Panorama Sport (Albania)

Penalltia e Salihit, Bicaj: Ja çfarë i thashë portierit

"Isha i bindur që do ta godiste në qendër, prandaj insistova"

- JORGIS MEMO

Penalltia e dështuar "alla- Panenka" e Hamdi Salihit është parandier te Vllaznia. Portieri Jasmin Agoviç nuk qëndroi statik prej "fiksimit" që mund të kishte për goditjen e sulmuesit të Skënderbeu­t, por diçka të tillë ia sugjeruan shokët e skuadrës dhe pikërisht mbrojtësi lezhjan Ditmar Bicaj. Ky i fundit zbulon për "Panorama Sport" të gjithë dialogun me portierin në ato pak sekonda përpara se të goditej penalltia, e cila në fakt prodhoi shumë polemika për mënyrën se si u fitua nga sulmuesi shkodran. "Isha i bindur që Hamdiu do të godiste në qendër dhe insistova për t'i kërkuar Agoviçit që të mos lëvizte", ka thënë ndër të tjera Bicaj gjatë intervistë­s së djeshme për gazetën.

Ditmar, çfarë ndodhi te penalltia? Është e vërtetë që i keni sugjeruar portierit Agoviç të mos lëvizte?

Po, shumë e vërtetë. Duke qenë se njoh mirë edhe gjuhën serbe, në momentin e penalltisë i thashë Agoviçit që e ke në qendër, sepse kisha një bindje të madhe që aty do të godiste edhe Salihi.

Pse ju ishte krijuar kjo bindje?

Unë mbaja shumë mirë mend që Salihi vinte pas dy penalltive të humbura, të cilat i kishte goditur nga krahët e portës. Logjikisht mendova se do të bënte të sigurtën, duke goditur këtë herë në mes të portës. I thashë Agoviçit, që përpara se të gjuajë Salihi, ta provokojë me lëvizjet e tij sa majtas dhe djathtas, duke i lënë të kuptohej se do të hidhej nga njëri krah.

Çfarë ju tha portieri pas këtij sugjerimi?

Të them të drejtën, Jasmini hezitoi pak, pasi ndoshta kishte edhe ai ndonjë ide tjetër, duke mos e menduar variantin që i sugjerova.

Gjithsesi, bëri atë që i kërkuat ju...

Po, por i thashë që e marr unë përgjegjës­inë dhe aty sikur u çlirua. Ia përsërita shpesh: topin e ke në qendër, thjesht mos u hidh nga asnjë krah.

Pas kësaj që ndodhi, ju qerasi Agoviç? Kur mbaroi pjesa e parë, më falënderoi duke më thënë: 'Vetëm nga sugjerimi yt e kapa penalltinë. Nuk e njoh Salihin aq sa e njeh ti'.

Festuat sikur të kishit mposhtur Skënderbeu­n, kaq e rëndësishm­e ishte kjo pikë? Patjetër, treguam se jemi në rrugën e duhur. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë, duke ushtruar presing lart ndaj kundërshta­rit. Ndërsa në pjesën e dytë patëm një tërheqje dhe më shumë menduam për fazën mbrojtëse. Donim të godisnim në kundërsulm Skënderbeu­n, sepse e dinim që do të na sulmonte. Mendoj se jemi një grup i mirë lojtarësh dhe po punojmë me seriozitet. Gjithsesi, duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse këtë javë luajmë ndaj një ekipi simpatik si Luftëtari.

 ??  ??
 ??  ?? Lojtarët shkodranë, duke festuar me tifozët pas ndeshjes ndaj Skënderbeu­t
Lojtarët shkodranë, duke festuar me tifozët pas ndeshjes ndaj Skënderbeu­t
 ??  ?? Ditmar Bicaj (m) gjatë ndeshjes me Skënderbeu­n
Ditmar Bicaj (m) gjatë ndeshjes me Skënderbeu­n

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania