Panorama (Albania)

133 të vdekur nga sulmi në Moskë, ditë zie për Rusinë

-

Dje Rusia ka mbajtur një ditë zie, pasi të paktën 133 persona u vranë të premten në mbrëmje në një sulm në një sallë koncertesh në Moskë. Flamujt janë valëvitur në gjysmështi­zë dhe shumë evente janë anuluar. Më shumë se 140 njerëz mbetën të plagosur gjithashtu kur persona të armatosur hynë në sallën e koncerteve, duke qëlluar pa dallim përpara se t'i vinin flakën. Grupi i Shtetit Islamik ( ISIS) ka marrë përgjegjës­inë për sulmin, por Rusia nuk ka komentuar lidhur me këtë. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se të katër personat e armatosur që kryen sulmin janë arrestuar. Në një fjalim televiziv, Putin dënoi masakrën më vdekjeprur­ëse në Rusi për gati 20 vjet si një "akt barbar terrorist" dhe përsëriti sugjerimet e mëparshme nga shërbimet ruse të sigurisë se sulmuesit ishin përpjekur të arratisesh­in në Ukrainë. Kievi hodhi poshtë pretendimi­n se ishte në një farë mënyre i përfshirë në sulm duke e cilësuar si "absurd". Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi Putinin se kërkon të "fajësojë" Ukrainën për sulmin. "Ky Putin i pavlerë, në vend që të merrej me qytetarët e tij të Rusisë, duke iu drejtuar atyre, heshti për një ditë duke menduar se si të përfshinte Ukrainën", - tha ai në fjalimin e tij të natës. Këshilli i Sigurisë Kombëtare i SHBAve tha se e paralajmër­oi Rusinë për një sulm të mundshëm ndaj "mbledhjeve të mëdha", përfshirë koncerte, në Moskë në fillim të këtij muaji. Kremlini në atë kohë e hodhi poshtë atë si "propagandë" dhe një përpjekje të Uashington­it për të ndërhyrë në zgjedhjet e fundit ruse. Të shtunën, Shtëpia e Bardhë tha se dënoi sulmin "të urryer" dhe e përshkroi ISIS si "një armik të përbashkët terrorist që duhet mposhtur kudo".

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania