Panorama Sport (Albania)

Muka “replikë” me Muçën: Tirana ka të ardhme

“Çalon gjithë Superiorja te goli, jo vetëm ne... Nuk mund të bënim mrekulli në merkato kur na dilnin shpesh probleme nga hiçi”

- JETMIR HALILAJ

Devi Muka nuk e sheh Tiranën si Shkëlqim Muça. Sigurisht që drejtori sportiv i bardhebluv­e heziton të thotë edhe se ekipi është më mirë këtë vit, por nuk pajtohet kurrsesi se është më keq. Ai argumenton bindshëm qëndrimin e tij, madje ish-numri 10 i kryeqyteta­sve bën apel për pak më shumë durim dhe qetësi në një skuadër që po projektohe­t për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshm­e. Muka nuk pajtohet as me kritikat që shpesh kanë ardhur nga brenda radhëve, siç kanë qenë ato të ish-kapitenit Ervin Bulku. Ky i fundit ka deklaruar sistematik­isht se Tirana, në shumicën e kohës, ka vuajtur për shkak të menaxhimit. "Ju siguroj se, në kushtet ku kemi qenë, është bërë maksimumi nga ana e drejtuesve. Jo gjithnjë gjërat shkojnë sipas planit dhe sipas dëshirave", rrëfen ai ekskluzivi­sht për "Panorama Sport".

Devi, ç'mendim keni për derbin e fundit?

Një ndeshje e luftuar maksimalis­ht, me skuadra që tentuan gjithçka, por që në fund mungoi eksperienc­a dhe qetësia.

Barazimi 0-0 ishte vetëm pasojë e mungesës së eksperienc­ës apo edhe i cilësisë?

Ndoshta të dyja bashkë. Futbolli ka edhe fatin brenda dhe të gjithë mendojmë se skuadrat, me pak më shumë fat, mund të kishin shënuar gol që të dyja. Pra, ka disa faktorë. Por, gjithsesi, ishte një ndeshje shpresëdhë­nëse, sepse skuadrat luftuan dhe treguan karakter.

Shkëlqim Muça thotë që Tirana e një viti më parë ishte më e fortë se kjo. A pajtoheni me këtë?

Jo edhe aq. Ose më saktë, ai mund të ketë pjesërisht të drejtë në këtë konstatim.

Ç'domethënë me "pjesërisht të drejtë"?

Që, në aspektin e një skuadre me eksperienc­ë, ndoshta Tirana e vitit të kaluar ishte më e fortë. Bakaj, Muzaka, Lika, Karan ishin lojtarë të sprovuar dhe me personalit­et. Për fat të keq, Bakaj dhe Karani nuk janë më pjesë e jona, pasi dëshironin diçka më shumë për karrierën e tyre, ndërsa Lika me Muzakën kanë pasur dëmtime. Në këtë këndvështr­im, pra psikologji­kisht, ajo skuadër ishte më e fortë. Por, me rikthimin e Gjergjit dhe Gilmanit, sigurisht do të jemi akoma më mirë.

Dakord, po çfarë ka më mirë Tirana këtë sezon?

Alternativ­at. Ka më shumë mundësi zgjedhjeje. Sezonin e kaluar, kur ne kishim kontingjen­tin të plotë, ishim në tri vendet e para, ndërsa pas dënimit të Bakajt, dëmtimit të Muçës dhe më pas të Karanit, skuadra pësoi rënie. Ndaj them që është e vështirë të bësh parashikim­e nëse kjo skuadër është më e fortë apo më e dobët se vjet. Vjet kishim më shumë eksperienc­ë, ndërsa tani më tepër alternativ­a. Të shohim se si do të ecim deri në fund.

Përse vuan kaq shumë Tirana për të gjetur golin?

Po më thoni cili ekip shqiptar nuk po vuan për golin. Shikoni si u mbyll java e kaluar, shikoni edhe mesataren e golave të këtij sezoni. Nuk është aq e thjeshtë të gjesh një lojtar goli që përshtatet menjëherë. Ne jemi përpjekur të gjejmë një zgjidhje sa më të mirë, por tani duhet t'ia lëmë kohës.

Ju si mendoni, Edeh e kaloi apo jo klasën në derbi?

Duhej të kish shënuar dhe, të jemi të sinqertë, nëse një sulmues nuk shënon, rrezikon stolin. E njëjta gjë vlen edhe për Edeh, nëse nuk do të gjejë golin në vazhdim, atëherë do të ulet në stol. Nuk dua t'ia shtoj presionin, por kështu funksionon.

Kaq e vështirë është të gjesh një lojtar goli?

E vështirë, sepse ata të mirët, që janë produkt vendës, ikin jashtë. Shikoni Bakajn dhe Sukajn. Shënuan rregullish­t sezonin e kaluar dhe ikën. Por të gjithë jemi dakord se, me ata në fushë, jo vetëm derbi që mund të kish shkuar ndryshe, por edhe skuadrat do të kishin ritëm tjetër. Por, nuk është aq e lehtë t'i mbash lojtarët kur kanë oferta nga jashtë.

Ervin Bulku ka thënë se Tirana ka vuajtur shpesh edhe prej menaxhimit jo të mirë?

Nuk dua të merrem me emra konkretë. Natyrshëm që njerëzit, të cilët e duan Tiranën, presin të rikthehemi në majat e futbollit dhe të fitojmë trofe. Unë mendoj se jemi në rrugën e duhur, por e përsëris, duhet pak durim.

Sa durim, pasi u bënë shtatë vite që nuk fitoni një titull?

Kemi një problem këtu, sepse e duam progresin të menjëhersh­ëm. Kjo është e pamundur. Ose duhet të kesh shumë parà dhe të bësh një ekip që fiton menjëherë dhe, më pas, nuk dihet si i shkon halli, ose do ndërtosh një ekip me baza dhe të japë garanci për të ardhmen. Ne kemi zgjedhur rrugën e dytë dhe jemi të bindur se kemi bërë mirë. Të paktën po garantojmë të ardhmen. Por jo gjithçka ka

qenë në dorën tonë...

Në ç'kuptim nuk është gjithçka në dorën tuaj?

E kam fjalën për të papritura të ndryshme. Dakord, vitin e kaluar u rikonstruk­tua stadiumi dhe mundësitë ishin disi të limitura, por nuk ishte vetëm ky problemi. Në disa raste na dilnin gjëra që nuk i kishim parashikua­r. Në një moment të sezonit të kaluar u bëmë gati të shpenzonim një shumë të konsiderue­shme për një sulmues, por papritur na u desh të shlyenim borxhe që nuk i dinim që ekzistonin, sepse ishin të trashëguar­a... Pra, të rikonstruk­tosh stadiumin, të shlyesh borxhe, të ndërtosh ekip për titull, por të hedhësh edhe bazat e së ardhmes, nuk është gjë që bëhet menjëherë. Kjo zor se ndodh edhe në vendet më të zhvilluara të Europës e jo më në Shqipëri. Ndaj jam i mendimit që kemi bërë gjithçka brenda mundësive.

Ju dhe Halili keni qenë ndër më të kritikuari­t që Tirana nuk është aty ku presin tifozët...

Kritikat janë pjesë e punës sonë. Megjithatë, unë jam optimist për këtë skuadër. E them këtë sepse nuk shoh ndonjë diferencë tek ekipet e tjera. Më thoni sot kush është skuadra që ju ka mahnitur? Cili është ekipi që po shkëlqen në fushë...?! Diferencën e ka bërë vetëm Skënderbeu, që ka lojtarë shumë cilësorë, por mbi të gjitha ka ruajtur boshtin. Madje, edhe korçarët nuk është se kanë bindur në lojë. Ndërkohë edhe ne këtë po bëjmë: kemi ruajtur boshtin dhe po përpiqemi ta pasurojmë atë edhe me elementë të rinj e premtues.

Flisni shpesh për të ardhmen, por çfarë po ndryshon realisht me të rinjtë, sepse nuk po shohim ndonjë ndryshim rrënjësor? Ndryshimi është i dukshëm, por jo rrënjësor. Nuk mund të jetë i tillë, sepse Tiranës i duhen edhe rezultate. Por ndryshime ka pasur. Deri para dy vitesh, të gjithë mbanin mend vetëm Kërçikun si produkt i akademive... Ndërsa sot kemi edhe Deliun, Peçin, Halilin dhe ndonjë tjetër që ju siguroj se janë lojtarë me të ardhme.

Sa larg mund të shkojë Tirana këtë sezon?

E sigurt është që do të luftojmë maksimalis­ht me të gjitha mundësitë dhe, duke qenë se diferencat nuk janë të mëdha mes pretendent­ëve, do të përpiqemi të surprizojm­ë ata që ndoshta dyshojnë më shumë se sa duhet. Nuk mund të them me saktësi se deri ku do të mbërrijmë, por jam optimist.

Pse mendoni se diferencat nuk janë aq të mëdha?

Sepse shoh një kampionat që nuk është në nivelin e vitit të kaluar. Në kuptimin që skuadrat nuk janë aq të forta dhe aq të konsolidua­ra sa një vit më parë. E kam fjalën për Skënderbeu­n, për Partizanin, por edhe për Kukësin. Ndryshimet e mëdha kanë prodhuar edhe një lloj frenimi dhe kufizimi në cilësinë e lojës. Megjithatë, kanë kaluar vetëm katër javë. Do të ishte gabim që të dilnim në konkluzion­e të prera.

Pse jeni tërhequr kaq shumë nga skena?

Që pas dënimit nuk kam dashur të përfshihem shumë dhe të ekspozohem as mediatikis­ht. Sigurisht, ishte një gjë e shëmtuar ajo që ndodhi dhe kam menduar gjithnjë se është më mirë kështu. Por edhe ndonjë ndryshim i madh nuk është, sepse në fund të fundit edhe si lojtar nuk kam pasur ndonjë qejf të madh të shfaqem para mediave... (qesh).

 ??  ?? Devi Muka dhe Shkëlqim Muça
Devi Muka dhe Shkëlqim Muça

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania