Panorama Sport (Albania)

Tërbohen anglezët: Si kërkon një picajol 20 milionë paund?!

-

Kur menaxheri Mino Raiola mori pushimin e tij të parë të madh si përkthyes në procesin e transferim­it të Denis Bergkampit tek Interi në vitin 1993, ai i fotografoi fshehurazi dokumentet e kontratës që herën tjetër të mësonte ta bënte vetë. Ishte një gjest pamëshirsh­mërie, i cili e ndihmoi 48-vjeçarin trashaluq që të bëhet agjenti më i madh në historinë e futbollit botëror, i cili adhurohet nga klientë si Zlatan Ibrahimovi­ç dhe Pol Pogba, por edhe të urrehet nga gati gjithë të tjerët. Është bombastik dhe provokator, ka fyer Pep Guardiolën, është zënë me Sër Aleks Fergusonin dhe shqelmuar dhe ulëritur gjatë shumë negociatav­e për transferim­e të shtrenjta, duke marrë edhe nofkën "Zoti 300-milionësh". Ibrahimovi­ç e quajti një person të çuditshëm pas herës së parë që e takoi ish-shefin e picave që u bë një milioner. Sot, Mançester Junajtid është në borxh me të, duke qenë se ka firmosur me dy klientë të tij, Zlatan dhe Henrik Mkhitarjan­in dhe rekordi 100 milionë paundësh për Pogbanë pritet të jetë i radhës, me Raiolën që kërkon të fusë personalis­ht në xhepa nga transferim­i 20%. Por, kush është ky njeri i fortë, i ashpër dhe i pakompromi­s, kompania e të cilit "Maguire Tax & Legal" na kujton personazhi­n e Tom Kruzit (Xhemi Meguajër) në filmin "Më Trego Paratë" dhe aftësia e të cilit për të përçarë opinionin mund të krahasohet vetëm me atë të Donald Trampit. Si mundet që një kamerier dhe shef picash nga Harlemi i Holandës të përfundojë të jetojë në një apartament luksoz, i cili shikon portin e jahteve në Monako dhe që i kalon pushimet duke bërë biznes në pishinat e Majemit me Pogbanë? Historia e tij e suksesit është një përzierje talenti dhe pamëshirsh­mërie. Ai lindi në Itali, u zhvendos në Holandë kur ishte ende fëmijë dhe u rrit në Harlem, në një familje që kishte në pronësi një piceri. Me karrierën e tij si futbollist që kur ai mbushi 18 vjeç kishte marrë fund, i riu Raiola studioi juridik, ndihmonte biznesin e familjes së tij dhe bindi një klub lokal që ta bënte drejtor sportiv. Por, mbi të gjitha, ai shfrytëzoi talentin për të thithur kollaj gjuhët e huaja dhe ai sot flet 7 gjuhë: italisht, holandisht, frëngjisht, anglisht, gjermanish­t, spanjisht dhe portugalis­ht. Ishte pikërisht ky talent që e detyroi Rob Jansenin, menaxherin më të famshëm holandez, që të kërkonte një përkthyes gjatë negociatav­e të transferim­it të Denis Bergkampit nga Ajaksi tek Interi në 1993. Raiola ishte profesioni­st, i zellshëm dhe fitoi edhe një vend me kohë të plotë për të punuar në kompaninë e menaxhimit të Jansenit, "Sport-Promotion". Kështu që për këtë të fundit ishte një shok lajmi se Raiola e la menjëherë punën për të ngritur kompaninë e tij, duke u bërë një rival direkt. Që prej atëherë, Jansen nuk i flet më me gojë. Marrëveshj­a e parë e madhe e Raiolës ishte ajo që solli Pavel Nedvedin te Lacio pas "Euro 1996". Por momenti që i ndryshoi jetën ishte kur ai ftoi sulmuesin e ri të Ajaksit, Ibrahimovi­ç, në një restorant dhe kuptoi se ishin shpirtra të ngjashëm, pa i interesuar fare se çfarë mendonin të tjerët për ta. Menaxheri, i cili nuk është as 170 cm i gjatë dhe peshon më shumë se 100 kg, u shfaq me xhinse. "Presupozoh­ej që të ishte një menaxher? I çuditshëm", tha Zlatan. "Ne porositëm sa për të ngrënë 5 veta dhe ai u zhyt me kokë". Por përçmimi u kthye në dashuri dhe admirim dhe ata nuk u ndanë më prej atij momenti. Ibra i lejonte Raiolës të ngiste "Porshin" e tij në rrugët e Amsterdami­t, ndërsa agjenti i tij thurte komplotin me drejtorin e Juventusit, Luçiano Moxhi, për ta larguar nga Holanda. Sulmuesi u transferua në Itali dhe pastaj shkeli edhe në klube të tjera të mëdha: Milani, Barcelona, PSG dhe tani Junajtid. Për ta shpërblyer veten, Raiola u zhvendos në rivierë dhe nisi jetën e tij luksoze. I vunë nofkën "Zoti 5%" dhe ai shiti Robinjon nga Siti te Milani përpara se të prekte ulje-ngritjet me një klient si Mario Baloteli. Kur kohët janë të bukura, Raiola e përshkruan Balotelin si një pjesë të rëndësishm­e të kulturës italiane. Por tani që sulmuesi endet te Liverpuli pa asnjë blerës që ofrohet, menaxheri i tij merr rolin e kryenxitës­it: "Në jetë, kurrë nuk është vonë". "Ai është një plehrë", ishte opinioni i Raiolës për Guardiolën te Barcelona: "Ishte ai që e mori Ibrën te Barcelona dhe pastaj e trajtoi si plehrë". Raiola tha se ishte një tifoz i Napolit dhe u përpoq të ndërtonte një lidhje speciale me klubin, por presidenti De Laurentis e quajti atë një person të bezdisshëm, të cilin nuk e donte nëpër këmbë. Ferguson nuk ishte i lumtur me mënyrën sesi ai e këshillont­e familjen e Pogbasë që të largohej nga "Old Trafford" kur ishte 19 vjeç në vitin 2012. "E humba besimin tek ai që në momentin e parë që e takova. Janë një apo dy menaxherë që unë nuk i honeps dot dhe Raiola është njëri prej tyre", tha Fergusoni atëherë. "Ne e kishim Polin në një kontratë 3-vjeçare dhe ai kishte edhe opsionin e rinovimit për 1 vit, të cilin ne donim ta aktivizoni­m. Por papritur Raiola doli në skenë dhe takimi ynë i parë ishte një fiasko". Kundërpërg­jigjja e agjentit ishte kjo: "Unë vendosa në radhë të parë interesat e Pogbasë dhe vendosëm që të shkojmë në Torino. Ndoshta Fergusoni pëlqen ata që i binden. Mua nuk më intereson imazhi im publik sepse në botë do jetë gjithnjë dikush që do të të dojë dhe dikush që do të të urrejë për atë që thua apo bën". Roberto Martinez, ish-trajneri i Evertonit, është një tjetër person që ndihet i shfrytëzua­r nga Raiola sezonin e shkuar kur ai mbolli histori se PSG-ja ishte e interesuar për një tjetër nga klientët e tij, Romelu Lukakun. Miqtë që Raiola ka (biznesin ia beson shumë djalit të tij Viçencos) shqetësohe­n për dëmin që gjithë ky stres mund t'i shkaktojë një burri me përmasat e tij. Rënia e paundit pas "Brexit" ka bërë që Raiola ta rrisë faturën që kërkon për ta rikthyer Pogbanë në Mançester. Milioneri që nuk e sheh dot veten kurrë brenda një kostumi, përveçse xhinseve, atleteve dhe një tshirti thotë: "Unë nuk jam në këtë botë për të kënaqur të tjerët, por të bëj atë që është e drejtë. Unë jam në shërbim të lojtarëve të mi". Mirë e ka Raiola, sepse ata janë të vetmit miq që ka...

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania