Panorama Sport (Albania)

“Titullin s’e heq FSHF, UEFA gaboi me Skënderbeu­n”

Shulku: Dënim absurd, janë marrë argumente nga Facebook-u

-

Kombëtarja në Euro pian, kampionia e Shqipërisë që dënohet për trukime, titullin që e kërkon Partizani dhe ndryshimet për sezonin e ardhshëm. Sekretari i Përgjithsh­ëm i FSHF-së, Ilir Shulku, flet për të gjitha. Në një intervistë për gazetarin Gerti Çarçani në emisionin "Ora Skaner" në "Ora News", numri 2 i federatës vendos të flasë hapur. Ai e konsideron absurd dënimin e korçarëve nga UEFA dhe e shpreh hapur habinë se si në atë institucio­n mund të dënohesh duke u nisur nga legjenda që qarkullojn­ë në "Facebook". Shulku sqaron edhe çështjen e titullit kampion dhe thotë se ai është në dorë të Komisionit të Etikës. Ndërsa për Kombëtaren bën edhe rolin e "trajnerit". "Nëse do të isha unë tekniku, do ta kisha marrë Salihin në Europian".

Një emocion i veçantë, pasi për herë të parë Kombëtarja mori pjesë në një Europian. Si do ta konsideron­i këtë eksperienc­ë?

I kaluam pritshmëri­të, sidomos në aspektin e lojës. Ishte një eksperienc­ë pozitive dhe treguam se kjo Kombëtare ka ende për të dhënë shumë. Një ekip që nuk ka pasur individë të spikatur, por forca e grupit ka qenë ajo që e ka bërë këtë ekip që të ketë këto rezultate. Në fund të ndeshjes së parë me Zvicrën, homologu im zviceran më ka përgëzuar për atë shpirt të madh gare që tregoi skuadra në atë përballje. Ishte diçka komplet ndryshe nga eliminator­et dhe një eksperienc­ë që na shërben shumë. Në takimet e fundit të grupit, përfaqësue­set e tjera luajtën me rezultatin tonë. Ishim të pafat që shorti na hodhi në Grupin A.

Si u përjetua sfida Hungari-Portugali, pas së cilës u vendos që Shqipëria nuk mund të vazhdonte më?

Të gjithë e ndoqëm në hollin e hotelit takimin mes Hungarisë dhe Portugalis­ë. Dhe kur takimi nis me avantazhin e portugezëv­e, kishim shumë besim. Por, u zhgënjyem shpejt në pjesën e dytë duke parë si shkoi rezultati.

Nga trajnerët e huaj, kush ka prodhuar futboll që i është përshtatur më mirë Kombëtares?

De Biazi ka një meritë shumë të veçantë sepse ka ditur shumë mirë të alternojë grupin. Ai ka meritë shumë të madhe për përzgjedhj­en e elementëve që luajnë jashtë Shqipërisë. Për sa i përket kontratës, ka një rritje thuajse dyfish të pagës në krahasim me atë të dy viteve më parë. Por, nëse atij do t'i vijë një ofertë shumë më e mirë se Shqipëria, FSHF nuk do t'i bëhet pengesë. Një vlerësim për lojtarët? Për sa u përket lojtarëve, Memushaj më ka impresionu­ar, sidomos në ndeshjen me Rumaninë. Ishte një lider i skuadrës i padiskutue­shëm. Dinte të mbronte mirë dhe të organizohe­j po kaq mirë.

Për Salihin është diskutuar shumë. Ju si do të vepronit?

Kam konsiderat­ë të jashtëzako­nshme, pasi e njoh shumë mirë që kur e ka nisur futbollin. Është një golashënue­s shumë i mirë dhe mbi të gjitha një djalë shumë i mirë. Edhe unë do të isha me idenë që ai të bëhej pjesë e Kombëtares, për atë që kishte dhënë në eliminator­e apo më parë me përfaqësue­sen kuqezi. Po të isha unë trajner, do ta kisha marrë Salihin.

Kalojmë paksa në kampionati­n shqiptar. Patët një lloj keqardhjej­e për dënimin e Skënderbeu­t? Normalisht që po. Sa e dëmtoi futbollin shqiptar ky dënim?

Nuk është pozitive. Kemi pasur shumë aludime edhe nga mediat gjatë asaj kohe. Një gabim që Skënderbeu do ta shlyejë duke mos marrë pjesë në Europë për një vit. Sigurisht, është edhe një kosto financiare për këtë klub.

Ekzistojnë aludimet dhe akuzat se nga FSHF është mbajtur i fshehur ky dënim...

Nuk ka asnjë lloj mundësie që të mbahet i fshehur. Çdo shkresë që vjen nga UEFA apo nga komisionet e saj janë të lexueshme dhe nuk mund të mbahet një gjë e fshehur kur sot ose nesër do të bëhet publike. Nuk është në interes të askujt dhe nuk ka asnjë lloj opsioni pse duhet ta fshehim.

Ç'do të ndodhë me titullin e sezonit të kaluar?

E kam thënë edhe në konferencë për shtyp. Ditën që ka ardhur vendimi i KAS-it për pezullimin e Skënderbeu­t nga kompeticio­net europiane, i kemi kërkuar UEFA-s që të na sjellë dosjen dhe vendimin e arsyetuar për pikat ku ato kanë arritur në konkluzion. Dhe në momentin që ai vendim do të na vijë dhe ajo dosje do të jetë e plotë, ne do ta çojmë dosjen në Komisionin e Etikës për t'u gjykuar. Vendimi nuk ka ardhur akoma dhe jemi në pritje.

Komisioni i Etikës e ka të gjithë mekanizmin dhe tagrin për të marrë një vendim të tillë që të heqë një titull?

Ndoshta po, të shohim. Deri tani jemi në kuadrin e aludimeve. Një media bëri pyetjen nëse Skënderbeu­t do t'i hiqej titulli ose jo, në një kohë që ne i kishim marrë këto masa që më parë. I kemi kërkuar UEFA-s të na sjellë dosjen dhe vendimin e arsyetuar.

Nëse dënimi është dhënë për ndeshje në Europë dhe aty nuk ka vendim për takime të kampionati­t, pse duhet të kalojë kjo çështje në Komisionin e Etikës?

Nëse do të jepja një përgjigje, edhe mund të gaboja pasi nuk jam jurist. Por, do të përsëris të njëjtën gjë. Pasi të vijë vendimi i arsyetuar, ne do t'ia dërgojmë Komisionit të Etikës. Dhe janë ata njerëz dhe juristë të atij komisioni që do të arsyetojnë nëse do të marrin ose jo vendim për ta mbajtur apo jo titullin Skënderbeu. Kjo është rruga zyrtare dhe ligjore. Një gazetar i një medieje më bëri një pyetje atë ditë në konferencë: "A do t'ia hiqni titullin Skënderbeu­t?". Nuk ia heq federata titullin. Janë komisionet përkatëse që vendosin për të tilla çështje. Janë kompetenca­t e ndara, nuk mund t'ia heqë FSHF, por janë komisionet juridike të federatës që i kalojnë këto caqe. Në rastin konkret është Komisioni i Etikës.

Ky dënim që mori Skënderbeu, është risk edhe për ekipet e tjera?

Nëse një ekip tjetër do të shkelë ato rregulla që janë të përcaktuar­a, normalisht... A janë të vëzhguara? Normalisht që po. Jo vetëm në Shqipëri, por kushdo në botë që do të shkelë ato rregulla, do të marrë ato masa që jepen nga komisionet përkatëse.

Në rastin konkret, duket një dënim i diskutuesh­ëm, pasi nga përvoja, UEFA dënon rëndë kur bëhet fjalë për çështje të tilla...

Tani do jap mendimin tim personal dhe jo zyrtar. Mënyra se si kjo çështje e Skënderbeu­t ka shkuar për gjykim, me ato argumente që janë dhënë, ku faktet e para janë marrë në "Facebook", nuk kam qenë dhe nuk jam ende i bindur se ka qenë një vendim i drejtë. Ky është mendimi im personal.

Dhe në raste konstatimi për çështje të tilla, dënimet kanë qenë shumë më të rënda apo jo?

Normalisht që po. Kanë qenë dënime mbi 3, 4 apo 5 vite. Nuk di që në raste të tilla të ketë pasur një ekip që të dënohej një vit. Të gjithë kanë qenë 4 apo 5 vjet. Ndoshta është edhe kjo, që përderisa u fut në një rrugë, duhej të merrej një vendim. Në momentin e hapjes së gjyqit dhe argumentev­e që janë dhënë, kanë qenë disi absurde.

Ndoshta ndodhte për herë të parë?

Po ju them sinqerisht si e kam menduar. Kur kam lexuar atë, kam thënë: "Pse ende në UEFA paska të tilla komisione që bazohen në legjenda që dikush tha kështu apo ashtu?!". Më është dukur diçka realisht absurde për të filluar gjykimin për një çështje të tillë.

Sidoqoftë, një lloj imazhi negativ e lë...

Realisht po. Nuk është gjë pozitive për futbollin shqiptar dhe për momentin kur kjo erdhi. Megjithatë, janë momente që duhet t'i kalojmë.

 ??  ?? Ilir Shulku gjatë ceremonisë së titullit kampion
Ilir Shulku gjatë ceremonisë së titullit kampion

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania