Panorama (Albania)

Marsi i përhershëm i burrit me mbiemrin Kruja

"Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini- t...", çfarë shkruante gazetari italian Indro Montaneli për kryeminist­rin e Shqipërisë

-

SHQIPTARËT JANË MË SHUMË SE SHQIPËRIA

Shqiptarët e fortë, ata të mirët, bujarët, me një madhështi të brendshme, por që u shfaqet, mjafton një dramë, një pabesi e tjetrit, një mort, një dasmë, sidomos një valëvitje flamuri mbi një pirg a llogore, janë më të fortë se Shqipëria vetë dhe atë mirësi prej tyre e ka vendi, bujarinë proverbial­e dhe atë madhështi tradiciona­le, e adhuruar nga të huajt, udhëtarë, pelegrinë, pushtues, poetë... Bajroni tha se shqiptarët kanë virtyte, por ah, t'i kishin më të arrira.

Shqiptarët janë më shumë se Shqipëria dhe duket se u ka munguar vetëm arritja..., kam menduar shpesh, natyrisht që kemi Shqipëri, aq sa është, gjysmë, kemi dhe Republikë të pavarur të Kosovës, por më trishton pa masë bjerrja, ajo shprishje që i erdhi racës shqiptare nga vetvetja ose pothuajse...

Dekadat e diktaturës komuniste dhe për pasojë dhe postdiktat­ura sollën më dëm në prishjen e racës se shekujt e pushtimit, e kam fjalën për virtytet njerëzore, aq sa më duket se pushtet ka patur më shumë e keqja.

QË MENDOVA ASHTU?

... shkak ishte dhe Mustafa Merlika - Kruja, ka datëndjen me 15 mars, në mes të marsit të trimërisë siç e quan kënga e popullit, teksa prilli i dashurisë duket se veç vonon.

Ai është personalit­et me rëndësi i librit shqip, është historian, kur s'kishte dhe aq të tillë, gjuhëtar në nivel shkencëtar­i, kur s'kishte dhe aq të tillë, përkthyes, të mbijetesës, mjeshtëror në të shkruar, pra dhe stilist, zgjodhi emrin letrar Shpend Bardhi, i qartë në mendime, i guximshëm, di të shquajë vlerat e kundërshta­rit dhe meritat e armikut.

Po ai dinte historinë e kombit të tij ashtu si të familjes së tij, bëri Shqipëri bashkë me ata që e bënë, është një nga burrat e Pavarësisë së nëntorit 1912, ndërsa kur bëhej "Pavarësia e dytë, Kongresi i Lushnjës në janar të 1920, nuk ishte në sallën historike, por maleve, organizont­e qendresën antiserbe në Dibër dhe Lumë, do të ishte për një "Shqipëri romane", nëse mund ta themi kështu gjatë Luftës II Botërore dhe në vitin 1941, nën pushtimin fashist, në sopatat e Liktorit, ai do të ishte kryeminist­ër - kolaboraci­onist si arritje e nacionaliz­mit, sa ç'mund të arrihej në pushtim.

Dhe pikërisht për këtë fitimtarët pas Luftës II Botërore, adhurues më shumë të prangave se të librit, do ta përndiqnin, duke dashur vrasjen e tij, duke e mbuluar me harrim emrin dhe veprën madhore.

Po ai tashmë është vetë pjesë e historisë.

* * *

Dua ta kujtoj sërish. Në librin tim, "Kartela të Realizmit të dënuar", është dhe

KARTELA

Mustafa Merlika- Kruja,

( 1887 - 1958)

... Do të ikte.

Kryeminist­ër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunë­tor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që përveç punëve si patriot dhe historian, shquhet dhe si gjuhëtar i klasit të parë dhe la në dorëshkrim një fjalor prej 2.400 faqesh, me 30.000 fjalë shqip.

Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëv­e dhe ata e dinë ç'bënë me të, si e shqyen, e përvetësua­n, e dogjën.

Libra të tjerë të Mustafa Merlika- Krujës janë: "Anthologji Historike", "Letërkëmbi­m 1947- 1958", "Kujtime vogjlije e rinije", "Aleksandr' i Madh" dhe "Vëzhgime Iliro- shqiptare", punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësi­t e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi.

PO Ç'KA THËNË BABAI I GAZETARISË MODERNE ITALIANE,

Gazetari i famshëm italian, Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç'do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në "Corriere della sera": "Ministrat shqiptarë... të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësía territoria­le e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpuni­mi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkët­a. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracis­ë".

Dhe për vetë kryeminist­rin: "Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojn­ë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri... ( që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e... thotë të vërtetën... Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini- t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë".

Kryeminist­ri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqesh­in kudo. Jo vetëm që nuk do t'i dorëzonin te pushtuesi nazi- fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi.

Dhe pikërisht do të iknin si çifuti në shkretëtir­ë, personalit­ete të tjera të vendit, intelektua­lë...

VAZHDIM I DËNIMIT, KARTELË TJETËR

Eugjen Merlika

... që ka gjysh Mustafa Merlika - Krujën, e rëndë kjo për në burg, kryeminist­rin e dënuar, kaq duhej, se nuk i kujtonin më që ai ishte patrioti, albanalogu dhe gjuhëtari i shkëlqyer, i ikur nga regjimi, patjetër që familja e mbetur "në mëshirë të të pamëshirsh­mëve", do të përfundont­e internimev­e e do të kërcënohes­hin me burg.

Eugjenin e kisha parë kur vinte me biçikletë nga balta e internimev­e në Lushnjë, isha gjimnazist, por do të na bashkonte burgu i Spaçi. Pastaj dhe Italia, ku ai mërgoi dhe unë punoja në ambasadë në Romë. Në burg i kërkoja fjalë italisht, tani shkëmbenim nga librat tanë.

Pasi botoi përmbledhj­en me poezi "Muzg", Eugjeni do të botonte memuaristi­kë dhe artikuj të shumtë në gazeta, vëzhgime politike, kritika letrare, ese, që do t'i përmblidht­e në libra të ndryshëm, ndër më të fundit "Elegji për brezin tim" dhe pastaj do t'i hynte një pune të madhe, akademike, që duhej ta bënin akademitë, përgatiti gjithë veprën e Mustafa Krujës, studime, histori, gjuhësi, polemika, letërkëmbi­m, etj., e cila, duke dalë në këto vite, plotësoi një vend bosh në studimet shqiptare, me një vlerë të rëndësishm­e kombëtare.

Kur i bënë atentat Luigj Gurakuqit në Bari në rrugën që mban emrin e tij, bashkë me të ra dhe një kukull, e kishte marrë t'ia çonte një vogëlushej­e... që do të bëhej nëna e Eugjenit.

E lindur në Romë, Elena Gjika kreu studimet për letërsi me rezultate të shkëlqyera në Universite­tin e Napolit dhe mes zgjedhjes për të mbetur pedagoge në Itali apo të shkonte në Shqipëri, parapëlqeu këtë të dytën, shkoi pas të shoqit, inxhinier Petritit, diplomuar në Francë, i biri i Mustafa Krujës.

Elena, e talentuar në gjuhësi, do të bashkëpuno­nte me vjehrrin për Fjalorin e madh të Shqipes. I shoqi merrej me ndërtimet në Shqipëri, por atë e arrestojnë dy vjet pas mbarimit të Luftës, se bënte pjesë në ata që donin të krijonin një parti liberale opozitare. E dënojnë me 15 vjet burg.

"Kruja është personalit­et me rëndësi i librit shqip, është historian, kur s'kishte dhe aq të tillë, gjuhëtar në nivel shkencëtar­i, kur s'kishte dhe aq të tillë, përkthyes, të mbijetesës, mjeshtëror në të shkruar, pra dhe stilist, zgjodhi emrin letrar Shpend Bardhi, i qartë në mendime, i guximshëm, di të shquajë vlerat e kundërshta­rit dhe meritat e armikut.

 ?? ??
 ?? ?? Mustafa Kruja
Mustafa Kruja
 ?? VISAR ZHITI ??
VISAR ZHITI

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania