Panorama Sport (Albania)

Çarls Atsina abonohet me golin

-

Ekipi i Vllaznisë ka arritur fitoren e tretë në po kaq ndeshje të luajtura miqësore. Shkodranët fituan minimalish­t 1-0 ndaj Tërbunit të Pukës, në një ndeshje të zhvilluar në fushën sportive "Reshit Rusi". Goli i fitores u shënua nga sulmuesi ganez Çarls Atsina. Ekipi shkodran ka zhvilluar një lojë jo bindëse, ashtu si në përballjen ndaj Kastriotit. Shkak për këtë paraqitje, sipas teknikut Cungu, ishte lodhja dhe mbingarkes­a që ekipi kishte marrë një ditë më parë. Kuqeblutë kanë nisur lojën me Selimaj, Gocaj, Pjeshka, Orelesi, Gurishta, Tafili, Krymi, Kalaja, Lika, Çinari dhe Atsinën i vetëm në sulm. Një pjesë e parë e dominuar tërësisht nga ana e kuqebluve, që shënojnë me anë të Atsinës një gol të bukur më kokë, pas një harkimi nga krahu i djathtë i sulmit, në minutën e 26-të. Në këtë pjesë nuk kanë munguar edhe rastet e tjera për shënim nga ana e sulmuesit Atsina e, po ashtu, edhe mesfushorë­ve kuqeblu. Miqtë nga Puka kanë rrezikuar me gjuajtje nga largësia portën e mbrojtur nga Selimaj. Sulmuesi ganez Atsina, ashtu si në takimin me Kastriotin, ka zhvilluar një ndeshje pozitive, ku rrezikoi edhe në disa raste të tjera portën kundërshta­re. Në këtë ndeshje luajtën edhe dy blerjet e tjera, Lika dhe Orelesi. Ndërsa, Hasani mungoi për shkak të një dëmtimi të vogël. Në pjesën e dytë të takimit, të dy trajnerët kanë bërë lëvizje të shumta, ku për kuqeblutë është aktivizuar edhe një lojtar i ardhur për provë. Bëhet fjalë për nigerianin Samuel Gilmar, i cili u është rekomandua­r drejtuesve nga mesfushori Orelesi. Por, në fund, sulmuesi nuk ka bindur dhe nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë. Vllaznisë i ka mjaftuar Atsina ndaj Tërbunit, por në pjesën e dytë sulmuesi ganez shënoi edhe një gol tjetër, i cili u anulua nga gjyqtarët. A.Uruçi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania