Panorama Sport (Albania)

Sinani: Jam i shokuar!

“Shkodra po zien, edhe unë ndiej një tension. Më duket sikur do luaj vetë”

- JORGIS MEMO

Vioresin Sinani e ka shumë të vështirë të flasë për situatën ku ndodhet Vllaznia. Legjenda e futbollit shkodran nuk e ka menduar kurrë se skuadra e tij e zemrës dhe gjithashtu Tirana (24 herë kampione), ku ai ka luajtur dhe ka fituar gjithçka, të diskutojnë sot një finale mbijetese në Kategorinë Superiore. I kontaktuar nga "Panorama Sport", rekordmeni i kampionati­t shqiptar (208 gola) tregoi atë që po përjeton këto ditë qyteti i Shkodrës. Sinani nuk do që të vendosë nën presion kuqeblutë, prandaj preferon të jetë shumë i matur në deklaratën para sfidës. Ish-sulmuesi nuk mund t'i shmangej edhe një batute. "Më kanë kapur emocionet, a thua sikur do luaj vetë", ka thënë shkodrani, i cili në sezonin 20062007 fitoi titullin me Tiranën. Ndërsa në 1997- 1998 dhe 2000-2001, Viori ngriti trofeun me fanellën e Vllaznisë. KEQARDHJA

"Jam vërtet i shokuar për gjendjen ku ndodhet Vllaznia dhe Tirana. Si ka mundësi që këto dy skuadra e kanë lënë veten në këtë gradë, sa të diskutojnë mes tyre mbijetesën në ndeshjen e fundit të kampionati­t?! Duket vërtet e habitshme, por ja që ky është realiteti. Nuk di çfarë të them, më kanë kapur edhe mua ato emocionet e ndeshjes dhe më duket sikur do jem vetë sot në fushën e lojës.

Pra, edhe ne që nuk jemi pjesë e skuadrës, po ndiejmë një tension të paparë ndonjëherë. Është një situatë e habitshme", është shprehur fillimisht Sinani. Sipas ish-sulmuesit, të gjithë në Shkodër mendojnë vetëm për ndeshjen kundër Tiranës. "Në këtë moment e kam shumë të vështirë të futem në detaje, qoftë për Vllazninë, ashtu edhe për Tiranën. Di të them që Shkodra po zien dhe tema e ditës është vetëm ndeshja Vllaznia-Tirana.

Nuk kam dëshirë që me fjalët e mia si një ish-futbollist i të dyja skuadrave të vendos dikë nën presion. Mund të kem shumë gjëra për të folur, por dua të më mirëkupton­i", ka përfunduar rekordmeni i golave, i cili prej disa muajsh bën detyrën e zv.trajnerit të Kombëtares së Femrave. Disa herë, Viori ka qenë kandidat për të qenë trajner i Vllaznisë, por gjithsesi nuk ka arritur të vihet në krye të skuadrës së zemrës.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania