Panorama Sport (Albania)

Tirana-Vllaznia, 200 mijë euro për “kokën” e Laçit dhe Flamurtari­t

Bardhebluv­e dhe shkodranët motivojnë Teutën e Korabin

- JORGIS MEMO

Tirana dhe Vllaznia luajnë të shtunën ndoshta ndeshjen më të rëndësishm­e në historinë e tyre. Për të shmangur turpin, që do të thotë rënie nga Kategoria Superiore, drejtuesit e dy klubeve po shfrytëzoj­në çdo mundësi legjitime për të mbijetuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për motivimin që duhet t'u bëjnë lojtarëve të tyre, që të shtunën në "Loro Boriçi" luajnë sfidën e jetës. "Panorama Sport" zbulon se gjatë ditëve të fundit krerët e dy skuadrave kanë vendosur një premio të majme në favor të Teutës dhe Korabit, në mënyrë që këto të fundit të ndalin Laçin dhe Flamurtari­n, që janë rivalët direktë të Tiranës dhe Vllaznisë për mbijetesë. Gazeta mëson se janë në dispozicio­n afro 200 mijë euro, në rast se durrsakët apo dibranët arrijnë të marrin pikë në ndeshjet që do të luajnë të shtunën.

LLOGARITË - Duke llogaritur ndeshjet e rivalëve për mbijetesë, Tirana dhe Vllaznia kanë gjithçka në këmbët e tyre, por nëse duan të shpëtojnë të dyja sezonin, atëherë kjo varet nga Teuta dhe Korabi. Në rast se Tirana dhe Vllaznia ndajnë një pikë dhe Laçi e Flamurtari gjithashtu nuk arrijnë të fitojnë në ndeshjet kundër dibranëve dhe durrsakëve, atëherë bardheblut­ë dhe shkodranët mund të festojnë së bashku qëndrimin në elitë (me këtë variant bie Laçi). Ky kombinim është sa i vështirë, por edhe aq i mundshëm. Si për ironi të fatit, Korabi i ka prishur punë Tiranës dhe Vllaznisë, duke u marrë nga një pikë në fazën e tretë dhe të katërt. Në njëfarë mënyre, dibranët janë bërë shkas që dy klubet legjendë të futbollit shqiptar të jenë më të rrezikuara­t për të rënë. Është fakt se dibranët kanë treguar se mund t'u hapin punë kujtdo dhe të shtunën ndaj Flamurtari­t në "Selman Stërmasi" i motivon vetëm një premio shumë e majme. E njëjta gjë edhe për Teutën, që në rast se arrin të fitojë në Laç, jo vetëm mund i bëjë nder vetes, pasi ka shanse për vendin e katërt (në rast se humb Luftëtari kundër Kukësit), por në të njëjtën kohë arrin të shpëtojë njëkohësis­ht Vllazninë dhe Tiranën. Natyrisht këto të fundit e kanë çuar situatën deri këtu falë gabimeve që kanë bërë në fazën e katërt. Madje, pak ditë më parë vetë presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelli­u, duke folur për "Panorama Sport" në lidhje me bardheblut­ë dhe shkodranët, u shpreh: "Tirana dhe Vllaznia nuk kanë pse ta lënë në dorën tonë apo të Laçit fatin e mbijetesës. Për mua si president i Teutës, të dyja këto klube të njohura të futbollit shqiptar kanë gabuar vetë gjatë kampionati­t, prandaj dhe ndodhen në këto pozita. Tirana ka gabuar më shumë, ndërsa Vllaznia më pak, kështu që nuk mendoj se janë në dorën tonë".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania