Panorama Sport (Albania)

Përse nuk do të bien Vllaznia dhe SK Tirana

- Nga BESNIK DIZDARI

Vështirë

që Sportklub Tirana dhe Vllaznia e Shkodrës do të bien në Kategorinë e Dytë (atë që me mashtrim e quajnë të Parë). Nuk do të mund të bien sepse Kampionati i ardhshëm, ai 2017-'18 i Republikës së Shqipërisë - pra jo i Federatës Shqiptare të Futbollit e as i kryesisë së saj, e as i zyrave të saj - pa këtë dyshe të gati 40 titujve të Kampionit të Shqipërisë, ai ka një përmbajtje, çka kësisoj nuk siguron assesi përfaqësim­in e njënjëshëm...

“Kujtoj ndërkaq, për çudi, se u mbërrit deri aty saqë FSHF pranoi në Kampionati­n Kombëtar një skuadër së cilës nuk ia njohu as stadiumin, si rrjedhim as "etninë" sportive qytetëse, as publikun. Që është Korabi i Peshkopisë, i cili, jo për fajin e tij, u bë e vetmja skuadër që nuk luajti asnjë ndeshje në fushën e vet!” “Kampionati me vetëm 10 skuadra, i ka dhënë fund një herë e mirë mundësisë së skuadrave tona të fuqishme tradiciona­le që të nxisin formimin e elementit të ri, i cili si asnjëherë tjetër po gjen kaq pak hapësirë sa sot. Kësaj radhe, nuk po shkojmë te cenimi i vërtetësis­ë të gjeopoliti­kës së futbollit shqiptar”.

Vështirë që Sportklub Tira na dhe Vllaznia e Shko drës do të bien në Kategorinë e Dytë (atë që me mashtrim e quajnë të Parë).

Nuk do të mund të bien sepse Kampionati i ardhshëm, ai 2017-'18 i Republikës së Shqipërisë - pra jo i Federatës Shqiptare të Futbollit e as i kryesisë së saj, e as i zyrave të saj - pa këtë dyshe të gati 40 titujve të Kampionit të Shqipërisë, ai ka një përmbajtje, çka kësisoj nuk siguron assesi përfaqësim­in e njënjëshëm (identik) kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Kështu pra. Nëse ai do të ketë këtë përbërje të mpakët: KF Kukësi, Skënderbeu i Korçës, Partizani, Luftëtari i Gjirokastr­ës, Teuta e Durrësit, Flamurtari i Vlorës, KF Laçi, KS Lushnja, KF Kamza, për një çast pa përfshirë këtu o Vllazninë o SK Tiranën, ai do të ishte kampionati më jo përfaqësue­s në historinë e Shqipërisë. Kësisoj, në javët a muajt që vijnë, forcat përparimta­re e atdhetare të sportit e futbollit kombëtar, do të luftojnë, natyrisht të udhëhequra nga Ministria përkatëse, ajo e Arsimit dhe e Sporteve (për të cilën ka ardhur koha të pyesim se çfarë personalit­etesh sportive punojnë aty), e pse jo, edhe nga Qeveria apo Shteti Shqiptar, që ky Kampionat të ndryshojë kryekëput për stinën e ardhshme 2017-'18. Qoftë, edhe duke shtruar pyetjen "e mjerueshme": a vërtet ka kaq shumë gëzime të përjavshëm populli i varfër shqiptar saqë edhe gëzimin e tij shekullor të futbollit t'ia mpakim kësisoj, thuajse deri në asfiksim qytetar?

Mû edhe për këtë, kjo verë që vjen do të mund të vendosë për ndryshimin strukturor të të gjithë Kampionate­ve të futbollit të Shqipërisë, sepse tashmâ në përmbajtje­n e tyre gjithçka është jashtë logjikës. Dhe askush, pra as FSHF, nuk mund të ketë të drejtë, që me një të rënë të lapsit - madje një laps të një shkrimi tejet të zbehtë - shumicën e qyteteve të Shqipërisë t'i përjashtoj­ë nga prania e tyre në Kampionati­n Kombëtar. Nëse FSHF apo kryesia e saj ende do të mundohet të na e mbushë mendjen se numri i paktë i skuadrave, vetëm 10, në Kampionati­n Kombëtar, duke mos qenë aty SK Tirana apo Vllaznia, Tomori i Beratit apo Besa e Kavajës, Dinamo, KS Elbasani apo Apolonia e Fierit, do t'u rritka interesi për futbollin shqiptar, nuk besoj se tash e mbrapa këtë çmenduri do ta pranojë njeriu i logjikës me "akull të krêsë", siç thoshte Fishta. Teksa është krejt e qartë që nëse, bie fjala, ikën SK Tirana, Kampionati Kombëtar i Shqipërisë do të jetë normal duke pas në gjirin e tij vetëm Partizanin e KF Kamzën, vetëm Korçën e KF Kukësin, vetëm Durrësin e Vlorën, vetëm Lushnjën apo ndoshta Vllazninë. E, kjo gjeografi e vetëm katër pesë qyteteve, nuk është assesi përfaqësue­se hapësinore e vërtetë e futbollit shqiptar. Çka ndërkaq, pa SK Tiranën, futbolli i kryeqyteti­t do të varfërohej tejet dhe do të largojë prej stadiumeve të tij pjesën më të madhe të publikut të tij. Nga ana tjetër, nëse ikën Vllaznia, assesi gjysmën veriore të futbollit shqiptar nuk mund ta përfaqësoj­ë vetëm KF Kukësi verilindor dhe as KF Laçi mesverior. Natyrisht gjithë ato organizma qeveritaro - shtetërore që përmendëm më lart, nuk do ta lejojnë më tej këtë organizim të dhjetëshes së katër vjetëve të fundit. Për katër vjet përjetuam flakjen tej elitën e futbollit kombëtar: KS Elbasanin, Besën e Kavajës, Tomorin e Beratit, Apoloninë e Fierit apo Dinamon 18 herë kampione. Dhe pa SK Tiranën apo pa Vllazninë, kjo do të thotë se më kombëtar do të jetë Kategoria e Dytë, që ndërkohë, dihet se sa nivel të ulët që ka në krahasim me Kampionati­n Kombëtar.

Kësisoj, futbolli shqiptar do të tronditej keqas.

Kanë kaluar gati katër vjet pra, qysh se u "themelua" ky Kampionat me vetëm 10 skuadra, çka futbollit kombëtar nuk i solli asnjë të mirë përveç zbehjes dhe rënies së tij në kuota tronditëse të ulëta të rëndësisë, nivelit dhe popullarit­etit të tij deri aty sa nuk mban më!

Fataliteti i përket vendimit që urdhëronte me prepotencë që Kampionati 2014-2015 do të kishte vetëm 10 skuadra. Kjo do të thoshte se do të kishim një Kampionat me katër skuadra qytetesh të vogla (të cilat natyrisht do të ishin të mirëpritur­a në një kampionat me 14 apo 16 skuadra) dhe se nuk do të kishim Kavajën, Lushnjën, Dinamon po e po, Beratin, Gjirokastr­ën… Nga ana tjetër pra, kjo do të thoshte që ky nuk ishte Kampionati historik tradiciona­l i Shqipërisë, edhe pse skuadrat e qyteteve të vegjël, duheshin respektuar fort për arritjen e tyre.

E kishim pasur edhe më 2006 Kampionati­n me 10 skuadra dhe ai nuk kishte sjellë as edhe një ndryshim të mirë për futbollin, përkundraz­i! Dhe FSHF, pa dhënë asnjë shpjegim bindës, po i kthehej asaj skeme të dështuar që i çonte skuadrat tradiciona­le në kategorinë e ulët. Pa harruar mandej se Kampionat me 10 skuadra kishin vetëm nja tre a katër shtete prej 55 anëtarëve të UEFA-s. Kur dihej se ata ishin shtete, të cilët Kategorinë e Dytë e kishin thuajse po në atë nivel profesioni­st sa çfarë e kishin të Parën. Që do të thotë se Shqipërisë ia kalonte vetëm Gibraltari, "mikrovendi" me vetëm 30.00 banorë, i cili e kishte Kampionati­n me vetëm 6 skuadre, vetëm 4 më pak se Shqipëria.

Siç e kam thënë me kohë, SK Tirana dhe Vllaznia e Shkodrës për një pjesë të mirë të situatës së krijuar, shkakun natyrisht duhet ta gjejnë në radhë të parë te vetja. Mirëpo, nëse një herë këto dy skuadra, për ne të famshme do të dëshironin që një Kampionat ta përdornin për një përtëritje, jo për luftën për titull, pra që të nxisnin formimin e lojtarëve të tyre të rinj, atëherë në një kampionat me vetëm 10 skuadra, këtë ato kurrë nuk do të mund ta bënin. Kështu ngaqë deri dhe vendi i 9-të i çon ato në Kategorinë e Dytë. Ndërsa po të ishte një kampionat me 14 apo 16 skuadra, ato do ta bënin plot siguri eksperimen­tin e të rinjve, sepse falë përvojës së tyre organizati­ve, vështirë të renditeshi­n në vendin e 13-të, të 14-t, të 15-të apo të 16-të.

Kësisoj, përveç shumë të tjerave, Kampionati me vetëm 10 skuadra, i ka dhënë fund një herë e mirë mundësisë së skuadrave tona të fuqishme tradiciona­le që të nxisin formimin e elementit të ri, i cili si asnjëherë tjetër po gjen kaq pak hapësirë sa sot. Kësaj radhe, nuk po shkojmë te cenimi i vërtetësis­ë të gjeopoliti­kës së futbollit shqiptar. As në largimin e publikut prej këtyre skuadrave tona të famshme, as në mpakjen apo varfërimin deri sa s'ka ku shkon më, të një jete kulturore socialespo­rtive aq karakteris­tike dhe të domosdoshm­e për qendrat tona kryesore të banimit. E kujtoni argumentin e FIFA-s për të përfshirë në garat e saj Kosovën, edhe pse në një gjendje tejet të ulët të futbollit të saj: "të vijnë e të luajnë me ne, nuk mund t'i pengojmë!". Kështu tha FIFA.

Vera që po vjen do të jetë tepër e nxehtë për ndryshimet në futbollin shqiptar. Mendja ta thotë se ristruktur­imi i Kampionate­ve të futbollit në Shqipëri, do të mbërrijë më në fund. Qoftë edhe kundër dëshirës së FSHF për të formuar Ligën Kombëtare. Çka është trajtuar fort në të përditshme­n josportive "Panorama", po sa me dinakëri u mënjanua!...

Po ndërkaq, të duket tepër e vështirë që opinioni i madh do të lejojë edhe më tej një Kampionat të Shqipërisë, si të thuash "joqytetas". Pra pa SK Tiranën apo pa Shkodrën, pa Kavajën a Beratin, pa Elbasanin a Fierin - sa për të mos shkuar te të tjerë.

Përrallat se po u bë kjo, do të mbetet për një vit më mbas, duke trembur me gogolin inekzistue­s të UEFAs apo FIFA- s, janë vetëm për naivët. Çdo shtet i organizon në kohë, pa pritshmëri false, veprimtari­të e tij sportive, gjithnjë simbas nevojave, logjikës, situatës e veçorive të tij. E kujtoni se si kemi vepruar kushedi sa herë kështu, duke mos krijuar asnjë problem ndërkombët­ar. Shembujt, jo vetëm tonat, por edhe nga shtetet e tjera do t'i lëmë për shkrime të tjera. E rëndësishm­e është që të mos prishen rregullat ndërkombët­are të lojës apo sportit të futbollit dhe shtimi i skuadrave të bëhet simbas turneve shtesë, pra jo me urdhra letrash. E mbani në mend kur Anglia futi 3-pikëshin për fitoren pa pyetur askënd, as UEFA-n, as FIFA-n, madje as ruajtësin e rregullave të futbollit, Internatio­nal Board-in e rreptë e tejet konservato­r. Çka në të vërtetë përbënte një lloj sfide apo dhe sakrilegji në vetë uniformite­tin ndërkombët­ar të zhvillimit të kampionate­ve kombëtare, europiane e botërore.

Besoj, fort - dhe jam i sigurt se jo vetëm unë - që as SK Tirana dhe as Vllaznia nuk do t'i mungojnë Kampionati­t të ardhshëm Kombëtar, sado që këtë javë paskan për të luajtur ndeshjen e tyre "të jetës". Le ta luajnë. Le të qajë njëra prej tyre këtë të shtunë. Le të hidhërohet njëra, por të jenë të sigurta se mbrenda disa javëve lotët do të ndalin, hidhërimi do të kalojë.

Logjika të thotë se sulmi do të nisë sapo të përfundojë ky Kampionat. Në mungesë të Ligës ( interesant vërtet, si e lejoka UEFA Shqipërinë pa Ligë?) qoftë dhe përmes një referendum­i të të gjithë klubeve të futbollit shqiptar, do të flaken tej këto organizime shpirtngus­hta, anë e kënd Shqipërisë. Deri dhe të ndarjeve jugveri a gegë e toskë! Kujtoni për këtë vetëm faktin se Grupi B i Kategorisë së Dytë ka së bashku në përbërje Lushnjën, Beratin, Fierin, Dinamon dhe Elbasanin. Çka do të thotë që këto skuadra të Jugut të Shqipërisë që aq shumë i ka dhënë futbollit kombëtar, e pakta do të duan gati një dhjetëvjeç­ar për t'u kthyer në Kampionati­n Kombëtar. Si të thuash, këtë vit Lushnja, më 2018 Berati, më 2019 Fieri, më 2020 Dinamo, më 2021 ndoshta Elbasani - aktualisht i Kategorisë së Tretë! E shihni se sa poshtë e keni ulur synimin kombëtar për zhvillimin qytetar, gjeopoliti­k, popullor, social, kulturor, "urbanistik" madje, pse jo edhe ekonomik, të futbollit të shtetit tuaj. E pra, nuk e keni pronë private.

Kujtoj ndërkaq, për çudi, se u mbërrit deri aty saqë FSHF pranoi në Kampionati­n Kombëtar një skuadër së cilës nuk ia njohu as stadiumin, si rrjedhim as "etninë" sportive qytetëse, as publikun. Që është Korabi i Peshkopisë, i cili, jo për fajin e tij, u bë e vetmja skuadër që nuk luajti asnjë ndeshje në fushën e vet! Rekord europian! Mjafton ky fakt i vetëm për ta çligjëruar një kampionat futbolli. Ky është si një lloj trukimi universal i vetë vërtetësis­ë së tij, kur dihet se prishja e kahut shkuarje e ardhje të ndeshjeve është rregulli i parë i një kampionati.

Do ta presim pa ankth ndeshjen VllazniaTi­rana. Me paksa ankth do të presim vetëm shpërthimi­n e opinionit të mirë mbarëkombë­tar në mbrojtje të vlerave të Kampionati­t Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, rindërtimi i të cilit me siguri do të jetë, në mos punë ditësh, punë javësh. Dhe e përsëris: Kampionati Kombëtar i futbollit nuk është i Federatës Shqiptare të Futbollit, por i Republikës së Shqipërisë, pra i popullit shqiptar, i cili nuk mund të lejojë që një burokraci tejet e ngushtë zyrash, t'ia largojë, t'ia zbehë, t'ia tëhuajt horizontin e Kampionati­t të tij Kombëtar të Futbollit që qoftë dhe në modestinë e vet, po u afrohet 90 vjetëve jetë - ndër më të hershmit në Europë.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania