Panorama (Albania)

Nga përndjekja në moshë të re te vdekja në vetmi, drama e jetës së Drita Çomos

Dosja, survejimi i famijes dhe përgjimi i bisedave nëne e bijë në shtëpi të mjaftueshm­e, që Drita të vihej në përpunim paraprak për agjitacion e propagandë

- TIRANE

Muzeu Kombëtar "Shtëpia me gjethe" përkujtoi poeten Drita Çomo ( 19 mars 1958 - 19 shkurt 1981), krijimet e së cilës mbetën në sirtar, në periudhën kur ajo i shkroi.

Për shkak të frikës nga regjimi komunist, ajo nuk mori guximin t? i ndante ato me të tjerët. Poezitë e saj panë dritën e botimit në vitin 1997, kur doli libri "Dritë që vjen nga humnera", një përmbledhj­e e poezive dhe shënimeve nga ditari i Çomos. Drita Çomo lindi më 19 mars 1958. Si shumë të tjerë në atë periudhë, edhe ajo vuajti pasojat e regjimit të egër komunist. Ishte vetëm dy vjeçe kur u përcaktua që ajo të mbetej e vetme. Prindërit e saj u dënuan. E ëma, Liri Belishova, një nga udhëheqëse­t e rinisë gjatë Luftës Antifashis­te dhe për një kohë anëtare e Byrosë Politike, njëkohësis­ht një nga gratë më të njohura të vendit, u përball me internimin për rreth njëzet vite. Ndërkaq, i ati Maqo Çomo, udhëheqës partizan dhe më vonë ministër i Bujqësisë, u dënua si "revizionis­t" dhe u persekutua në burgje e internime për 30 vjet. Drita Çomo u internua në Kuç të Vlorës ku kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe më pas në Progonat të Kurveleshi­t. Më vonë, ajo u dërgua në Cërrik ku kreu edhe shkollën e mesme. Ishte një nxënëse e shkëlqyer, megjithëse mësuesit nuk e vlerësuan kurrë maksimalis­ht. Ajo madje nuk arriti as të mbronte diplomën. Kjo për arsye politike, por edhe për shkak të sëmundjes së saj të pashëruesh­me që avanconte ditaditës. Drita Çomo u largua nga jeta fare e re, në moshën 23vjeçare. Më 19 shkurt 1981, sëmundja e mposhti përfundimi­sht. Ajo vdiq në spitalin onkologjik në Tiranë, ashtu sikurse edhe jetoi: e vetme, pa dikë afër në grahmat e fundit. Regjimi nuk ia lejoi të kishte pranë as njeriun më të dashur, nënën e saj.

PËRKUJTIMI

Në muajin e gruas, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish- Sigurimit të Sh

tetit, diskutoi në Klubin e Librit "Mësojmë nga e kaluara", librin ditar e poezi, "Dritë që vjen nga humnera" të Drita Çomos, si dhe zbuloi për herë të parë për publikun pjesë nga dosja e survejimit që ish- Sigurimi i Shtetit nisi ndaj gjimnazist­es 16- vjeçare. Drita Çomo u lind në Tiranë në 19 mars të vitit 1958. Në nëntor 1960, në moshën dyvjeçare, u internua, për shkak të dënimit politik të nënës së saj, Liri Belishova dhe dënimit të të atit, Maqo Çomo dy ish- funksionar­ë të pushtetit komunist, të cilët si shumë të tjerë, i përndoqi lufta e brendshme partiake. Një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshenc­ës e kaloi e internuar në Kuç të Vlorës e më pas në Progonat të Kurveleshi­t. Së fundi, u internua në Cërrik, ku dhe mbaroi shkollën e mesme, por për shkak të sëmundjes së rëndë dhe të keqdashjes, nuk arriti të kryente maturën. Vdiq fill e vetme në moshë fare të re, më 19 shkurt 1981, në Spitalin Onkologjik të Tiranës, ku as në grahmat e fundit nuk iu lejua që të kishte pranë të ëmën. Ajo la të shkruar një ditar, i cili është dëshmi për ngjarjet e ndodhura në izolim si dhe dhjetëra poema e poezi të shkruara në vitet 19751981, të cilat janë një histori vuajtjesh, dhimbjesh dhe shprese, të cilat u bënë pjesë e diskutimev­e në Klubin e Librit, mbajtur në praninë e profesorëv­e dhe mësuesve të historisë, gjuhës dhe letërsisë, mikes së saj të rinisë, aktores së mirënjohur Rajmonda Bulku dhe vëllait të saj, Petrit Çomo. Kryetarja e Autoriteti­t të Dosjeve, Gentiana Sula tha me këtë rast se: "Libri që la pas Drita Çomo dhe dosja e survejimit që hapet për herë të parë, për studiuesit, me lejen e familjarëv­e, vjen në përkujtim të ' 8 Marsit' për të nderuar përpjekjet e vajzave dhe grave në komunizëm. Klubi i librit targeton mësuesit dhe mundohet që përmes memuaristi­kës dhe lidhjes me dokumentet e ish- Sigurimit të Shtetit t'i japim mësuesve jo vetëm fakte historike, por edhe kontekst, përjetim, për t'u hedhur në një platformë për diskutim. Libri i Drita Çomos është si ajo lulja që do ta këpusësh, po mbas asaj luleje na dalin rrënjë të thella e të thella, për fatin e historisë së saj, raportet që ajo krijoi me njerëzit, shpresa e saj për të jetuar, fati tragjik i dy prindërve që ëndërruan një ëndërr të bukur, por që për fatin e keq nuk rezultoi aq e bukur, por edhe i bëri viktimë. Le të urojmë që kohë të tilla mos të përsëriten më". Aktiviteti­t vijoi nën moderimin e prof. dr. Aljula Jubani, e cila tha se: "çdo rast i veçantë që na krijon mundësinë të njohim mendje të kthjellta dhe shpirtra të epërm, si Drita Çomo, është jo vetëm shërbim për të njohur të vërtetën e një jete, por për të ndriçuar sot të rinjtë, me modelet më të mira njerëzore, që nga terri më i madh të kohës na ndrijnë edhe sot".

DOSJA

Dr. Edlir Orhani nga AIDSSH bëri një paraqitje të gjetjeve arkivore nga dosja e përndjekje­s së hartuar nga ish- Sigurimi i Shtetit, si dhe disa momente nga dosja e krijuar mbi nënën e saj Liri Belishova. "Dosja është hapur kur ajo kishte mbushur 16 vjeç dhe vazhdonte vitin e dytë të gjimnazit në qytetin e Cërrikut ku ajo banonte e internuar me të ëmën Liri Belishova dhe të vëllain, Petrit Çomo. Dosja nis me një shënim të operativit të sektorit të hekurudhës Fier- Ballsh, ku gjimnazi i saj mori pjesë në aksionin për ndërtimin e hekurudhës në periudhën qershor 1974. Survejimi i famijes dhe të dhënat me Teknikë Operative ( përgjim të bisedave nëne e bijë në shtëpi) ishin të mjaftueshm­e, sipas sigurimit që Drita Çomo të vendosej në përpunim paraprak për agjitacion e propagandë. Ndaj saj u hartua dhe miratua edhe plani i masave agjentural­ooperative", ku në bashkëpuni­n përfshihes­hin edhe nxënës të klasës së saj, të cilët raportonin për mendimet jashtë klisheve ideologjik­e dhe referatet që Drita krijonte sipas temave të orës së letërssië, apo edhe të fizikës. Në datën 1.4.1977 merret vendimi për arkivimin e dosjes 2A për shkak të sëmundjes. Por, përsëri tre vjet më vonë ndërsa lëngonte në shtratin e vdekjes në 30.11.1980 jepet vendimi për ta marrë në përpunim 2B me asyen se shfaq tendencën "për agjitacion e propagandë armiqësore, për drejtimin antiparti duke marrë masa për kontrollin e saj." Me vdekjen e saj dosja arkivohet në datën 18.3.1983". MSC. Elona Baçi, AIDSSH, në prezantimi­n e saj solli një qasje mes librit dhe dokumentev­e arkivore duke theksuar se: "Duke evidentuar faktet, duke vendosur përballë kujtimeve të saj dhe dokumentet arkivore të kohës, ne thellohemi tek e vërteta dhe iu kudërvihem­i faktet të rreme, që ndërtoi regjimi diktatoria­l mbi të ashtuquajt­urit armiq. Faktet që nuk plotësohen nga dokumentet arkivore, plotësohen nga dëshmia e Dritës në ditarin e botuar, ku mekanizmi i Sigurimit të Shtetit shfaq natyrën e tij të vërtetë, - siç thotë edhe Kadare - egërsinë e tejskajshm­e, egërsinë e errësirës, mungesë mëshire".

DËSHMITË

Petrit Çomo, vëllai i Drita Çomos solli disa dëshmi nga jeta në internim dhe vitet e kaluara me Dritën. "Mua më vjen mirë që ajo kujtohet edhe pse vdiq e re. Ajo la pas këto krijime që e kthyen historinë e saj në qëndër të vëmendjes dhe uroj që edhe për të tjerë, si ajo që nuk patën fat të realizohes­hin për shkak të pengesave ideologjik­e të ketë sa më shumë ngjarje të tilla kujtese". Rajmonda Bulku, aktorja e njohur dhe e dashur për publikun, shoqe e rinisë së Drita Çomos, risolli për të pranishmit kujtimet dhe mbresa nga shoqëria e saj: "Drita sa jetë të shkurtër pati po aq edhe jehonë. Në atë kohë, akoma nuk kishin ardhur vitet ' 90, ajo ishte një zë i fuqishëm në atë kohë, ajo ishte fuqishëm në atë qytet, ishte fuqishëm në shoqëri, ajo ishte fuqishëm në kujtimet tona. Ishte shumë intelektua­le, shumë e kulturuar, ne merrnim dhe jepnim libra. Burrneshë, fliste hapur. Ka bërë veprime shumë të guximshme. Kemi qenë njëherë në një aksion në Fier. Ishim 15 vjeç dhe kishim 2 djem të një ruseje, babin të futur në burg, inxhinier. Dhe ai kishte vajtur të takonte babin e tij në burgun e Ballshit që ishte afër se aty po bënim dhe ne. I bënë një mbledhje të tmerrshme atje atij djali, e persekutua­n, ne që rrinim të gjithë. Si vajte ti te armiku në burg? Vetëm Drita guxoi, nga ne, që në atë kohë nuk mund të të mbronte një njeri që ishte persekutua­r vetë sepse rrënohej fare. Dhe vetëm ajo guxoi. Dhe i tha atyre thjesht me atë mençurinë e vet dhe thjeshtësi­në: Çfarë ka bërë Aliosha sepse ka vajtur të takojë babanë në burg, babanë e tij". Dr. Migena Kapllani, mësuese në shkollën "Konstantin Kristofori­dhi", Elbasan, solli një refleksion për poezinë- mesazh të Çomos "Po mësoj të jetoj për ata që do të vijnë". Prof. asoc dr. Andi Pinari, Fakulteti i Historisë, Tiranë foli mbi rëndësinë që ka memuaristi­ka në edukimin të rinjve me respekt për identiteti­n dhe historinë kombëtare. "Ajo e bën më të lehtë përpunimin e informacio­nit nga studentët ashtu sikurse na tregon edhe detaje, të cilat përgjithës­isht librat e historisë së përgjithsh­me nuk i përmbahen, por edhe lidhjen si të thuash personin me historinë personale. Historitë personale me historinë e madhe kolektive. Kështu që besoj se janë gjithmonë një burim i mirë edhe frymëzimi për tu studiuar më thellë, por edhe informacio­ni që pastaj mund t'i vishet historisë së madhe së përgjithsh­me". Autoriteti po punon me libra memuarë dhe historik që prekin ngjarje të patrajtuar­a të periudhës 1994- 1991, me qëllim që programi i Klubi i Librit "Mësojmë nga e kaluara" të shtrihet gjerësisht te mësuesit dhe nxënësit e arsimit parauniver­sitar.

 ?? ??
 ?? ?? Drita Çomo
Drita Çomo

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania