Panorama (Albania)

Hasie dhe Spaç

-

Hasia. Deri në Milot shkonim me tren. Nga Miloti në Spaç dhe kthim në Milot, udhëtonim me kamionët që transporto­nin bakër nga burgu i Spaçit. Në distancën Milot- Spaç, kamionët e bakrit, nga një katund në tjetrin, merrnin banorët lokalë, me të cilët edhe njiheshin.

Duke qarkulluar me vite në atë rrugë, shoferët e bënin mirë dallimin mes banorëve të zonës dhe armiqve të partisë dhe popullit ardhur nga larg, kërrusur me një trastë në dorë, ose në sup me ushqime për të afërmit në burg.

Në kushtet e këtij diskrimini­mi negativ, nga Tirana në Milot vinim me tren. Për të vajtur nga Miloti në Spaç prisnim me orë derisa dikush nga shoferët e kamionëve të na merrte për një arsye të dyfishtë sa dramatike dhe qesharake: me pare dhe për mëshirë njëkohësis­ht.

Gjatë një vajtjeje të tillë në një ditë dimri me erë, shi dhe acar, një kamionist mëshiroi dhe mori Hasien nga Miloti në Spaç. Ku Hasia, priti disa orë para postblloku­t kafkian të burgut. U çmall me djalin. U nis për kthim. Për fat, një tjetër mëshirëmad­h e zemërmirë e mori nga Spaçi në Milot, ku arriti pas disa orësh. Mirëpo treni i pasdites kishte ikur.

Priti për ndonjë makinë për Tiranë, a të paktën pak kilometra deri në Laç, ku mund ta kalonte natën te disa kushërinj kolonjarë, edhe jeta e tyre plot burgje dhe internime.

Prit e prit Hasia me të zeza ulur mbi një gur të bardhë për ndonjë makinë. Hiç. Asnjë makinë nuk e mori Hasien. Asnjë shofer nuk e mëshiroi te kthehej nga burgu ku i kishin mbyllur djalin. Syshkabat që vinin nga Spaçi, Mirdita, Mati, jo e jo. Por as vigjilentë­t që vinin nga Lezha, Shkodra.

U err.

Trafiku qesharak i biçim kamionëve u pakësua, derisa u asgjësua.

Hasia hodhi sytë rrotull.

Një rimorkjo e shkatërrua­r, një depo drithi si hangar aeroplanës­h, kamion i vjetër i braktisur, traktor i shpartallu­ar, plug i ndryshkur, mbi kodër ca shtëpi fshati nga vinin të lehura dhe dukej ndonjë tym që herë trashej, herë hollohej, por kurrë nuk zhdukej.

Pa- ç’pa u afrua tek ura e madhe aty afër, tek Ura e Zogut. Zuri një qoshe. U ul. U mbështoll me veten e vet.

Hera- herës i vinte në vesh një zhurmë makine që afrohej. Asgjë. Ishte vallëzimi i erërave të tërbuara të grykës së lumit.

Prit e prit me shpresën se nga Shkodra ose nga Mirdita do vinte ndonjë makinë.

Vetëm ca mirazhe të turbullta rruferash të largëta me bubullima të vonuara. Asgjë tjetër.

Askush s’pati mëshirë për nënën time ta merrte nga Miloti në Tiranë, a të paktën nga Miloti në Laç te kushërinjt­ë e shumëvuajt­ur.

Hasia e kaloi atë natë dimri me shi dhe erë mbledhur kërruspull në qoshen e Urës.

Hasia nuk mund të ketë qenë e vetmja. Me siguri qindra ose mijëra nëna të tjera kanë parë tmerr me sy tek Ura e Zogut. Çudi si s’i shkelnin me rrota t’i hidhnin në lumë të vdekura. Kishin arsye. S’mund të ndihmonin nënat e armiqve që ktheheshin nga burgjet ku kishin zbrazur trastat për të ngopur armiqtë. I kishin parë nënat e armiqve gjatë pritjeve para postblloku­t të Kafkës. Kishin lexuar “Zërin e Popullit” për ujin që fle dhe armikun që rri zgjuar gjithë natën, çarjen e bllokadës me anë të bakrit, e të tjera e të tjera.

Ura e Zogut nuk kishte të dridhura, as kurban në kamare apo themele.

Të dridhurat nga acari dhe kurban veten e vet, urës së mbretit ia solli Hasia kur tek ai qosh i trishtë kaloi atë natë ferri.

Pas pak mbi atë urë do të vihet një pllakë përkujtimo­re.

Pllaka do të jetë prej bakri, si minerali që vinte nga Spaçi.

Gjerësia dhe gjatësia e pllakës së bakrit do jenë proporcion­ale me distancat Milot- Tiranë dhe Milot- Spaç.

Mbi atë pllakë do shkruhet: Tek ky qosh kaloi një natë dimri mbledhur kërruspull mbi një gur Hasia, që kur kthehej nga Spaçi, vuajti, por nuk vdiq.

Në inaugurimi­n e pllakës prej bakri Spaçi do flasë oratori më i fuqishëm për të cilin presja djeg botën, pika kolapson universin. Me fjalën e tij të zjarrtë do ua çvoshkë zhguallin e konvencion­eve të pranishmëv­e ai ajo makina që shkep kopertonat nga disku. Publiku do preket aq tepër nga ura shekullore dhe Hasia e pavdekshme, sa secilit do i rrjedhë nga 1 pikë lot.

Ndërkohë aty rrotull do jem unë i pasigurt cilin të vras me një kobure kalamajsh.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania