Panorama Sport (Albania)

Vora nis “luftën”, mund Gramshin me një gol nga... këndi

- Armando Subashi

Vora mund Gramshin në shtëpi dhe vijon luftën e saj për vendin e dytë në Grupin A. Të besuarit e trajnerit Topi, të udhëhequr nga bomberi Shkëmbi në sulm, arritën të dilnin me tri pikë nga kjo përballje. Një sfidë ku vorakët fituan lehtësisht përballë një kundërshta­ri që nuk ishte në lartësinë e duhur. Me 3-pikëshin e djeshëm, Vora ngjitet në kuotën e 27 pikëve, katër më pak se Vllaznia B që renditet e dyta. Synimi i ekipit të drejtuar nga Topi është pikërisht vendi i dytë që e dërgon në "play-out". Nga ana tjetër, Gramshi mbetet në vendet e fundit dhe nuk lufton për asgjë.

Ndeshja - Pjesa e parë nis e vakët nga të dyja ekipet dhe pa intensitet në lojë. Për të zhbllokuar shifrat e këtij takimi mendoi i zakonshmi Shkëmbi që dërgoi topin në rrjetë në fundin e pjesës së parë. Miqtë u kujdesën më shumë për mbrojtjen, por nuk ia arritën qëllimit që të mbanin të paprekur portën e tyre. Gjatë fraksionit të dytë të lojës, vorakët shtuan ritmin në kërkim të golit të sigurisë, ndërsa miqtë provuan me anë të kundërsulm­it, por pa rezultat. Ceka në të 66-ën realizoi një supergol direkt nga goditja e këndit duke i dhënë qetësi skuadrës së Vorës. Shifrat ndryshojnë përsëri. Në minutën e 78të është sërish Shkëmbi që finalizon saktë dhe vulos fitoren e Vorës 3-0. Në minutën e 81-të miqtë realizojnë golin e nderit me anë të Zogut. Në minutat e mbetura nuk ka më histori dhe Vora ia del të fitojë ndeshjen e radhës. Javën e ardhshme, ekipin e drejtuar nga Eldiano Topi e pret një transfertë shumë e vështirë në Rrogozhinë ndaj Egnatias vendëse. Që prej krijimit si klub rreth 5 vite më parë, Vora ende nuk e ka shijuar Kategorinë e Parë. Ky është viti që do të tentohet vendi i dytë dhe ngjitja nëpërmjet "play-out"-it.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania