Panorama Sport (Albania)

Ndeshja e ndërprerë, policia fajëson Tomorin

"Fusha nuk plotëson kushtet, beratasit erdhën pa pyetur"

- BESAR BOZGO

Zbardhet e vërteta e ndërprerje­s së ndeshjes së parë të turit të parë të Kupës së Shqipërisë, Tomori-Bylisi, që po zhvillohej në stadiumin e Skraparit. Një takim që nisi me disa minuta vonesë për shkak të mungesës së forcave të rendit, por u luajtën vetëm 65 minuta, pasi policia nuk ishte më e pranishme duke u larguar nga ambientet e stadiumit. Në një prononcim ekskluziv për gazetën "Panorama Sport", është shefi i Rendit në Komisariat­in e Çorovodës, Migjen Lajthia, ai që tregon gjithçka ndodhi me ndeshjen e ndërprerë të mërkurën.

REAGIMI

"Fillimisht, po ju them që fusha e Çorovodës nuk i plotëson kushtet e sigurisë për zhvillimin normal të ak- tiviteteve sportive. Ajo nuk është e përshtatsh­me për ndeshjet e Kategorisë së Dytë dhe jo më për takime të tjera. Është një fushë me gurë. Për sa i përket rastit konkret, po ju them që klubi i Tomorit na ka lajmëruar vetëm një ditë përpara ndeshjes se takimin ndaj Bylisit do ta luanin në fushën e Çorovodës. Nga ana jonë nuk ka pasur asnjë përgjigje dhe beratasit, së bashku me Bylisin dhe zyrtarët e ndeshjes, kanë ardhur sipas mendjes së tyre duke mos marrë asnjë përgjigje", shprehet fillimisht Lajthia në reagimin e tij. I pyetur se pse forcat e rendit fillimisht e morën përsipër takimin dhe, më pas, u larguan kur kishin mbetur edhe rreth 30 minuta lojë, shefi i rendit përgjigjet: "Nuk e kemi marrë për asnjë moment përsipër garantimin e ndeshjes Tomori-Bylisi. Patrulla e policisë ka qëndruar në afërsi të stadiumit në orarin zyrtar të punës, por jo për të garantuar sigurinë e takimit. Mos harroni që stadiumi i Çorovodës nuk ka një rrethim të jashtëm. Më pas, patrulla është larguar nga vendi i saj pasi ka detyra të tjera. Ne si polici kemi probleme të tjera. Jua thashë që nuk e kemi marrë përsipër ndeshjen për asnjë moment, pasi stadiumi nuk plotëson kushtet e sigurisë. Kjo është e gjithë historia çfarë ka ndodhur me ndeshjen e ditës së mërkurë. Ne respektojm­ë ligjin dhe rregullat", përfundoi prononcimi­n

për gazetën shefi i rendit të Çorovodës, Migjen Lajthia.

NË KAVAJË

E njëjta gjë ndodhi edhe në Kavajë, ku forcat e rendit nuk morën përsipër garantimin e ndeshjes mes Besës dhe Tiranës. Në këtë mënyrë, klubi vendës u detyrua dhe siguroi polici private për zhvillimin normal të takimit. Burime zyrtare në Policinë e Kavajës bëjnë të ditur se nuk u kishte mbërritur shkresa nga qarku për garantimin e sigurisë së takimit. Dhe shprehen se në vazhdim nuk do të ketë asnjë problem dhe se Policia e Shtetit do të garantojë mbarëvajtj­en e ndeshjeve që Besa do të luajë në stadiumin e vet gjatë sezonit në vazhdim. Çështja e forcave të rendit që nuk marrin përsipër ndeshjet ka nisur që në sezonin e kaluar ku shumë stadiume patën probleme për këtë çështje.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania