Panorama (Albania)

Vata: Shqipëria e lodhur, ja si surprizon në Europian

"Silvinjo humbi besimin te Seferi, duhet të rrisim ' stekën'"

- KRISTI SEJATLLARI

Rudi Vata mendon se Shqipëria nuk kishte intesitet në këto dy ndeshje miqësore. Ish- kapiteni i Kombëtares, duke folur në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport", thotë se lojtarët e ekipit kombëtar ishin të lodhur dhe jo me gjendjen fizike të 6 muajve më parë.

Gjithsesi, ai mendon se skuadra ka arritur objektivin dhe nga këto humbje duhet të bëjë një analizë serioze për t'u përgatitur sa më mirë për në Europian dhe pse jo për të qënë surpriza e grupit. Vata gjithashtu thotë se Broja, Ismajli dhe Kumbulla janë të domosdoshë­m për Kombëtaren.

Dy ndeshjet e fundit të Kombëtares, si ishin në sytë e Rudi Vatës dhe çfarë sinjali mendoni se mori Silvinjo nga to?

Trajneri e shprehu vetë që nuk i ka pëlqyer intesiteti që ekipi shfaqi në ndeshjen me Kilin. Intesiteti­n e bën gjendja fizike. Futbollist­ët me gjendje fizike të mirë krijojnë atë energjinë që ka nevojë skuadra. Duke bërë presionin sipër, duke mbuluar kundërshta­rin afër, duke fituar dyluftimet. Shqipërisë i mungoi kjo energji që e kishte në ndeshjet eliminator­e, para dy ndeshjeve të fundit me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, sepse shenjat e lodhjes filluan që aty. Gjithsesi, me Suedinë skuadra ishte disi më mirë.

Mund të themi se kishte një lloj reagimi me Suedinë...

Kishte edhe një kundërshta­r që është më i dobët sesa ata që do të kemi ne në Europian. Ata janë tepër seriozë, nuk janë të nivelit të Suedisë e cila është në rikonstruk­sion e sipër, do të ndryshojë mentalitet­in e të luajturit futboll sepse vendet nordike luajnë me topa të gjatë e fizikisht, ndërsa me ne, mundoheshi­n të luanin me pasime shkurt. Në disa luftime ata ishin më të fortë sesa ne. Sidomos në mesfushë. Unë pashë në disa situata edhe Ramadanin, që është lojtari që shquhet për lojë fizike te ne, në dy- tri situata e humbi topin në zona të rrezikshme. Suedia nuk luan tiki- taka, e sërish lojtari më i mirë i ndeshjes ishte Strakosha.

Do ta quanit një lloj mësimi që na kthen me këmbë në tokë përpara Europianit?

Unë mendoj se fillimisht ekipi kombëtar e ka realizuar objektivin. Pyetja është a kemi një objektiv për t'u rritur, sepse jemi Kombëtare e vogël? Duhet të shikojmë edhe realitetin, mos ndoshta po kërkojmë edhe më shumë sesa i kemi mundësitë. Unë nuk e përmenda edhe më kot Ramadanin, sepse po ta shohim Ramadanin e muajit shtator nuk është njësoj me atë sot, edhe Leçe e muajit tetor nuk është njësoj me atë sot. Shumë futbollist­ë nuk më duken ashtu siç ishin para 6- 7 muajve dhe kjo jep atë që trajnerit nuk i pëlqen, që është intesitet.

Një rikthim ishte edhe ai i Brojës, luajti nga minuta e parë, a tregoi se është i rëndësishë­m për Kombëtaren në Europian?

Broja të jem i sinqertë, është një lojtar që ekipi kombëtar e ka të nevojshëm. Po ashtu edhe Kumbulla. Të dy kanë kaluar dëmtim të vështirë, si në aspektin mental dhe atë fizik. Për t'u rikthyer në formën e tyre më të mirë, kanë nevojë për mbështetje në çdo aspekt. Sepse kanë kaluar një përiudhë shumë të vështirë në rikuperim, sidomos psikologji­kisht. Cilësitë e Brojës janë që cilësi që i ka nevojë futbolli modern, sepse shpejtësia e dinamizimi i tij dhe mënyra sesi e sulmon hapësirën, është shumë e vështirë të gjesh futbollist­ë që e bëjnë atë. Është shumë i domosdoshë­m për ekipin kombëtar. Broja nuk është ende në gjendjen e tij më të mirë. Më bëhet qejfi që është rikthyer dhe të krijojnë frymën e grupit.

Kundër Suedisë Silvinjo ndryshoi edhe modulin, duke luajtur një 4- 3- 3 të pastër, duke spostuar Nedim Bajramin në krah? Si ju është dukur?

Bajrami mendoj që nuk është tipik lojtar krahu. E shikoj që trajneri ka humbur besimin te Seferi. Në të njëjtën kohë në atë pozicion është edhe Uzuni.

Po në lidhje me mbrojtjen, kishim pësuar vetëm 4 gola në të gjithë kualifikue­set, ndërsa vetëm në dy miqësore pësuam aq, çfarë nuk shkon?

Normalisht që humbja të ul prestigjin. Kur skuadra ka intesiteti­n e duhur, siç e thashë më parë, edhe mbrojtja ka sigurinë e duhur. Nëse nuk e ke, sigurisht që do të ketë hapësira mbrapa. Futbollist­ët shqiptarë kanë qënë në gjendje më të mirë fizike dhe me kalimin e kohës kanë dalë jashtë forme. Edhe mungesa e Ismajlit padyshim që ka ndikuar. Është një lojtar i fokusuar. Mendoj se katër ndeshjet e fundit të Kombëtares kanë qënë të një niveli mesatar. Për t'u rritur duhet vazhdimësi sepse ajo është e rëndësishm­e. Por, futbollist­ët duhen mbështetur, kanë nevojë për moral.

Po në Europian, si shkon Shqipëria?

Unë e shoh se jemi skuadra me më pak pretendime në grup. Presioni nuk është te ne, por te Kroacia, Spanja e Italia që mendojnë se Shqipëria është një "kafshatë" e vogël. Nuk kemi çfarë të humbasim, por edhe e pamundur nuk është, por pretendime­t nuk janë. Dhe ti kur nuk futesh me presionin e rezultatit, mund t'i tregosh vlerat shumë lirisht. Por, përgatitja për në Europian duhet të jetë shumë serioze. Futbollist­ët nga sot duhet të mendojnë që të gjejnë dhe të ruajnë gjendjen e tyre fizike sepse kanë kohë mjaftueshë­m për të qënë gati. Në Europian të shikon gjithë Europa, nuk është si në eliminator­e. Sytë e të gjithëve janë aty dhe është një privilegj për këdo futbollist. Të gjithë e kanë merituar që kanë shkuar aty. Gjithsesi, mendoj që nuk duhet të shkojmë aty dhe të themi morëm pjesë, por të lemë gjurmë. Po të mendosh që Greqia ka fituar Europianin, që nuk e priste askush, dhe me një futboll të shëmtuar, me Oto

Rehagelin, trajnerin gjerman. Askush nuk e ndalon Shqipërinë, nëse përgatitet që të bëjë sa më mirë dhe pse jo të bëhet surpriza e grupit.

Çfarë mësimesh duhet të nxjerrim nga këto dy ndeshje?

Këto katër ndeshje, edhe ato me Moldavinë dhe Ishujt Faroe duhet të analizohen sa më mirë sepse nga to kupton shumë se çfarë është kultura dhe mentalitet­i i shqiptarit. Pse ne ndryshojmë sjellje rrugës? Ne nuk kemi krijuar një traditë që të bëjmë hapa vetëm përpara, por historikis­ht ne kemi bërë vetëm ndonjë hap të vogël përpara dhe pastaj jemi kthyer përsëri mbrapa. Tani kemi bërë hapa të mëdha përpara dhe të mos bëjmë të njëjtat gabime si në Europianin e fundit. Mendoj se duhet të ndryshojmë traditën, me sjelljen dhe progresin që bëjmë. Ne jemi të përgatitur për humbjen, por pse të mos ndryshojmë besimin, sepse ndryshon edhe të ardhmen. Është shumë e rëndësishm­e që ta rrisësh "stekën" tënde. Edhe fëmija kur lind shkon këmba doraz, pastaj mëson të ecë, pastaj vrapon. Kështu është jeta. Edhe futbolli duhet të rritet akoma edhe më shumë. Kemi lojtarë që janë rritur në shkollat europiane të futbollit. Ne jemi një skuadër që duhet të punojmë shumë më shumë sesa Italia që të marrim rezultat. Ne kemi humbur dy betejat e fundit, por lufta vazhdon.

Sa e vështirë do të jetë për

Silvinjon që të bëjë listën finale për në "Euro 2024"?

Trajneri do të bëjë gabime. Edhe dy ndeshjet e fundit ka bërë gabime. Edhe Kapelo të jetë do të bëjë gabime. Sigurisht që ai ka një punë tepër të vështirë sepse ka për të bërë zgjedhjet më të mira që mendon që do t'i përshtaten mënyrës së tij të lojës. Sigurisht që do të gabojë sepse njeri është, edhe De Biazi la jashtë Rashicën, Gjimshitin dhe u krijuan pakënaqësi. Këto nuk mbarojnë në futboll, do të jenë gjithmonë njerëz të pakënaqur sepse jo të gjithë do të jenë në Europian. E rëndësishm­e është që trajneri të jetë i bindur për zgjedhjet e veta sepse ai gjykohet pas Europianit. Ky është futbolli, duhet të përballohe­n edhe kritikat, prandaj paguhen miliona euro trajnerët. Nëse nuk e përballon, atëherë shko bëj kamarierin. E njëjta edhe për lojtarët, nëse nuk i përballon dot kritikat kur paguhesh miliona euro, mos luaj më futboll atëherë. Edhe aktorët e Hollivudit, paguhen 30 milionë euro për një film dhe gjykohen nga gjithë bota negativish­t edhe pse kanë bërë me dhjetëra role pozitive. Kështu është edhe në futboll. Duhet të pranosh kritikat dhe të vazhdosh përpara. Ka për të të kritikuar media, por nuk duhet të merresh me to. Mendoj se stafi i Shqipërisë e di shumë mirë si funksionon. E rëndësishm­e është që të përgatiten fort për Europianin dhe t'i mbështesim sepse tani fillon zona e nxehtë e finaleve.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania