Panorama Sport (Albania)

Smajli: Për Vllazninë duhet të luash edhe me një këmbë

-

Dritan Smajli ka luajtur për gjashtë vite me Vllazninë, ndërsa një sezon ka qenë pjesë e Tiranës. Kapiteni i Besëlidhje­s flet në një intervistë për "Panorama Sport" në prag të ndeshjes së sotme ku dy skuadrat legjendë të futbollit shqiptar luajnë një finale mbijetese.

Dritan, ju keni luajtur për Vllazninë dhe Tiranën. Sot dy klubet legjendare diskutojnë mbijetesën, e prisnit të ndodhte kështu?

Së pari, ndiej keqardhje të madhe për këto dy superklube, të cilat tashmë janë të detyruara të luajnë një finale mbijetese, ku njëra rrezikon seriozisht rënien. Vllaznia është në zemrën time dhe pa diskutim që e dua me shpirt, ndaj dëshiroj që të mbijetojë. Kam pasur fatin të vesh fanellat e të dyja skuadrave, që vlejnë aq shumë sa vijnë pas asaj të përfaqësue­ses. Është një privilegj, pasi të vlerësohet maksimalis­ht talenti që ti mbart.

Do të jeni në stadium, çfarë prisni të ndodhë sot? Ajo skuadër që do të minimizojë gabimet, do të arrijë të mbijetojë. Me shumë shokë të mi nga Lezha do të jemi në shkallët e stadiumit për ta mbështetur me gjithë forcën e shpirtit Vllazninë dhe besoj se do të fitojë.

Vllaznia ka shumë mungesa, ndërsa Tirana është më e plotë. Kush mendoni se do ta bëjë diferencën?

Vllaznia është e favorizuar, sepse së pari luan në shtëpi para tifozërisë, por ka edhe avantazhe të tjera. Mendoj se ka elementë cilësorë, trajner profesioni­st dhe më kryesorja se Vllaznia është 100% shkodrane në këtë supersfidë. Përveç detyrimit si futbollist­ë, kuqeblutë do të luajnë me grintë. Mendoj se ia vlen të derdhësh djersë, madje edhe gjak për atë fanellë me peshë shumë të rëndë.

Po pikat e dobëta të të dyja skuadrave kush mendoni se janë?

Për mua, Tirana ka shumë mangësi që do të ndikojnë në rezultatin përfundimt­ar. E them këtë duke nisur që nga performanc­a e skuadrës që e kemi parë gjatë këtij sezoni në transfertë dhe më kryesorja është se Tirana ka presion të madh psikologji­k, pasi i duhet vetëm fitorja për të shpëtuar. Ndërsa Vllaznia si pikë të dobët ka mungesat e shumë titullarëv­e, por këtë besoj se do ta plotësojnë mirë lojtarët e stolit.

Sipas jush, rënia nga Superiorja a ju shërben në riorganizi­min e këtyre dy skuadrave me emër të madh?

Normalisht që po, pasi këto dy skuadra dhe jo vetëm këto, por i gjithë futbolli ynë po vuan mungesën e organizimi­t. Ende nuk po vihet dorë në privatizim­in real të klubeve, por vetëm me donacione më shumë klientelis­te, ku mbështetja nga ana e pushtetit vendor anon nga klienteliz­mi që ka ose motive politike, ose premisa korruptive. Nuk është e rastësishm­e gjendja dështake e këtyre dy skuadrave, por ka ardhur në radhë të parë që nga merkatoja e pastudiuar.

Emra si Elis Bakaj, Gilman Lika dhe Endri Vrapi nuk do të jenë në fushë. Çfarë përshtypje ju ka lënë vendimi i tyre?

Këto janë vendime që unë nuk mund t'i komentoj, pasi jam edhe vetë futbollist, por po të isha unë, kurrë nuk do ta lija Vllazninë në baltë. Do të luaja edhe sikur të isha me një këmbë. Fanella e Vllaznisë është e shenjtë, është fabrikë për të gjithë Shqipërinë dhe më gjerë. Kësisoj, kur ta pranosh ta veshësh, duhet të sakrifikos­h.

Sipas jush, të tre lojtarët kanë gabuar?

Për mua ka më shumë të drejtë Gilmani, për arsyet që përmenda më lart.

Nëse njëra nga këto dy skuadra bie nga kategoria, a do të kishte kuptim Superiorja pa derbin klasik të Shqipërisë?

Shpresoj shumë që kjo të mos ndodhë, pasi ka ende shpresë nga ndeshja Laçi-Teuta, por nëse ndodh, Tirana ka shumë gjasa të bjerë. Megjithatë, unë nuk do e dëshiroja kurrë. Data 27 maj do të jetë si dita e disfatës së madhe të futbollit tonë. Preng Gjikola

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania