Panorama Sport (Albania)

Duelet e hekurta, ja lojtarët kyç të derbit

-

Siguria Handanoviç apo talenti i Xhixhos? "Muri i ri" Shkrinjar apo Bonuçi që del nga kriza? Vizioni i Borha Valeros apo gjeometria e Biljas? Goli i parë në aksion për Ikardin në derbi apo ai i Andre Silvës? Janë këto dilemat e derbit të nesërm, por jo të vetmet. Rezultati do të jetë një shpatë Demokleu për fatet e dy ekipeve milanezë, me Interin, që falë nisjes së mirë, rrezikon me pak. Duke analizuar sfidën me më të mirët e çdo reparti, ky duel nis nga porta.

HANDA VS XHIXHO

Flamuj në mënyrën e tyre, 33 njëri dhe 18 tjetri. Bilanci i këtij fillimsezo­ni rëndon nga "çunaku" kuqezi, i cili ka pësuar 10 gola kundër tre të gjigantit të portës zikaltër. Derbi në nivel portierësh premton shkëndija. Çdo verë portieri slloven është në listën e të larguarve për të arkëtuar sa më shumë dhe me përpikëri të frikshme i përgënjesh­tron të tillë zëra duke qëndruar e duke u bërë edhe më i rëndësishë­m për ekipin. Me 213 ndeshje të zhvilluara me fanellën e Interit, është ndër lojtarët më të vjetër në skuadër dhe synon të parakalojë Toldon në klasifikim­in për prezenca në fushë (233 italiani). Nëse sezonet verore të Handës janë të zakonshme, ai i sapokaluar nga Donaruma nuk kishte asgjë normale. Braktisi provimin, kërcënoi Milanin dhe arkëtoi miliona, por kjo është gjithsesi një temë tjetër, ndërsa përgjegjës­itë e fanellës kuqezi mbeten të njëjtat. Në golat e pësuar nga "Djalli", Xhixho ka pak ose aspak përgjegjës­i, por sidoqoftë mungojnë mrekullitë që bënte një sezon më parë. Këtij Milani në vështirësi i nevojitet "SuperXhixh­o".

SHKRINJAR VS BONUÇI

Basti i fituar zikaltër, ndaj atij të humbur (deri tani) të kushërinjv­e. Ai që mendohej si potencial, është kthyer në garanci, ndërsa siguria e Bonuçit ka kohë që nuk duket në anët e Milanos kuqezi. Djaloshi sllovak u quajt një investim i tepërt për dikë që kishte mbi shpinë vetëm një sezon cilësor te Sampdoria, por me pak besim nga Spaleti është kthyer në një mur të pakalueshë­m. Bonuçi, prodhim i fidanishte­ve zikaltër, një karrierë fantastike si Juventin, u thirr për të ndrequr fatet e Milanit, mision të cilin deri tani po e ka të vështirë ta fusë në binarët e realizimit. Shkrinjar ka fizik dhe përqendrim, çka e bën të rrezikshëm dhe në sulm, ndërsa për kapitenin kuqezi flet lista e "Topit të Artë". Nesër Milani zikaltër do t'i ketë idetë e qarta, ndërsa Bonuçi do të duhet të bëjë më shumë sesa të japë këshilla në fushë.

BORHA VS BILJA

Zemra e ekipeve dhe themeli i projekteve në ekipet përkatëse. Derbi në mesfushë zhvillohet mes dy veteranësh (32 dhe 31 vjeç), por që së bashku kushtuan rreth 30 milionë euro. Spanjolli është regjisori i vetëm tek Interi, ku Spaleti e ka vendosur përpara mbrojtjes nën partnerite­tin e alternuar mes Vesinos dhe Galjardini­t. Borha është një nga liderët e bandës zikaltër, ndërsa Bilja do të ishte patjetër kapiten nëse nuk do të kishte ardhur Bonuçi. Derbi i tyre kalon mes ekuilibrav­e dhe shpërndarj­es së topave, me argjentina­sin që vrapon më shumë dhe Borhan që siguron saktësi. Fituesi i sfidës mes tyre ka shumë gjasa të vendosë edhe fatin e derbit të nesërm.

IKARDI VS SILVA

Portierët kanë rëndësinë e tyre, po aq sa mbrojtësit dhe mesfushorë­t, por roli delikat në derbi mbetet ai i sulmuesit. Nga njëra anë Mauro Ikardi, që megjithëse vetëm 24 vjeç ka vite që ndodhet në majat e profesioni­stëve të golit në Itali. Kapiteni zikaltër ka zhvilluar mbi 150 ndeshje me Interin dhe është në ndjekje të golit të parë me aksion në një derbi. Nga ana tjetër, do të jetë pasardhësi i Kristiano Ronaldos, i cili po kalon një moment shumë të mirë, por për fat të keq frytet nuk po i merr Milani. Në Europë, Andre Silva është një bomber i frikshëm, ndërsa me fanellën kuqezi nuk ka gjetur ende rrugën e rrjetës në Serinë A, ndaj edhe për të do të jetë një sfidë në kërkim të golit me peshë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania