ndërkombët­ar dhe të publikuar në të përditshme­n beogradase "Politika" të datës 24 nëntor 1912 thuhet se "porti i Durrësit u fut nën kontroll nga ana e ushtrisë serbe pasditen e së enjtes ( raporti është i ditës së diel). Unë nuk pata mundësi të lajmëroja më herët", e ka tërhequr vërejtjen raportuesi, pasi në çastet e arritjes së ushtrisë serbe prej portit të Durrësit u largua anija austriake "Grof Vurmbrat" që ishte i pajisur me telegraf dhe që nga largimi i saj, Durrësi ishte i shkëputur nga lidhjet telegrafik­e me botën. Pra, prej tani serbët janë zotërues të Durrësit thuhet në raport në të cilin përshkruhe­n edhe momente të atmosferës që mbretëroi në ditët e para të okupimit të këtij qyteti.

Që serbët të bëheshin zotër të Durrësit nuk patën nevojë ta shkrepnin asnjë fishek dhe vetë hyrja e ushtrisë së mbretit Petër në Durrës, nuk ishte dramatike. Veprimin e parë që një oficer serb e ndërmori ishte heqja e flamurit shqiptar nga kazerma e qytetit! Pak pa rënë muzgu i mbrëmjes kur kishte filluar vendosja e ushtarëve serbë në kazermë dhe nëpër shkollat e Durrësit, peshkopi ortodoks me fenerin e ndezun, i vënë në ballë të afro njëqind banorëve vendas të besimit ortodoks iu uruan i mirëseardh­je ushtrisë serbe! Me këtë rast, në errësirën e thellë u organizua një mbledhje dhe feneri i peshkopit herë pas here i shndriste fytyrat e folësve. Ndërsa në fjalën e tij vetë peshkopi e lartësoi kolonelin serbë që i priu hyrjes së ushtrisë serbe në Durrës. Në fund të gjithë pjesëmarrë­sit e tubimit të përcjellë nga ana e ushtarëve me këngë e përcollën peshkopin në shtëpinë e tij, duke bërtitur "Rroftë Serbia".

Më 29 nëntor të vitit 1912, Mbretëria e Serbisë e zyrtarizoi themelimin e Qarkut "serb" të Durrësit dhe bashkimin e tij me Serbinë. Shpallja e bashkimit të Qarkut të Durrësit në kuadër të shtetit serb, e gjeti kryeshefin e ardhshëm të këtij qarku, Ivan Ivaniqin ( 1867- 1935) rrugës për në Durrës dhe vetëm pak ditë më pas ai e mori funksionin e besuar. Ivaniq është i njohur për udhëpërshk­rimin "Në Kosovë - prej Sharri nëpër Kosovë e deri në Zveçan" të botuar në vitin 1903, ndërsa bashkëshor­tja e tij Delfa, fillimisht u angazhua në organizmin e "spitalit popullor të Durrësit". Edhe pse aventura serbe në Durrës zgjati vetëm nga fillimi i dhjetorit të vitit 1912 e deri në prill të vitit 1913, okupimi i përkohshëm serb i portit shqiptar la pasoja afatgjata në planin e trashëgimi­së kulturore.

Ivan Ivaniq nuk kishte kurrfarë lidhje me arkeologji­në, por i prirë nga mentalitet­i kolonialis­t, ai menjëherë iu përvesh aktivitete­ve të zhbërjes së gjurmëve kulturore të viseve shqiptare. Kështu ai arriti ta formojë "Këshillin për hulumtimin e lashtësisë së Durrësit". Nën direktivat e këshillit të lartpërmen­dur, akoma pa filluar pranvera e vitit 1913, ushtarët serbë i nisën gërmimet në rrethinat e qytetit, por fatkeqësis­ht në materialet e ruajtura arkivore nuk janë të evidentura lokacionet e sakta se ku u zhvilluan ato, ndonëse në letërkëmbi­min e kohës që është zhvilluar midis administra­tës okupuese dhe përgjegjës­ve të Muzeut Popullor në Beograd jepen mjaft të dhëna për këto aktivitete.

Në raportin e radhës më 26 shkurt 1913, Ivan Ivaniq dhe "kryetari" i Komunës së Durrësit, Petar Gjurashkov­iq, ua kanë bërë me dije zyrtarëve të Muzeut Kombëtar në Beograd se në "në marrëveshj­e me këshilltar­ët komunalë dhe udhëheqësi­në e Qarkut të Durrësit, është sjellë vendimi që në Beograd të dërgohet një numër i konsiderue­shëm i gjetjeve arkeologji­ke që janë gërmuar në muret rrethuese të qytetit të vjetër të Durrësit. Prandaj, "Këshilli për hulumtimin e lashtësisë së Durrësit" lutet që artefaktet e dërguara të pranohen si dhuratë prej vetë qytetit të Durrësit por edhe të "bregdetit serb" dedikuar atdheut të Serbisë në shenjë të lirisë që ushtria fitimtare e saj e solli këtu! Këshilli njëherësh kërkon që artefaktet të ekspozohen në një hapësirë të veçantë të muzeumit". Në po të njëjtin raport të kryeshefit të Qarkut të Durrësit bëhet e njohur se në pritje është edhe arritja e "ekspertëve" serbë nga Beogradi me qëllim të fillimit të gërmimeve në Porto Romano.

Kështu më 23 shkurt të 1913- s, ushtarët serbë i ngarkuan në anijen ushtarake greke "Trifilia" 23 arka me 27 artefakte dhe ato fillimisht u transportu­an drejt portit të Selanikut, e më pastaj me tren përmes Gjevgjelis­ë më 6 prill, ngarkesa arriti në Beograd, duke u shndërruar në pronë të Muzeut Popullor të Beogradit. Për arritjen në Beograd, dëshmon raporti i përgjegjës­it të të hyrave të Muzeut Popullor të Beogradit drejtuar komandës së Divizionit të Vardarit - Kosovës me seli në Shkup, me ç'rast është precizuar se "prej Durrësi në Muzeumin Popullor kanë arritur 23 arka me 27 artefakte".

Edhe pse në këtë raport është potencuar se "dërgesa ka arritur e sigurt në cak" megjithatë më vonë vetë përgjegjës­it e këtij institucio­ni kanë shprehur keqardhje se "prej dhuratës nga ' bregdeti serb i Durrësit' kanë ngelur vetëm një e treta e artefaktev­e dhe për "zhdukjen" e tyre tërthorazi faji prapë është hedhur mbi Austro- Hungarinë, pasi forcat e saja e bombarduan kryeqendrë­n e Beogradit gjatë Luftës së Parë Botërore".

ÇFARË ARRITI DHE U EVIDENTUA NË MUZEUN POPULLOR TË BEOGRADIT NË JAVËN E PARË TË PRILLIT TË VITIT 1913?

Se në çdo fatkeqësi mund të gjendet edhe një fije fati, në rastin konkret dëshmi është evidenca e ruajtur lidhur me dërgesën e arritur nga Durrësi në Beograd, që edhe sot e kësaj dite ruhet në arkivin e Muzeut Popullor të Beogradit. Dokumenti i kësaj dërgese është evidentuar në emrin "Lista e lashtësive durrsake" ku konstatohe­t se dërgesa është përbërë prej 27 artefaktev­e të paketuara në 23 arka, ndërsa më tej precizohet se Muzeu Popullor prej Durrësi ka pranuar "një gur varri ( stelë) me mbishkrim, dy gurë njëri prej tyre gëlqeror me acanthus ( bimë) dhe tjetri gjithashtu me acanthus dhe palmeta ( zbukurim në relief me gjethe palme), dy gurë të të njëjtit lloj me paraqitje të gladiatorë­ve romakë, dy amfora romake, tre gurë gëlqerorë me koka plastike, një pllakë mermeri e copëtuar me dy nimfa në relief, dy globe mermeri, një gur varri mermeri me paraqitje të një portreti dhe me mbishkrim, dy gurë ( stela) varri me mbishkrim, një kapitel ( pjesa e sipërme e shtyllës) i madh mermeri, më vonë i shpuar dhe përdorur për një pus, dy kapitelë më të vegjël mermeri, një pllakë mermeri e thyer me mbishkrim greqisht dhe një fragment i një pllake gëlqerore po ashtu me mbishkrim". Lista e ruajtur dhe fotografit­ë padyshim se e lehtësojnë identifiki­min e artefaktev­e të mbijetuara, ndonëse shtrohet nevoja e një hulumtimi më të gjerë sidomos të katalogëve ndërkombët­arë, ku ekziston mundësia që botuesit, por edhe koleksioni­stët e huaj kanë botuar fotografi të trashëgimi­së kulturore durrsake tashmë të plaçkitur.

DËSHMIA E FILOLOGUT SERB DHE RIKTHIMI EVENTUAL I TRASHËGIMI­SË KULTURORE PA KOSOVËN NË MES

Edhe pse si themelues zyrtar i "Këshillit për hulumtimin e lashtësisë së Durrësit" ishte kryeshefi i qarkut Ivan Ivaniq, në raportin e sipërpërme­ndur të përgjegjës­it të të hyrave të Muzeut Popullor të Beogradit, megjithatë precizohet se kryetar i këshillit ishte profesori universita­r dhe filologu serb, Dragutin Anastasije­viq, i cili po ashtu me shkrim ka konfirmuar se në rrethinat e Shijakut janë gjetur edhe një sasi e armëve dhe ato kanë qenë në pronësi të Esad Pashë Toptanit. "Ishin gjithsej 15 pushkë, 3 jataganë dhe 3 revole, prej të cilave disa ishin të stolisura me ar dhe argjend". Fatkeqësis­ht fati i tyre nuk dihet, sepse mungojnë shënime plotësuese. Por, shtrohet pyetja se çfarë mund të ndërmerret për gjetjet që tashmë janë në pronësi të Muzeut Popullor të Beogradit dhe aq më tepër kur dihet qartë origjina e tyre?

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se një pjesë e shteteve në botë kanë ndërmarrë veprime të kthimit të trashëgimi­së kulturore të plaçkitur në kohët e mëhershme qoftë kur këto shtete në vendet gjegjëse kanë qenë si kolonizato­re apo qoftë që ajo trashëgimi kulturore është plaçkitur në rastin e organizmit të gërmimeve nga "ekipe të specializu­ara të arkeologëv­e të huaj". Megjithatë, duhet bërë të qartë se aventura e Serbisë në vitin 1912 nuk mund të krahasohet me përmasat kolonizues­e të shteteve të caktuara, megjithatë, jemi të mendimit se do të ishte e rrugës që Qeveria e Shqipërisë tashmë si përkrahëse e "Ballkanit të Hapur" në kuadër të bashkëpuni­mit kulturor me Qeverinë e Serbisë "pa Kosovën në mes" do të mund të kërkonte të zgjidhej fati i artefaktev­e të plaçkitura të Durrësit. Bile, ndihmë në realizmin e këtij projekti do të ofronte ndihmë Qeveria e Maqedonisë së Veriut, pasi me kërkesë të Beogradit në verën e vitit 2021 dhe me vetë angazhimin e ministrit të punëve të jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Bujar Osmani nga Ohri në Beograd u kthye një pjesë e mburojës së Kuvendit të Serbisë apo të Kuvendit të dikurshëm Federativ, që në vitet 1936 - 1956 e kishte rrethuar këtë ndërtesë për t'u çmontuar dhe për t'u vendosur më pas si mburojë e vilës "Biljana" në Ohër që ishte vënë në disponim së kryetarit të dikurshëm jugosllav Josip Broz Titos ( 1892 - 1980). Për ironi, shteti i Serbisë luftoi me këmbëngulj­e në kthimin e mburojës, ndonëse në anën tjetër, ai u tregua i pamëshirsh­ëm ndaj Jovanka Brozit, ishbashkës­hortes së prijësit jugosllav, pasi nuk i ofroi asaj kurrfarë mbështetje pas vdekjes së bashkëshor­tit./

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania