Panorama Sport (Albania)

Murinjo: PSG-Nejmar shkundi futbollin

Thumbon edhe Vengerin: Unë s’punoj 20 vjet për të dështuar

- Përgatiti: ANDROKLI DRALO

Në një kolltuk antik në tarracën e "Carlton House", lagjen më aristokrat­e të Londrës, Zhoze Murinjo duket më shumë se aristokrat sesa mjedisi që e rrethon. Mançester Junajtid është favoritja e javëve të para për titullin dhe, të paktën një herë të vetme, portugezi duket i qetë në mbretërinë e tij. "Shumë i qetë, - thotë ai për 'The Times' me një buzëqeshje djallëzore, - por mua nuk më pëlqen deti pa dallgë". Ai është kritikuar gjithnjë se u merr skuadrave maksimumin vetëm në të tashmen dhe nuk investon për të ardhmen, por 54-vjeçari ka këtë përgjigje për kritikët, duke thumbuar edhe Arsen Vengerin, i cili ka 22 vite në stolin e Arsenalit dhe trashëgimi­në që francezi do të lërë në "Emirates": "Unë i përgatis klubet për sukses afatgjatë. Unë i përgatis klubet në një mënyrë që, kur të largohem, trajneri i ri të vijë në një superklub dhe kjo nuk është diçka afatshkurt­ër, kur ti lë një strukturë pas një apo dy vitesh që do të jetë më e suksesshme pa ty sesa me ty. Afatshkurt­ër mund të jetë kur një trajner është në stol 10-20 vite dhe kur largohet nga klubi, ai është gati për të dështuar". Pasi fitoi dy trofe në sezonin e tij të parë në "Old Trafford", përflitet se Mou do të rinovojë. Por, ai këmbëngul se është i lumtur të presë deri në përfundim të kontratës së tij 3-vjeçare me "djajtë" për të diskutuar të ardhmen e tij, edhe pse thotë se do donte të qëndronte për shumë vite të tjera në Mançester. "Unë s'kam nevojë për një kontratë të re për të punuar në limitet e mia. Nuk e kam problem të mbërrij deri në fund të kontratës aktuale dhe të jem i lirë të vendos çfarë dua të bëj dhe klubi të jetë i lirë të vendosë të njëjtën gjë. Në të shkuarën unë kam dashur të drejtoj gjithnjë në shtete të ndryshme. Kur erdha te Çelsi në 2004, nuk mendoja kurrë se do të qëndroja 20 vite. Kur shkova në Itali kisha gjithnjë në plan për të punuar në Spanjë. Nëse në këtë moment ju më pyesni a mund të shkoj në Francë apo Gjermani, unë do të thosha: 'Përse jo? Përse jo?' Por unë jam në një fazë tjetër të karrierës sime tani. Kam pasur gjithnjë dëshirë të menaxhoj në Spanjë dhe Itali, por Anglia është pasioni im dhe, në këto momente, do të thosha se do të më pëlqente që të qëndroj për shumë vite". Transferim­i rekord i Nejmarit për 222 milionë euro te PSG, por edhe ai i Mbapesë për 180 mln dhe Dembelesë për 145, e kanë eklipsuar transferim­in e Pogbasë dhe Lukakut nga "Special One". "Unë mendoj se ne ishim më të zgjuar. Normalisht, pjesa e fundit e merkatos është më pak e shtrenjtë, por këtë sezon, pas Nejmarit gjithçka ndryshoi dhe ndryshoi për keq sa u përket çmimeve. Unë mendoj se Lukaku, në ditën e fundit të merkatos do të kushtonte 150 milionë paund. Nëse transferim­i historik do të ishte ende ai i Pogbasë, mendoj se Kutinjo tani do të ishte te Barça për 101 milionë paund. Por, për shkak se ne i bëmë blerjet në fazën e parë të merkatos, kushtoi shumë më pak. Mbyllja e merkatos herët është pozitive jo vetëm në planin financiar, por edhe atë sportiv".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania