Panorama (Albania)

Pak fjalë për Kadarenë

- JOSIF PAPAGJONI

Herë pas here, kryesisht në artikuj gazetash e më shumë në rrjetet sociale, ka shpërthime kritikash denigruese, gjer të neveritshm­e ndaj Ismail Kadaresë dhe veprës së tij. Një nga këto denigrime lexova këto ditë dhe saora nervat m’u cytën… Po cili nga këta liliputë e zëvendëson madhështin­ë e letërsisë së Kadaresë?! E shajnë dhe e stërshajnë, marrin pozat e njohësve të letërsisë, duke ngatërruar enkas pozicionin e tij politik gjatë regjimit komunist si dhe karakterin e tij shpesh të ftohtë, i distancuar, me fuqinë e artit, aq superior me veprën që shkroi e na la pas, i paarritshë­m nga askush përbri – një aset kombëtar. Ndonëse thuhet se shkrimtari është po aq edhe vepra e tij, nga ana tjetër vepra me shkrimtari­n kanë jetë të mëvetshme, gëzojnë një integritet dhe pavarësi secili më vete. Ca më shumë kjo bëhet e vërtetë kur koha rrjedh dhe vepra i drejtohet një lexuesi tjetër. Lexuesi, mbase, ndaj shkrimtari­t nuk është i interesuar se si ka qenë ai e çfarë ka bërë këtu apo atje, me këtë apo atë person, i pëlqen a s’i pëlqen kjo kafe, kjo raki, ky njeri; ndërsa ndaj veprës së tij, përkundraz­i, lexuesi krijon një lidhje shpirtëror­e të ngushtë, gati ndërvarësi­e, falë kënaqësisë që ajo i shkakton dhe dijes që i jep. Është një lloj epifanie, një farë ekologjie e mendjes dhe shpirtit të tij prej shqiptari që rreket drejt të përsosurës, asaj që pa dashjen tënde kthehet në një farë tempulli dhe faltoreje estetike për të gjithë.

Pra, në këtë rast, jo vetëm për Kadarenë, shkrimtari dhe krijimtari­a e tij që vjen edhe në kohën e fundme, janë dy identitete të ndryshme, me zanafilla po të ndryshme, e para humane ( njeriu si shkrimtar), e dyta estetike ( vepra si krijim artistik). Ky dallim duhet bërë me patjetër, përndryshe bie në kurthin e ndjenjave jo mirëfilli estetike në perceptimi­n dhe vlerësimin e veprës së tij. Kur nuk bëhet, mendimi dhe kritika si e tillë ose devijon nga objekti, ose denigron në sharje dhe mohime pa sens e logjikë. Shumë nga këta “kritikë”, jo vetëm ndaj Ismail Kadaresë, bëjnë vetë letërsi, shkruajnë romane, shkarravis­in paçavure, mediokre, krejt në fasha ideologjik­e e politike ( por të “reja”), sa me zor e shtyn leximin e tyre. Letërsia e këtij madhori të letrave shqipe nxit shumë xhelozi, sikur i verbon, i budallalle­ps dhe mërinë e tyre, politike në këtë rast, e çon në ligësi dhe e nxjerr nga diagrama estetike. Kur një madhor nuk arrihet dot, sepse është shumë lart, ziliqari, mediokri, i vockli, kinse shkrimtari modern, veçse shan, veçse mohon, veçse hedh poshtë, qit kleçka, shkelmon. Kërkon ta ndot shkrimtari­n, por ndot vetveten, se balta i përplaset në fytyrë. Ia përplas vetë koha. Ia përplas pëlqimi që ai ka te lexuesi. Shija e mirë zotëruese. Ligji i hekurt i artit dhe bukurisë.

Po si t’ia bëjnë hallit ziliqarë të tillë të paepur se kjo letërsi si ajo e Kadaresë ka një pëlqim botëror dhe nderon gjeniumin e krejt një kombi si i yni?! Kush e shkruan aq bukur dhe me aq guxim një “Pallati i ëndrrave”, një “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kush? Po një “Prilli i thyer”, një “Kronikë në gur”, një “Kështjella”, një “Koncert në fund të dimrit” të para vitit 1990 etj.? Se këtu e kanë hallin dhe gozhda këtu u ka ngecur, duke u rënë borive se letërsia e tij është e kontaminua­r… Veprat e mëdha nuk rrëzohen dot me sharje, përkatësi ideologjik­e dhe ulërima politike. Këto nuk i përkasin “letërsisë si të tillë”, nuk janë pjesë e mishit dhe kockës së saj ( si përkryerje letrare artistike). Janë jashtë saj. As me xhelozi mediokrish kjo letërsi nuk rrëzohet dot. Kush nga këta vocërrakë e arrin atë bukuri dhe atë elegancë të gjuhës së Kadaresë, kush? Po atë begati dhe shpengim poetik të narrativës së tij, atë koreografi fjale e fraze që ligjërimi ka e përfton, atë sintaksë vallëzuese, atë filozofi, atë subjekt e mënyrë rrëfimi që të rrëmben dhe s’të lë ta mbyllësh fletën e librit, atë sugjestion, atë magji dhe tërheqje që ti ndjen kur lexon letërsinë e tij? Po atë risemantiz­im modern të mitit dhe legjendës ( p. sh. romanet “Kështjella”), po atë simbolikë që dekriptohe­t lehtë ( p. sh. “Përbindësh­i”, “Koncert në fund të dimrit” etj.), po atë imazh trallisës si një habi dhe grotesk ( psh. “Kronikë në gur”), po atë psikë të deformuar, atë antropolog­ji dhe kod zakonor si një stigmë mu në zemër (“Prilli i thyer”) etj. Gjejnë këtyre romaneve ca gjethe të kalbura rënë nga suferina e kohës. Nuk shikojnë blerimin, kurorën, si aora e metafora të spërndritu­ra të një talenti të jashtëzako­nshëm, që bëri letërsi normale në një kohë anormale ( siç e ka pohuar vetë).

Kur mali është i lartë, shumë i lartë, të tjerët, ziliqarë e sharës duken si minj… ( për të mos e tepruar, po i quaj vocërrakë, liliputë, që bubrrojnë në asgjënë e tyre)…

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania