Panorama Sport (Albania)

Tirana fiton Kupën “e çudirave”

Finalen e vendosin tre afrikanë, korçarët zhgënjejnë dhe i japin një dorë ekipit të Josës

- JORGIS MEMO

Tirana fiton Kupën "e çudirave" ndaj një Skënderbeu të lexueshëm, me tre afrikanë që vulosin trofeun e 16-të në historinë e klubit bardheblu. 120 minuta, katër gola dhe shumë zhgënjim. Ishte një Kupë si ngushëllim për kryeqyteta­sit pas rënies nga Kategoria Superiore për herë të parë. Ndoshta kënaqësia e vetme mund të jetë kalimi i rivalit të përjetshëm, Partizanit edhe sa i përket trofeut të kompeticio­nit të dytë më të rëndësishë­m në vend. Rekordit me 24 tituj, bardhebluv­e iu shtohet edhe rekordi me 16 Kupa, duke lënë pas në këtë mënyrë të kuqtë me 15. Ishte Kupa "e çudirave", edhe për atë që ndodhi në "Elbasan Arena" me tifozët e Tiranës. Rikthimi i ultrasve bardheblu pas gjashtë muajsh përkoi me një protestë kundër presidenti­t Refik Halili, por çudia u bë më e madhe kur autori i golit të parë, sulmuesi Ifeani Edeh, kërkoi të ndante gëzimin me "Tirona Fanatics". Këta të fundit u irrituan më shumë dhe menjëherë braktisën stadiumin. Një situatë surreale, por që nuk e kishte fundin këtu. Afër fundit të lojës, në stadium rezultonte të kishte më shumë policë sesa tifozë, pasi edhe ata korçarë nuk e duruan dot shfaqjen e ekipit të tyre dhe u larguan. Por, sikur të mos mjaftonte kjo, te Tirana e kishin të vështirë të festonin me trofeun, duke filluar nga trajneri Josa që refuzoi të merrte medaljen, deri te kapiteni Karabeci, që me zor e ngriti Kupën, duke u ndihmuar nga sekretari i përgjithsh­ëm i FSHF-së, Ilir Shulku. 24 orë para finales, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi se shpresonte që Tirana të fitonte Kupën si Zyrihu në Zvicër, që zbriti nga Superliga dhe më pas luajti në grupet e Ligës së Europës. E megjithatë, Duka nuk denjoi që dje t'i dorëzonte trofeun Tiranës, duke munguar në finale si asnjëherë tjetër. Si për ironi të atyre që kanë ndodhur në këtë sezon, tashmë Superkupa e Shqipërisë do të jetë Kukësi-Tirana, "çifti" që prodhoi nga të gjitha gjatë këtij viti.

90 MINUTAT - Josa kishte "dënuar" golashënue­sin më të mirë, Afrim Taku, duke e ulur në stol, ndërsa Daja ishte i detyruar për të bërë lëvizje, pasi mungesave të Salihit, Osmanit dhe Lilajt, i shtohej para ndeshjes edhe Orelesi. Nimaga bënte rolin e shkatërrue­sit, ndërsa sulmi i besohet Plakut. Minutat e para janë të zbehta dhe tentativat e Muzakës e

Xhejmsit nuk e shqetësojn­ë aspak Ilion Likën. Megjithatë, mjafton një gafë e mbrojtjes korçare me Radasin dhe Jashanicën të hutuar, që Edeh të dalë i vetëm me Shehin dhe të shënojë. Tirana është më e vendosur në fushë përballë një Skënderbeu që ka shumë forca sulmuese, por me lojtarë që e teprojnë me mbajtjen e topit.

Talenti i bardhebluv­e, Albi Doka, i jep një tjetër leksion Liridon Latifit, duke e sfumuar totalisht. Megjithatë, kosovari ka një rast të artë për të barazuar pas asistit të Vangjelit, por shpërdoron. Pas 25 minutave të para "fjalën" e merr Ilion Lika. Portieri bardheblu bën heroin në të paktën katër raste, duke evituar gola të sigurtë.

Plaku është në një ditë "jo", ndërsa Nimaga nuk u beson syve vetëm pesë metra larg portës. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Tiranën, ndërsa e dyta nis me një marsh tjetër për Skënderbeu­n, por aksionet e korçarëve janë shumë të lexueshme. Për afro 35 minuta skuadrat nuk prodhojnë asnjë rast ideal. Kur dukej se gjithçka do të mbyllej me fitoren e bardhebluv­e, Radas hedh një top të gjatë në zonë, që shkon direkt në rrjetë. Gjithçka shkon në shtesë.

SHTESAT - Tirana është më e freskët, ndërsa Skënderbeu duket më i lodhur se kurrë. Nga ana tjetër, Daja dhe Josa nuk bëjnë dot asnjë zëvendësim, pasi i kishin konsumuar brenda 90 minutave.

Megjithatë, një gafë në dalje e portierit Shehi sjell golin e dytë, që shënohet nga Moise. Skënderbeu duket i dorëzuar, ndërsa Tirana bëhet me krahë dhe kërkon të mbyllë gjithçka. Nuk kalojnë shumë minuta dhe mesfushori Daja fiton një penallti pas pengimit në zonë nga Jashanica. Nga pika e bardhë është Merveil që nuk fal, duke vulosur fitoren 3-1 në Kupën e 16-të të Tiranës. Për Skënderbeu­n vijon makthi i këtij kompeticio­ni të snobuar në gjashtë vitet e arta, ku u morën po kaq tituj radhazi. Pesë herë në finale dhe asnjëherë triumfues, korçarët mbyllën një sezon zhgënjyes, ndërsa ankthi vazhdon, pasi më 8 qershor presin... Etikën.

 ?? Foto: F.Hazizllari ?? Ekipi i Tiranës duke pozuar me trofeun e kupës
Foto: F.Hazizllari Ekipi i Tiranës duke pozuar me trofeun e kupës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania