Panorama Sport (Albania)

Kryesueset në perfeksion, ka krizë në Grupin B

-

Kampionati i kryesuesev­e. Kamza dhe Lushnja nuk e kishin menduar as në llogaritje­t më optimiste se, pas pesë javëve të para, do të kishin pikët e plota me pesë fitore në po kaq ndeshje dhe do të udhëhiqnin të vetme renditjet e grupeve. Ndryshe nga sezonet e fundit, është një start në perfeksion për dy kryesueset që tregojnë forcën dhe shpalosin hapur synimet për të siguruar biletën që i dërgon në Superiore. Kamza e Bledar Devollit funksionon mirë dhe nuk njeh rivalë. Përballë Mamurrasit në transfertë, ekipi siguron fitoren e radhës. Është dita e sulmuesit Ermir Rezi që realizon dopietë. Vendësit që janë krijuar si ekip në kushte emergjente, e kanë shumë të vështirë të rezistojnë. Nga kjo humbje, rrezikohet edhe stoli i Rezart Mahos. Kastrioti dhe Besëlidhja kujtojnë edhe një herë "luftën" e vjetshme. Por, tani në pozita pak të ndryshme, pasi krutanët nuk janë më ekipi pretendent si sezonin e kaluar. Një përballje e fortë dhe e luftuar deri në sekondën e fundit. Nga ato takime ku përplasjet dhe loja e fortë marrin kohën më të madhe. Dhe këtë e tregon edhe rezultati. Sfida u vendos vetëm në sekondat e fundit pas një goditjeje dënimi të serbit të skuadrës lezhjane, Kosta Bajiç. Madje, ky i fundit i dërgoi edhe një mesazh trajnerit Stavri Nica, i cilo nuk e kishte preferuar titullar, por e hodhi në fushë me fillimin e pjesës së dytë. Serbi tregoi se është i rëndësishë­m për skuadrën. Burreli pëson humbjen e parë këtë sezon. Matjanët janë thyer në Shijak nga Erzeni vendës. Sfida është zgjidhur që në start me një penallti të kthyer në gol nga Kalluci. Miqtë kanë kontestuar gjykimin. Tërbuni ka harruar të fitojë. Pukjanët ende nuk e njohin suksesin në këtë kampionat, edhe pse janë luajtur pesë ndeshje. Skuadra ka ngecur në fushën e vet përballë Shënkollit që, nga ana tjetër, po tregon se do t'i hapë probleme çdo skuadre. Besës i është dashur afrimi i Julian Ahmatajt në stol që të gjente 3-pikëshin e parë. Kavajasit kanë fituar 1-0 përballë Ilirisë me golin e sulmuesit Hasa. Ndërsa, tekniku Ahmataj në fund të takimit tha se kishte parë shumë lojtarë mbipeshë në skuadër. Në Grupin B, Lushnja përsërit sërish historinë e 4 takimeve të para. Lushnjarët vuajnë ndaj Shkumbinit, por në fund ia dalin falë dopietës së Cankës. Ndërsa, peqinasit kanë kontestuar fort gjykimin, aq sa janë dashur 6 minuta për ekzekutimi­n e 11metërshi­t nga ana e Lushnjës. Bylis e ka nisur në mënyrën më të keqe këtë sezon, ku në pesë takime ka arritur vetëm dy fitore. Ballshiotë­t kanë ngecur sërish në fushën e tyre duke mos shkuar më shumë se një barazim përballë Elbasanit. Bylisit i janë anuluar edhe dy gola, ndërsa presidenti Agron Kapllanaj ka akuzuar gjyqtarët e asaj sfide. Tomori po tregon një paraqitje shumë të mirë në këto pesë javë të para. Pavarësish­t se një ekip pa shumë pretendime, beratasit janë të 2-ët. Të shtunën ia dolën të siguronin një pikë në transfertë­n e Pogradecit. Apolonia po kalon gjithashtu një krizë, ku në 2 takimet që ka luajtur këtë sezon në fushën e vet, ende nuk ka arritur asnjë fitore. Sopoti dhe Dinamo ndanë nga një pikë në takimin e së premtes që hapi edhe javën e 5-të të kampionati­t. Besar Bozgo

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania