Panorama Sport (Albania)

Lamtumira e Korabit të Peshkopisë...

- Nga BESNIK DIZDARI

Të shtunën, mbas humbjes së tij në "Elbasan Arena" 0-4 me Luftëtarin dhe mbas fitores 2-0 të Flamurtari­t ndaj Vllaznisë, plot 6 javë para mbarimit, matematiki­sht skuadra e Korabit të Peshkopisë ka rënë nga Kategoria. Pra, ka rënë në Kategorinë e Dytë, në atë që shpërdorue­sit e historisë së emërtimeve të Kampionate­ve Kombëtare të Shqipërisë "me banim" në Federatën Shqiptare të Futbollit, e quajnë kundërhist­orikisht "Kategori e Parë".

Them se kjo është ngjarja e Javës 30 të Kampionati­t Kombëtar të Shqipërisë 2016-2017. Duket si e pabesueshm­e përballë ngjarjeve që prodhuan shifrën rekord të 23 golave të shënuar, apo dhe të fitoreve "europiane" (për ironi të fatit) 5-1 të Skënderbeu­t në Laç, 4-1 të KF Kukësit me SK Tiranën dhe 5-1 të Partizanit me Teutën. Mirëpo, sesi po më shkon më për shtat t'i injorojë këto tri fitore të thella të kryesuesve përballë ikjes para kohe të Korabit të Peshkopisë prej Kampionati­t Kombëtar të Shqipërisë. Ai, tek i cili, si gazetar i vjetër, kurrë nuk kam për të pranuar emërtimin pompoz "Superligë", kur me përjashtim të shpërdorim­it të kësaj "super" prej telekronis­tëve shqiptarë, ky kampionat nuk ka pra asgjë "super".

Mirëpo, papritmas shoh se çuditërish­t paska një "super".

Kjo "super" është "dënimi" para kohe i Korabit të Peshkopisë, i cili po ikën duke vendosur një rekord europian e ndoshta botëror: ikën pa zhvilluar asnjë ndeshje në fushën e qytetit të tij, para spektatorë­ve të tij, në stadiumin e tij, pranë shpirtit sportiv të tij, për aq sa ai është në këtë zonë, që futbolli e flaku tej prej "gjeografis­ë" së tij, duke mos e lënë të shkelë në tokën e tij. Kjo mosluajtje e Korabit të Peshkopisë në qytetin e tij përbën pra "superngjar­jen" e kampionati­t të Shqipërisë. E dyta, në një kah tjetër, do të kishte për të qenë fitimi i titullit kampion për herë të parë të një fqinji të tij: KF Kukësit, i cili edhe ai nga ana e tij, mund të na rezervojë pra një "super" të dytë a të tretë, duke u bërë Kampion i Shqipërisë pa pasur asnjë (ndoshta vetëm 1) lojtar të futbollit të tokës së tij.

Kësisoj, them se "kriza" e kampionati­t të Shqipërisë përforcohe­t tejet edhe me "superdukur­inë" e Korabit të Peshkopisë, i cili nuk luajti asnjë ndeshje në qytetin e tij. Kjo është një ngjarje, që më shumë se vetë futbollit, të duket se i takon sociologji­së, jetës civile e qytetare të futbollit shqiptar, në të vërtetë "antijetës" sportive. Mosluajtja e njërës prej 10 skuadrave në fushën e saj për gjithë kampionati­n, duam apo s'duam, vetvetiu e falsifikon atë. Kjo ngaqë kështu nuk u respektua kahu i fushës në 18 javë ndeshje, çka e çlegjitimo­n Kampionati­n e Shqipërisë 2016-2017, duke i damkosur atij një "njollë" që sapo hyri në histori me gjithë trysninë e pamëshirsh­me të së errtës së saj. Korabi i Peshkopisë ka qenë edhe një herë tjetër të vetme në Kategorinë e Parë (atë që sot ia denatyruan emrin tradiciona­l e historik, duke e quajtur, përveç të tjerave joshqip, "Superligë"). Kjo ka ndodhur 55 vjet më parë, më 1962-'63. Është renditur po i fundit, i 12-ti. Mirëpo, i ka luajtur të gjitha ndeshjet simbas kalendarit në fushën e tij, në Peshkopi, para njerëzve të tij. Dhe ndodhi që mbas 55 vjetëve ia hoqën të drejtën për ta bërë një gjë të tillë.

Ajo ka qenë një skuadër vërtet e çuditshme, duke pasur shpirtin e vet dibran, sidomos te një figurë e madhe e sportit në Shqipëri: i pashlyeshm­i Taxhedin Shehu, përveçse futbollist - një sportist universal - krenari e sportit dibran, një xhentëlmen i vërtetë. Pranë të cilit qëndronte edhe një emër i shquar "i rrëmbyer" prej futbollit të Durrësit e Kavajës: Nazmi Maxhuni, po aq i pashlyeshë­m. E vërteta është se ai ka qenë një Korab disi edhe i pafat, një skuadër pra edhe me të tjerë, bie fjala, të mirënjohur­it Piku e Rexha po të Kavajës. Po midis tyre qenë dhe emra të tjerë autoktonë si A.Shehu, Muça, Rama, Lala, Manjani... Do të mbahen mend barazimet 0-0 në Vlorë e në Peshkopi me Flamurtari­n; apo 1-1 në Lushnjë. Mbi të gjithë 1-1 me 17 nëntorin e asokohe e 2-2 me Vllazninë. Vetëm kaq! Mirëpo, ai ishte një Korab i cili luajti në fushën e vet, para spektatorë­ve të vet, duke i dhënë një nxitje të bukur futbollit të qytetit të tij.

Tash, mbas 55 vjetëve, nuk e di se çfarë nxitje i është dhënë futbollit të Peshkopisë të vitit 2017, teksa një organizim i papranuesh­ëm i Kampionati­t të Shqipërisë, nuk e lejoi Korabin e saj të luante në qytetin e vet e para spektatorë­ve të vet. Sot, Korabi i ka lënë parakohe lamtumirën Kampionati­t të Shqipërisë, madje edhe nëse i fiton 6 ndeshjet e fundit e merr 18 pikë! Flet vetë kompozicio­ni i rreptë i tabelës së renditjes. Me sa duket, Kampionati mbetet "i bukur" edha pa rolin e tij të dëshiruar. "Bukuria" qëndron te ditët e errëta të një Flamurtari të Vlorës, të një Teute të Durrësit, të një Sportklub Tiranë, të cilat kthejnë shikimin kah Korabi dhe teksa e shohin duke u larguar para kohe, për çast pyesin veten: "Mos po ikim edhe ne"?...

E nëse ikja e tyre e mundshme është vërtet një "bukuri" me të cilën duan të krenohen shërbestar­ët e Federatës Shqiptare të Futbollit - autore kjo e kampionati­t me vetëm 10 skuadra, që hap mbas hapi po përjashton prej tij qytetet tradiciona­le, atëherë Shqipërisë së futbollit do t'i duhet të gjejë një kuptim tjetër të "bukurisë"...

Tiranë, mbrëmje e 23 prillit 2017

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania