Panorama Sport (Albania)

Smajlaj bëhet milioner, nderohen kampionët e së kaluarës

-

Përmes një ceremonie të zhvilluar dje në kryeqytet, Federata Shqiptare e Atletikës ka vlerësuar dy atletët e saj më të mirë të vitit. Izmir Smajlajt dhe Luiza Gegës iu dorëzuan pllakatet e "Atletit më të mirë të vitit 2016" për sukseset e tyre të mëdha sportive. Ndërsa një vit më parë Gega do të kurorëzohe­j në Amsterdam nënkampion­e e Europës në 3000 metra me pengesa, Smajlaj u shpall kampion i Europës në sallat e mbyllura pak kohë më parë në kërcimin së gjati në Beograd. Përballë tyre ishin ulur në sallë edhe disa prej figurave të "Mbretëresh­ës së Sporteve", të cilët janë nderuar me titullin "Nderi i Atletikës Shqiptare" për kontributi­n e çmuar të dhënë ndër vite dhe rritjen e cilësisë sportive. Në fjalën e tij përshëndet­ëse, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, ka shprehur mirënjohje­n për rezultatin e arritur nga Smajlaj dhe Gega, njëherazi edhe për dy trajnerët Vildan Tufi dhe Taulant Stërmasi. "Jemi krenarë për sportistët në vite, të cilët kanë vënë gurë në kolonat e kësaj federate, gjithashtu edhe për dy kampionët tanë të rinj që plotësuan këtë ansambël. Sot, Federata Shqiptare e Atletikës ka luksin e madh që të ketë në krahë dy kampionë të mëdhenj si 'Mbretëresh­ën' Luiza Gega, e cila për herë të parë solli medalje për atletikën shqiptare dhe Izmir Smajlajn, i cili plotësoi këtë kurorë me diamante duke sjellë medaljen e artë qoftë nga Ballkaniad­a dhe nga kampionati europian", u shpreh presidenti Ruli. Një përshëndet­je të rastit ka bërë edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, i cili mori angazhimin që do të jetë pranë këtyre dy yjeve të atletikës shqiptare, por edhe atletëve të perspektiv­ës. Gjithashtu një përshëndet­je rezervoi edhe sekretari i përgjithsh­ëm i federatës, Nikolin Dionis. Më pas, ceremonia vijoi me dorëzimin e pllakateve "Nderi i Atletikës Shqiptare" për Sugar Ahmetin (pas vdekjes), Elisabeta Morinën, Dashamir Sherjan, Franc Curanin, Mustafa Tukseferin dhe Zhuje Bajko Breçani. Ndërkohë, atleti shkodran Smajlaj mori edhe çekun prej 4 milionë lekësh të rinj si premio nga vendimi i Këshillit të Ministrave për medaljen e artë të marrë në Beograd. Olgert Serani

 ??  ?? FOTO: F.Hazizllari
FOTO: F.Hazizllari

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania