Panorama Sport (Albania)

Sherr mes tifozëve, Daja surprizoi me Gavazajn

-

-Ndeshjen e djeshme premierë për këtë sezon të ri në Korçë e kanë ndjekur mbi 3 mijë tifozë, nga të cilët 50 kishin ardhur nga Vlora dhe ishin vendosur në tribunën E, atje ku kishin shpalosur edhe një banderolë ku shkruhej "Flota Kuqezi". Tifogrupi "Ujqërit e Dëborës" për herë të parë ka zbritur i organizuar në stadium. Rreth 30 minuta përpara startit, një grup prej 50 tifozësh të veshur me një uniformë parakaluan përpara stadiumit me brohoritje dhe u vendosën më pas në tribunën C, atje ku nuk munguan as pankartat e zakonshme të tifozërisë korçare.

-Në tribunën qendrore dje nuk ka munguar presidenti i Skënderbeu­t, Ardjan Takaj, ndërkohë që në krah të tij ka mbërritur pak minuta përpara ndeshjes edhe administra­tori i Flamurtari­t, Sinan Idrizi. Në tribunë kanë qenë edhe shumë personalit­ete, mes tyre zv/presidenti i korçarëve, Arlind Boshku, apo edhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

-Enis Gavazaj ishte surpriza e korçarëve dje në formacion, lojtari nuk ka pasur asnjë dëmtim të madh sikundër është folur në media të ndryshme, por ka qenë gati për trajnerin duke luajtur një ndeshje me nivel të lartë për 70 minuta. -Sabjen Lilaj shënoi golin më të shpejtë në këtë Superiore për momentin, duke realizuar që në minutën e 2-të, edhe pse nga pika e bardhë e penalltisë, ndërkohë që ka qenë asistenti prapa porte Olsi Sokoli, që njoftoi kryesorin se ndërhyrja ndaj Ali Soue ishte një penallti e pastër. Pas golit të Lilajt, tifozët korçarë e ndezën flakë stadiumin, ndërkohë që për të qetësuar gëzimin e ultrasve gjyqtari Beqiri drejton Shehin te tifozët për të biseduar me ta. Shehi është dashur të ndërhyjë edhe në minutën e 69-të te tifozët edhe këtë herë pas këshillës që i dha gjyqtari Beqiri, pas ofendimeve në kor.

-Në minutën e 20-të, Kristi Vangjeli është dashur të ndërrojë edhe këpucët, ndërkohë që stafi ka vrapuar drejt korçarit për ta kryer këtë gjë sa më shpejt, në mënyrë që të mos humbiste sekonda në fushë.

-Në të 21-ën minutë pas një ndërprerje në fushë, ka pasur një acarim mes Radas dhe Useinit, që ka zgjatur gjatë dhe gjyqtari Beqiri i fton që t'i japin dorën njëri-tjetrit. Askush nuk pranon ta bëjë një gjë të tillë dhe më pas të dy ndëshkohen me karton të verdhë.

-Tifozët e Skënderbeu­t pranë fundit të pjesës së parë thërrasin në kor "Shkëndija", duke ia dedikuar këtë përkrahje skuadrës shqiptare maqedonase. Ndërsa në pushimin mes dy pjesëve ka pasur përplasje mes dy tifozërive, ndërkohë që ultrasit korçarë pas provokimit nga ana e vlonjatëve kanë vrapuar për të kaluar në tribunën E, ku ndodheshin miqtë. Fatmirësis­ht kanë ndërhyrë në kohë uniformat blu duke qetësuar pas 5 minutash të dy tifozëritë, edhe pse "flota kuqezi" ishte shumë e pakët në numër.

-Për t'u veçuar është edhe goli i dytë i Skënderbeu­t i shënuar mbrëmë nga Gjergji Muzaka. Mesfushori shënoi vetëm pas 2 minutash e 30 sekonash pasi u fut në fushën e lojës, duke zëvendësua­r Donjet Shkodrën. Llazi Saro

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania