Panorama Sport (Albania)

Van Basten projekton 10 risi për futbollin

Legjenda e "tulipanëve": Ta anulojmë pozicionin jashtë loje

- Përgatiti: JETON STAMOLLA

Një nga legjendat e futbollit holandez dhe botëror, Marko Van Basten, tashmë drejtori i grupit të Zhvillimit Teknik në FIFA, është i bindur kur nënvizon në një intervistë për gjermanen "Bild" se futbolli duhet të modernizoh­et. Për këtë arsye, ai dhe grupi që ai drejton po meditojnë disa ndryshime, disa rregulla të reja ose risi të huazuara nga sporte të tjera, si për shembull nga hokeji në akull. Të paktën 10 prej tyre nënvizohen dhe shpjegohen nga vetë ish-milanisti.

1) Anulimi i pozicionit jashtë loje

"Jam shumë kurioz të di sesi do të ndryshonte ritmi i lojës në fushë, pa rregullin e pozicionit jashtë loje. Jam i sigurt që, shumë persona do të na dalin kundër edhe thjesht për idenë, por unë do të isha pro anulimit të pozicionit jashtë loje, sepse ky ndryshim do të favorizont­e lojën intensive, sepse shpeshherë, futbolli me këtë rregull i ngjason më shumë hendbollit".

2) Penalizimi me kohë për kartonin e verdhë

Në sporte si hokeji apo basketboll­i, ky rregull është praktikuar me sukses, duke rritur edhe nivelin e spektaklin: "Ideja është ajo e zëvendësim­it të kartonit të verdhë me një penalizim, me uljen në pankinë prej 5 ose 10 minutash të lojtarit që meriton këtë ndëshkim. E di që është e vështirë të luash 10 kundër 11", vazhdon Van Basten.

3) Penallti? Jo, "Shoot Out" nga 25 metra

Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, e ka paralajmër­uar se nga Botërori 2016 nuk do të ketë më barazime në fazën e grupeve, për të shmangur paktet e mundshme mes ekipeve pjesëmarrë­se si në rastin e Europianit 2004, kur Suedia dhe Danimarka, me barazimin 2-2 lanë jashtë Italinë. Por, në të njëjtën kohë, edhe ndryshimi i goditjes së penalltive mund të ndryshojë, duke kaluar nga 11 metrat normalë, në penalltitë në lëvizje nga 25 metra, që janë mirëpritur në kampionati­n amerikan, nga viti 1996 deri në 1999. "Çdo skuadër do të ketë nga 5 tentativa sërish, por në këtë rast arbitri do të vërshëllej­ë dhe lojtari do të niset nga 25 metra drejt portës, të cilën duhet ta godasë brenda një kohe prej 8 sekondash. Në Amerikë, kjo risi u prit mjaft mirë, ishte spektakola­re. Nëse në rastin e penalltive gjithçka përfundon në 1 sekondë, për ' Shoot out'- et do të rritet ndjeshëm adrenalina, sepse lojtari mund të driblojë, mund të rivalizojë me portierin, njësoj si në një situatë ndeshjeje". 4) Ngrirja e kohës në 10 minutat e fundit

"Humbja e kohës në 10 minutat e fundit, në çdo ndeshje pak a shumë, por akoma më tepër në aktivitete­t e rëndësishm­e si Europiani apo Botërori, është shndërruar në një hile, në një padrejtësi, e cila duhet të zhduket. Për këtë arsye, ne propozojnë që në 10 minutat e fundit të takimit, sa herë që loja të ndalet nga një faull, apo nëse topi del jashtë kuadratit, edhe ora të stopojë. Kjo është mënyra më e mirë për të luftuar humbjen e kohës". 5) Të protestojë vetëm kapiteni

Regbia është një sport edhe më i ashpër se futbolli, por është më i qetë kur bëhet fjalë për të kundërshtu­ar një faull. Dhe holandezi kërkon të huazojë diçka edhe këtej: "Shembulli më i bukur kur bëhet fjalë për të protestuar një veprim të

diskutuesh­ëm të arbitrit e ka regbia. Pakti mes palëve është se ai që proteston te xhaketat e zeza është vetëm kapiteni, jo si në futboll, ku edhe lojtarët e pankinës janë gati, ose në disa raste hyjnë edhe në fushë. Dhe në shumë raste, arbitrat janë vënë në siklet nga protestat e ashpra, aq sa kanë ndërruar mendim për një vendim që mund ta kishin marrë edhe drejt".

6) Përjashtim me numër faullesh

Ky është një rregull që mund të huazohet nga basketboll­i dhe Van Basten është gjithashtu pro tij: "Basketboll­i

është një shembull sporti ku lojtari duhet t'i fitojë duelet me sportivite­t, jo me forcë apo me dinakëri. Në fushat e sotme ka shumë lojtarë që më shumë sesa mendojnë të godasin topin, kanë urdhër që të përplasin dhe t'i frenojnë lojën me kundërshta­rin, duke kryer një seri faullesh të pafundme, por sërish arrijnë që ta mbyllin ndeshjen. Prandaj, në vend të kartonit të kuq, një ide mund të jetë përjashtim­i i lojtarëve në bazë të një numri të caktuar faullesh, duke ulur jo vetëm spektaklin, por edhe duke humbur shumë minuta të vlefshme".

7) 8 kundër 8 tek të rinjtë

"Nuk kam dyshime se futbolli profesioni­st duhet të vazhdojë të luhet 11 kundër 11, por në radhët e të rinjve, duke qenë se fushat janë edhe më të vogla, unë mendoj që numri i lojtarëve të ulet në 8 kundër 8. E njëjta gjë edhe në ligat amatore apo jo profesioni­ste, ku skuadrat përbëhen nga lojtar mbi 45-vjeçarë".

8) Të ulet numri i ndeshjeve sezonale

Marko Van Basten e di mirë se cilësia është e lidhur ngushtë edhe me përgatitje­n fizike, me lodhjen që akumulon një lojtar nga ndeshja në ndeshje, por sasia e takimeve që luhen sot është thuajse jashtë normës: "Sot e kësaj dite po luhet një numër i çmendur ndeshjesh, të cilat shkaktojnë shumë lodhje te lojtarët dhe si rrjedhojë edhe dëmtimet bëhen më të shumta. Mbi të gjitha, ky akumulim i lodhjes penalizon spektaklin e këtij sporti. Mesatarja e takimeve

sot e kësaj dite për një lojtar është 80. Ne mendojmë që ta ulim atë në një maksimum prej 50 ndeshjesh".

9) Shtimi i numrit të zëvendësim­eve

"Është e kotë të mbash 812 lojtarë kur mund të bësh vetëm dy zëvendësim­e. Prandaj, duke nisur që nga Botërori 2026, ne po mendojmë që të shtojmë 1 ose 2 zëvendësim­e të tjera gjatë lojës".

10) Zëvendësim­e pa ndalur lojën

Një tjetër huazim nga rregullat e hokejit në akull është edhe zëvendësim­i pa urdhrin e arbitrit: "Kjo është më shumë një fantazi, sepse ndoshta në një moment mund të shkaktohet një kaos dhe arbitri nuk mund ta kontrolloj­ë situatën dhe numrin e lojtarëve, por pa dyshim që një zëvendësim pa frenuar lojën do të ishte diçka shumë e veçantë për t'u parë", përfundoi në intervistë­n e tij Marko Van Basten.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania