Panorama Sport (Albania)

Cungu: Më kënaqi vetëm loja, pësojmë gola të pafalshëm

Trajneri: Kemi probleme në sulm dhe mbrojtje

-

Armando Cungu i kënaqet lojës, por jo pikëve. Trajneri i Vllaznisë thekson se në 5 javë kampionat, problemi mbetet i njëjti dhe lidhet me pësimin e golave. Gjatë deklaratës së dhënë për "SuperSport" pas ndeshjes, ai evidentoi se skuadra dominoi në pjesën e parë. "Duke pasur parasysh forcën e kundërshta­rit, që ka në ekip shumë kualitete dhe alternativ­a, nuk është e lehtë ta mundësh. Por, duke u bazuar te loja, mendoj se ishim më superiorë. Krijuam volum, patëm më shumë raste. Në të vetmen herë që kundërshta­ri pati rast, na ndëshkoi. Vazhdojmë të dëmtojmë veten, me situata, të cilat mund të evitohen me shumë thjeshtësi. Nëse do të jetonim me çdo situatë të lojës, nuk do t'i krijonim probleme vetes. Ne ishim më cinikë e agresivë, e kontrollua­m topin. Sidomos në pjesën e parë ishim shumë mirë, me vertikaliz­imet, me lojën nga krahët, duke u futur në zonën e 16-shes. Por vazhdon të mungojë finalizimi. Gjithsesi, në përgjithës­i, i kënaqem lojës, por jo pikëve. Në pjesën e dytë u dukëm pak më të kujdesshëm, pasi patëm edhe ndërrime të detyrueshm­e prej dëmtimeve. Ribaj, Marku apo edhe Çinari, ndaj prania e lojtarëve të tillë, jo në 100% fizik, bëri që të na binte disi ritmi. Në kësi kushtesh, i largova dhe u mundova që të freskoja pak gjendjen e lojtarëve.

Kjo ishte mundësia jonë, pa asnjë në majë të sulmit. Ndaj edhe lojtarët e krahëve i përdora si sulmues", u shpreh fillimisht shkodrani.

Sulmi - Trajneri e pranon se skuadra vuan në sulm, megjithatë ai thekson se golat i pret prej të gjithëve. "Finalizimi mbetet një problem. Por në përgjithës­i jam i kënaqur me rendimenti­n e Ribajt, pasi vrapon shumë. Natyrshëm që duhen golat, pasi futbolli ndaj luhet. Deri në janar shpresojmë që të japim maksimumin, por unë mendoj se fatura nuk u mbetet vetëm sulmuesve, pasi golat mund t'i bëjnë edhe mbrojtësi. Nëse jemi më pak të kujdesshëm, mund edhe të shënonim. Kjo është situata, do presim deri në janar. Paçka se edhe merkatoja e dimrit është e vakët për të gjetur të duhurit", theksoi numri një i stolit të Vllaznisë.

Gjendja - Në fund, ai komenton edhe gjendjen e ekipit dhe thekson se mbrojtja vazhdon të pësojë gola të evitueshëm. "Jemi një ekip që prej 5 javësh u kemi dhuruar gola kundërshta­rëve, kemi bërë gabime të pafalshëm. Edhe sot (dje) u ndëshkuam nga një vendosje e gabuar dhe mungesa e dublimit e stoperave. Ekipi pati volum në 45 minutat e para, por gjendja ra në pjesën e dytë. Gjithsesi, jam i ndërgjegjs­hëm për këtë, pasi kemi lojtarë që vijnë nga dëmtimet e gjata. Ekipi, edhe pse është stërvitur prej 2 muajsh, fazë kemi bërë vetëm 7 ditë në Malin e Zi, për të marrë ngarkesa. Dhe ky është një minus. Ndaj shpresoj që të rritemi fizikisht dhe shpresoj që e njëjta gjë të ndodhë edhe në aspektin mbrojtës", përfundoi Cungu.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania