Panorama Sport (Albania)

Starova: Ocelli gabon, Partizani ka strategji të qartë

-

Sulejman Starova nuk ishte dakord me qëndrimin e mbajtur së fundmi nga ish-kapiteni i të kuqve, Adnand Ocelli. Ky i fundit, nëpërmjet një opinioni të shkruar, kritikoi situatën në klub dhe menaxhimin që i është bërë atij gjatë kohëve të fundit. "Ocelli është kontradikt­or në atë që shpreh. Nga njëra anë thotë se Partizani është ekip pa ide dhe nga ana tjetër kërkon ndjesë në fund të shkrimit. Kujt i kërkon ndjesë dhe ku kërkon të dalë, sepse realisht ishte i paqartë...?! Po, është e vërtetë që nuk kemi lojtarë kampionë, por nuk mund të thuhet kurrsesi se kjo skuadër është pa ide. Ishte ky ekip që eliminoi Ferencvaro­shin me një buxhet prej 50 milionë eurosh. Ishte ky Partizan që luajti thuajse si i barabartë me Salzburgun, ndërkohë që i dimë diferencat e këtyre klubeve. Është i njëjti Partizan që mori elozhet e të gjithëve për ato ndeshje shumë të mira dhe një humbje me Krasnodari­n nuk mund ta zhbëjë një punë të mirë që është bërë gjithë këto kohë. Çfarë prisni, që Partizani, një skuadër në ndërtim e sipër, me një buxhet 1 milion euro, të eliminojë Ferencvaro­shin që ka buxhet 50 milionë euro, të shkëlqejë me Salzburgun që ka një buxhet gjithashtu të jashtëzako­nshëm dhe pastaj të jetë i barabartë edhe me Krasnodari­n?! Nuk funksionon kështu në futboll. Prandaj, ka hierarki dhe fuqia e financave herët a vonë bën diferencën. Më bezdis fakti që njerëzit nuk e kuptojnë se Sukaj iku vetë nga Partizani dhe iku në një vend ku do të marrë afro 300 mijë euro. Partizani nuk kish mundësi të bënte një sforco të madhe ekonomike. Kemi limitet tona. Kjo është e gjithë historia. Nxitimi nuk na çon askund. U përpoqëm të gjenim një zgjidhje të shpejtë dhe morëm Volasin. Ishte një djalë shumë i mirë, por nuk u përshtat dhe u ndamë me mirëkuptim. Kjo ishte një shenjë e nxitimit. Nuk duhet të nxitojmë më për të përsëritur të njëjtat situata. Nuk qëndron ajo që thotë Ocelli se ekipi hyri në Kupat e Europës i papërgatit­ur dhe se trajneri nuk ka qenë i qartë me modulin e lojës...

Së pari, stafi teknik është zgjedhur menjëherë pas përfundimi­t të kampionati­t. Sormani dhe stafi i tij kanë një eksperienc­ë të shkëlqyer në Itali dhe kanë qenë të qartë që nga fillimi e deri tani në atë që po ndërtojnë te Partizani. Këtu rrëzohet pretendimi i Ocellit se skuadra u vonua me përgatitje­t apo në përzgjedhj­en e stafit. Bie poshtë edhe pretendimi tjetër se ne kemi marrë lojtarë borxh për një muaj... Këtë nuk e ka bërë Partizani, por Kukësi".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania