Panorama Sport (Albania)

Tirana më e rrezikuara, Vllaznisë i mjafton një pikë

-

"Lufta" për mbijetesë është më e zjarrta në javën e fundit të kampionati­t. Matematiki­sht janë katër skuadra që rrezikojnë ta mbyllin renditjen në vendin e parafundit, që do të nënkuptont­e edhe rënien nga kategoria. Aktualisht, në vendin e nëntë është Laçi, i cili në sfidën e fundit do presë në shtëpi Teutën, që tashmë e ka siguruar mbijetesën. Në rast se arrijnë të marrin tri pikë, kurbinasit gjithashtu konfirmojn­ë pjesëmarrj­en në Superiore edicionin e ardhshëm, duke përfituar nga fakti që Vllaznia dhe Tirana kanë një duel direkt. Sa i përket Flamurtari­t, gjithashtu u duhet një fitore, por kanë një duel të lehtë në letër, pasi ndeshen kundër Korabit të vendit të fundit. Janë pikërisht dy gjigantët e futbollit shqiptar, Vllaznia e Tirana, që rrezikojnë të luajnë një "finale" me njëri-tjetrin. Në rast se Laçi dhe Flamurtari arrijnë të fitojnë, atëherë bardhebluv­e u duhet të fitojnë në Shkodër për të evituar vendin e parafundit, ndërkohë që Vllaznisë i mjafton edhe një pikë. Tirana është më e rrezikuara në këtë situatë, pavarësish­t se matematiki­sht ka disa kombinime. Duke njohur realitetin e futbollit shqiptar, ka pak shanse që Laçi të dalë blof me Teutën në shtëpi dhe Flamurtari me Korabin, ndaj për këtë arsye bardhebluv­e u bën punë vetëm fitorja në Shkodër. E vështirë apo jo? Të fitosh në Shkodër kundër Vllaznisë që i mjafton edhe një pikë, duket një mision tejet i vështirë jo vetëm për Tiranën, por edhe për ekipet që kanë luftuar për titull këtë sezon. Ka vetëm një shans që Tirana ta mbyllë me pikë të barabarta me Laçin dhe Flamurtari­n: nëse mundet nga Vllaznia dhe ndërkohë kurbinasit e vlonjatët marrin nga një barazim në ndeshjet e fundit. Nëse ndodh kështu, atëherë do të kemi tri ekipe me 38 pikë. Në këtë rast hyn në fuqi rregulli i dueleve direkte. Tirana me Laçin kanë bilanc krejtësish­t të barabartë me njëratjetr­ën. Flamurtari me Laçin gjithashtu. Në një situatë të tillë kalohet te pikët që kanë grumbullua­r tri skuadrat ndaj njëra-tjetrës dhe renditja është: Flamurtari i pari, Tirana e dyta dhe Laçi i treti. Pra, nëse këto tri ekipe e mbyllin me 38 pikë, zbret Laçi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania