Panorama Sport (Albania)

Kukësi i pathyeshëm, Partizani ndihet i vjedhur

Ekubanit i mohohet gol i rregullt, “demat” dyshime për komplot

- ILIR CARA

Partizani nuk arrin që të fitojë një tjetër për ballje me rivalët direkt, pasi ajo e djeshmja me Kukësin u mbyll në barazim 00. Gjithsesi, në këtë rezultat ka ndikim edhe gjykimi, i cili në minutën e katër i anuloi një gol të rregullt Partizanit, por pati edhe të tjera momente të dyshimta, ku të dy ekipet pretenduan për penallti të padhëna. Barazimi ka kënaqur Kukësin, i cili mbetet skuadra e vetme që nuk njeh humbjen në 14 javë kampionat, si dhe ruan kreun në të njëjtën kuotë pikësh me Skënderbeu­n. Partizani ruan pozitat me kryesueset, por të kuqtë e kanë me gjykimin, që, sipas tyre, ndikoi në rezultatin e djeshëm ndaj Kukësit. Familja e kuqe është ndier e vjedhur në fund të ndeshjes nga "xhaketat e zeza", të cilët i mohuan një gol të rregullt, por kanë pretendime për dy penallti të padhëna, si dhe për mosdhënien e një kartoni të kuq për mbrojtësin Alla të Kukësit në minutën e 68- të. Përpos gjykimit, te Partizani vijon sindroma e gabimeve në finalizim, ndërsa Kukësi e mbajti sërish 0 kolonën e humbjeve.

Pjesa e parë - Partizani e nis vrullshëm ndeshjen. Që në minutën e katërt, të kuqtë e gjejnë golin, por sinjalizim­i i gabuar i anësorit Rexha bëri që gjyqtari Jemini të anulonte golin e Ekubanit. Edhe pas këtij rasti, vijon iniciativa e të kuqve, të cilët krijojnë disa raste shënimi, por finalizimi mbetet pika më e dobët e skuadrës së Starovës. Rasti i parë për Kukësin vjen me Pejiçin, i cili shpërdoron në dy raste në minutën e 21-të. Në mundësinë e dytë vendimtare ishte ndërhyrja e mbrojtësit Atanda, që largon rrezikun, duke ditur që edhe portieri Hoxha kishte dalë përpara. Në minutën e 23-të, Bardhi shënjestro­n portën kuksiane, por portieri Koliçi reagon bukur. Partizani vijon dominimin jo vetëm në qarkullimi­n e topit, por edhe në rastet para portës. Rasti më konkret ishte në minutën e 40-të, kur Bardhi, Trashi dhe Ekuban nuk arrijnë të finalizojn­ë. Në minutat e fundit gjuhen edhe dy goditje standarde, nga një për ekip, por 45 minutat e rregullta dhe dy shtesë mbyllen në shifrat 0-0.

Pjesa e dytë - Të dy trajnerët u besojnë lojtarëve që nisin takimin dhe Kukësi mundohet të marrë i pari iniciativë­n, ku Pejiç duket më i lëvizshëm. Në minutën e 48-të, Partizani pretendon për penallti pas një dyluftimi mes Imamit dhe Trashit,

por gjyqtari Jemini vijon lojën. Pas gjuajtjes me kokë të Shametit, Partizani krijon disa mundësi, por në minutën e 52të Batha, Atanda dhe të tjerët nuk arrijnë të përfitojnë nga rrëmuja në zonë. Një minutë më vonë, Ekuban dhuron spektakël, por shpërdoron. Në të 56-

ën, Emini i lë vendin Rangel. Në të 58-ën, Bardhi nuk arrin të finalizojë sërish. Në minutën e 59-të, Azubel hyn në fushë në vend të Bardhit. Në minutën e 62-të, Pejiç rrëzohet në zonë pas shtyrjes së Kalarit, por gjyqtari i mohon penalltinë Kukësit duke vijuar me metodën e kompensimi­t

dhe vijon lojën. Një minutë më pas, Pejiç dhe Rangel shpërdoroj­në një mundësi shënimi dhe menjëherë vjen kundërpërg­jigja e Partizanit me Ekuban që shpërdoron. Në minutën e 66-të, Starova fut Filin në vend të Ibrahimit duke e bërë më sulmues skuadrën. Pas katër minutash, trajneri Gjoka kundërpërg­jigjet me Grecën në vend të Musollit. Nga minuta e 76-të deri në të 79-ën, të kuqtë kanë mundësi për të shënuar, por fillimisht Batha dhe Ekuban nuk ia dalin, në të 78-ën sulmuesi italo-ganez gabon rëndë, ku shumë pranë portës e dërgon topin jashtë. Në të 79-ën, Azubel pretendon për penallti, por Jemini është i vendosur për të mos dhënë vendime të tilla në këtë takim. Në minutën e 80-të, Karioka ia lë vendin Lushtakut, por asgjë nuk ndryshon në fushë dhe i gjithë takimi mbyllet në shifrat 0-0.

 ?? Fotot: F. Hazizllari ?? Çast nga ndeshja e djeshme
Fotot: F. Hazizllari Çast nga ndeshja e djeshme

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania