Hasi u bën "zbor" grekëve: Dua disiplinë për Championsin
Trajneri i Olimpiakosit, Besnik Hasi, është ende në ditët e tij të para të punës me skuadrën greke, por ka nisur të krijojë idetë e qarta se çfarë ka nevojë. Në një intervistë të publikuar në sajtin zyrtar të Olimpiakosit, trajneri shqiptar ka bërë me dije se ka ende nevojë për merkato, ka shumë mangësi në përgatitjen fizike të lojtarëve, si dhe ka bërë me dije kërkesat e tij për secilin futbollist:
MIQËSORJA- "Miqësoret janë ndeshje për trajnerët. Aty kisha mundësi të provoja të gjithë lojtarët që kam në dispozicion. Nuk është tregues se sa minuta luan një futbollist, por ajo që unë shoh te secili prej tyre në ato minuta. Nuk dua të rrezikoj askënd sepse për shkak të mungesës së përgatitjes së plotë, rrezikojnë që të dëmtohen shpejt". FORMA - "Kam analizuar shumë ndeshje të skuadrës gjatë sezonit të shkuar. E kam parë edhe vetë me Anderlehtin që në minutën e 60të, futbollistët shfaqën lodhje fizike. Kjo është një mangësi e madhe për të cilën duhet të punojmë shumë. Për këtë, po kryejmë fazën përgatitore me dy seanca në ditë me një program shumë strikt. A mund të përmirësoj çdo gjë unë? Pa diskutim që jo". OBJEKTIVAT - "Pikë së pari, kam nevojë që të mësoj situatën e skuadrës, për lojtarët që kam, defektet dhe pikat e forta. Kemi ende nevojë për t'u plotësuar në merkato, por fatmirësisht idetë e mia janë të njëjta edhe me ato të drejtuesve. Na janë larguar tre lojtarë me eksperiencë, mes të cilëve edhe Kambiaso, ndaj jemi të kujdesshëm që të afrojmë vetëm lojtarë cilësorë. Nuk dua sasi, por futbollistë që të jenë të vlefshëm. Sa u përket objektivave, në fillim po punoj në aspektin fizik. Më pas, do të nisim edhe me detajet taktike, pasi dua që të krijojmë një fizionomi tonën të lojës. Të luajmë si duam ne, pavarësisht kundërshtarit që kemi përballë. Kjo është diçka e vështirë, por e domosdoshme për të shkuar atje ku duam, në Champions". DËSHIRAT - "Kur them duam lojtarë cilësorë, i kam të qarta vështirësitë që hasen kur kërkohet një futbollist shumë i shtrenjtë. Megjithatë, ne kemi bërë një plan dhe do t'i provojmë alternativat një nga një. Një emër për faqen e parë të gazetës së Olimpiakosit? Do të thosha Kristiano Ronaldo. Fare e thjeshtë. Jam fans i tij dhe do të ishte interesante për tifozët tanë që të lexonin për të".
RAPORTI ME LOJTARËT- "Unë krijoj raporte të ngushta me lojtarët. Dua që një futbollist të jetë i përqendruar në nevojat dhe objektivat e ekipit. Nuk i pranoj futbollistët që e kanë mendjen te kontrata apo që shpërqendrohen në gjëra dytësore. Ama, jam plotësisht i gatshëm t'u vij në ndihmë futbollistëve të mi për gjithfarë problemi që mund të kenë. Nuk e kam problem as që të ulem dhe të qaj për shqetësimet madhore që mund të kenë", ka deklaruar Besnik Hasi në një intervistë të dhënë për kanalin zyrtar të skuadrës së Olimpiakosit.