Panorama Sport (Albania)

Starova, letër Dukës: Bëhu burrë dhe trego urdhrat që ke dhënë

“U vërshëllev­e në shesh nga tifozët kuqezi dhe prandaj s'i do ekipet me shumë mbështetës”

-

Kreu i institucio­nit të futbollit në vend e ka atakuar edhe një herë tjetër trajnerin e Partizanit në daljen e tij të djeshme përpara mediave. Duka i ka rikujtuar trajnerit të të kuqve objektivat personalë për t'u rikthyer në FSHF, duke u shprehur se ish-zyrtari i FSHF-së ngatërron objektivat e ekipeve me ato personalë. Në lidhje me këtë, "Panorama Sport" ka kontaktuar me teknikun e të kuqve, i cili ka replikuar me presidenti­n e FSHF-së. Përgjigjja e Starovës është e artikuluar si në formën e një letre publike, me anë të së cilës i rikujton Dukës qeverisjen që nga momenti i parë i mbërritjes në FSHF deri te ngjarja e pak ditëve më parë. Sipas Starovës, titulli u vendos me urdhër të kreut të institucio­nit të futbollit.

REAGIMI I STAROVËS

"Duke parë shfaqjen e shëmtuar të radhës, kur përgjegjës­i kryesor i gjendjes aktuale të futbollit shqiptar, z.Armand Duka, bën SHOW para gazetarëve, shumicës prej të cilëve i ka të punësuarit e tij, detyrohem t'i kthej një përgjigje meqë është marrë sërish me emrin tim....

Zotëri ose "Robo" më mirë, se ti as zotëri nuk je...

Kam kaq vite që të kërkoj të përballemi në një debat televiziv, një tavolinë të rrumbullak­ët, në çfarë studio të duash dhe më fshihesh... Që pas emisionit "Opinion" të viteve të shkuara ke filluar e përzgjedh edhe të ftuarit e emisioneve ku merr pjesë se ke frikë. Pikërisht të njëjtën frikë ke edhe aty, brenda në Federatë. Ke frikë nga demokracia, ke frikë se ka zëra kundër, ke frikë se ca mendojnë ndryshe nga ty dhe prandaj e ke çuar futbollin në këtë pikë... Unë vazhdoj ta kem ftesën e hapur, ku dhe si të duash. Të debatojmë përse ka mbërritur futbolli në këtë pikë. Përse ke zhdukur emrat historikë të futbollit nga elita. Ku e ke Elbasanin e Gogunjës, Besën e Bajazitit, Dinamon e Demollarit, Apoloninë e Majacit?! E zhyte Tiranën... Harrove?! Mos i ik përgjegjës­isë se arbitri yt ishte ai që nuk akordoi penallti në Korçë. Po ku ka shanse të gabojë njeri aty pa urdhrin tënd... Unë të njoh mirë, mos harro... Të kam sjellë për dore të të tregoja zyrat. Besoja se do sillja një biznesmen që të investonte për futbollin, por gabova rëndë. Gabimin më të madh të jetës kam bërë. Pa dyshim që i kam informuar të gjithë presidentë­t që kam qenë dhe punuar me ta, që kjo është një familje e madhe që i përket futbollit dhe duhet të ishin prezentë në këtë familje, t'i dëgjohej zëri, të kishin mendimin e tyre edhe në Komitet Ekzekutiv, por ty kjo të tremb shumë. Siç të trembin klubet me histori të madhe, me tifozë shumë. E kujton kur të ka vërshëllye­r një popull i tërë në shesh?! Sapo ishim kualifikua­r në Europian dhe përsëri kishe vetëm vërshëllim­a në shesh... Prandaj i ke alergji tifozët ti. Prandaj do mbahesh mend si presidenti që hodhi në kategoritë inferiore Partizanin, Tiranën e Dinamon. Këtë damkë do ta kesh tërë jetën...

Tani edhe diçka për Partizanin. Ia ke hequr titullin 'robo'. Ke dhënë urdhër që Partizani nuk duhet të dalë kampion.

Partizani ty të tremb. Partizani ngriti zërin për Fondin e Solidarite­tit, që e kishe fshehur për vite me radhë. Partizani të kërkon transparen­cë për fondet që vijnë nga UEFA sepse janë para për familjen e madhe të futbollit jo të tuat personale. Je aty vetëm për të menaxhuar lekët, mos e harro këtë. Partizani të kërkoi në Asamble të kishte komisione të pavarura të Federatës, jo komisione që mbajnë të njëjtin emër dhe mbiemër, ARMAND DUKA. Këto janë gabimet e Partizanit. Partizani mund të kishte ulur edhe kokën siç bëri ndonjë klub tjetër, por nuk do quhej Partizan nëse e bënte. Në fund, po shtoj... Unë kam të drejtë të jap mendimin tim në këtë familje që quhet 'futboll' nga çdo lloj pozicioni. Mos harro, kam 40 vjet këtu unë... Kam hyrë me këmbët zbath si futbollist, jam rritur dhe jam krenar që kam qenë pjesë e një prej ekipeve Shpresa më të mirë të historisë së futbollit dhe pastaj më vonë lojtar i kombëtares. Kam qenë futbollist kampion, kam qenë trajner kampion fare i ri dhe pastaj kam provuar edhe pozicionin e zyrtarit, edhe aty për t'i shërbyer futbollit, jo për ta rrjepur atë. Pikërisht, ky është ndryshimi mes nesh 'robo'...

Tani, bëhu burrë dhe dil t'u përgjigjes­h pyetjeve dhe argumentev­e:

1. Përse nuk dënon të njëjtin arbitër (Jeminin) kur i anulon gol të rregullt Partizanit në Elbasan kundër Kukësit, që nuk do ta kishte kolonën Zero të humbjeve nëse akordohej goli i Ekuban dhe shkon e dënon se jep një karton kundër Luftëtarit?!

2. Përse nuk dënon arbitrin Meta kur i mohon dy penallti në Shkodër Partizanit, por e dërgon pas dy javësh në Kukës për të masakruar Laçin dhe për të falur kartonët për Kukësin meqë do të luante me Partizanin?! Të kujtohet kush është Meta?! Është ai arbitri që ishmiku tënd dhe miku im Mond Hasanbelli­u e çoi në Prokurori për penalltinë që i dha kur luante me Kukësin...

3. Si i jep të drejtën Enea Jorgjit të bëjë moviolën e ndeshjes së vet dhe pastaj e dërgon në Kukës me mision dhe pa arbitra linje për të bërë masakër që se kemi parë që prej vitit '97?!

4. Si më kujton penalltinë e parë të Partizanit dhe harron 10 penallti në favor të rivalëve tanë, 10. Aq sa nuk ka marrë Reali i Madridit, Barcelona, apo Juventusi...

5. Si e dënon vetëm PARTIZANIN me 5 ndeshje pa tifozë kur edhe klubet e tjera rivale ishin përsëritës dhe kanë marrë vetëm gjoba?! Aty kam qenë, në Kukës kur na dënoje 8 javë.

Unë kam edhe më shumë. Të gjitha i kam parë nga moviolistë­t e tu nëpër ekrane. Peshorja anon shumë. Këtë kampionat e vendose ti!

Nuk do të rresht pa sensibiliz­uar gjithë familjen e futbollit dhe opinionin publik që të të heqë pronësinë mbi futbollin shqiptar. Demokraci do të thotë qeveri me kryeminist­ër, pra Federatë që drejtohet nga Sekretari i Përgjithsh­ëm me kompetenca­t që ja ke hequr ti. Me parlament që kontrollon qeverinë që do të jetë Komiteti Ekzekutiv. Të kthesh ligën amatore siç duhet të jetë, jo siç e ke bërë ti me punonjës që edhe të votojnë në Asamble", ka deklaruar Starova për "Panorama Sport".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania