Panorama Sport (Albania)

Përmbyset situata, fitohet më lehtë në transfertë

Kategoria Superiore/ Bie miti “skuadër fushe” në këtë sezon

-

Opinioni sportiv në Shqipëri për shumë vite me radhë u brumos me mitin "skuadër fushe", pasi në disa stadiume skuadrat mike e kishin të pamundur që të korrnin sukses. Por, në dy sezonet e fundit situata është përmbysur në Kategorinë Superiore, aq më shumë në këtë fillim edicioni, ku fitoret e arritura në pesë javë kampionat janë më të shumta për ekipet mike sesa vendaset. Në 25 ndeshjet e zhvilluara në Superiore për këtë sezon, 9 fitore i kanë marrë skuadrat që kanë luajtur në transfertë, 8 fitore për skuadrat pritëse, ndërsa 8 ndeshje të tjera janë mbyllur në barazim, ku pa dyshim kjo për meritë të skuadrave që kanë qenë udhëtuese. Aktualisht Superiorja ofron një futboll të hapur dhe me një infrastruk­turë të përmirësua­r çdo ekip i ka mundësitë që të marrë rezultat, pavarësish­t statusit, pritës apo mik. Bilanci i këtyre pesë javëve të para tregon se, nëse ke ekip të përgatitur, mund të marrësh rezultat në çdo fushë. Madje, transferta­t kanë qenë më fatsjellës­e për ekipet sesa ndeshjet që kanë organizuar si pritëse. Surprizat nisën që në start, ku Laçi i dha goditjen e parë Partizanit në shtëpi, i cili vinte si favorit absolut. Në kryeqytet edhe Lushnja arriti t'i merrte një pikë Partizanit, ndërsa Skënderbeu e nisi shkëputjen me Kukësin, pikërisht nga fitorja që mori në stadiumin "Zeqir Ymeri". Java e pestë është treguesi më i mirë i thyerjes së mitit "skuadër fushe", pasi në pesë ndeshjet e luajtura, tri fitore i morën skuadrat udhëtuese, Kukësi, Partizani dhe Kamza, ndërsa Flamurtari mori pikë në Shkodër. Skënderbeu mbeti ekipi i vetëm që ruajti të paprekur nderin e skuadrës pritëse, ndonëse me fat arriti të fitonte 2-1 ndaj Laçit. Këto tregues lënë të kuptosh se Superiorja e këtij sezoni do të dhurojë plot të papritura dhe thyerje tabush.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania