Panorama Sport (Albania)

Radas: Shënoj rrallë, por kujdesem të jenë kryevepra

-

Marko Radas ka vulosur takimin e djeshëm që Skënderbeu e fitoi përballë Luftëtarit me rezultatin 3-0. Mbrojtësi i korçarëve ka ekzekutuar mrekullish­t një goditje dënimi nga më shumë se 35 metra. Në deklaratën e dhënë për "Panorama Sport" në përfundim të takimit, Radas ka bërë edhe një batutë për të shpjeguar golin që ka shënuar. "Për vetë pozicionin që kam në fushë shënoj rrallë, por kur shënoj kujdesem që të jetë gol kryevepër (qesh). Ishte një gol i bukur dhe më vjen mirë që arrita të shënoj. Këtë sfidë ne e kishim marrë me përqendrim­in dhe motivimin e duhur, ishim përgatitur për këtë takim dhe kishim dëshirën që në fillim që të bënim mirë në këtë ndeshje. Ishim agresivë në fushë dhe kjo gjë u duk që në momentet e para të takimit. Kishim përballë një ekip mjaft të mirë dhe për këtë jam i kënaqur që arritëm ta kalonim pa probleme. Arritëm të shënonim 3 gola në një ndeshje mjaft pozitive për ne dhe mendoj se kjo do të jetë një stimul akoma edhe më i madh", ka deklaruar Radas. Për një gol të tillë dhe aq më tepër që mbrojtësi shënon rrallë, nuk mund të mos kishte një dedikim, ndërkohë që ka edhe një opinion për derbin. "Golin ia dedikoj familjes sime fillimisht, pasi janë larg dhe më merr malli, por edhe shokëve të ekipit. Derbi? Do të rri në shtëpi, para televizori­t dhe do ta shoh me qetësi këtë takim. Shpresoj që të jetë një lojë e bukur dhe të fitojë më i miri. Nuk është se na intereson shumë, pasi ne fitoren tonë e morëm për këtë javë", ka deklaruar Radas.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania