Panorama Sport (Albania)

Milan-Juve, sa shumë gjurmë "ish"-ësh

-

Nga sfida e tyre e parë kanë kaluar 116 vite dhe lavdia është emëruesi i tyre i përbashkët. Rivaliteti arriti kulmin në finalen e Champions- it në Mançester, por mes këtyre dy gjigantëve nuk ka vetëm histori fitoresh e humbjesh, por edhe "ish"-ësh. Në fakt ka shumë lojtarë që kanë veshur me sukses dy fanellat prestigjio­ze ku e zeza kombinohet me të kuqen e me të bardhën. PAS NË KOHË - Emri i madh që vendos të gjithë në një mendje është ai i Xhuzepe Meacës. Pasi ish-internisti kaloi përmes Juves dhe Milanit, këtë udhëtim vendosi ta provonte edhe Zhoze Altafini. Gjithmonë në vitet '70 një tjetër "ish" i famshëm është Fabio Kapelo që më pas të dy klubet do t'i drejtonte. "BREDHARAKË­T" - Aldo Serena është një tjetër lojtar që i ka provuar dy kryeqytete­t futbollist­ike italiane. Paolo Rosi, pasi u largua nga Torino si "Top i Artë", zbarkoi në Milano për 5.3 miliardë lireta, shumë që nuk u justifikua aspak nga 2 gola në 20 ndeshjet e tij si kuqezi. Baxho apo Davids janë të tjerë emra që me Juventusin bënë mrekulli, teksa në Milanon kuqezi nuk u shprehën dot në mënyrën e duhur. Në gjurmët e tyre, megjithëse disi më pas, ecën edhe emra të tjerë ku përveç Borrielos dhe Matrit, spikat ai i Inzagit dhe Vierit. Lista plotësohet nga Abiati që ka bërë disa ecejake në aksin Milano-Torino, Akuilani, Zambrota dhe Emerson, për të ardhur në ditët e sotme ku Storari, Pirlo, De Shiljo e sidomos Bonuçi janë tri ish-ë luksi. TRAJNERËT - Trapatoni dhe Kapelo janë dy personazhe që kanë luajtur dhe drejtuar Juven dhe Milanin. Fitore të shumta dhe tituj që i bëjnë legjenda në historinë e të dy klubeve. Ançeloti nuk u prit mirë në Torino dhe rezultatet nuk ishin ato që priteshin. Rikthimi te Milani si trajner nuk ka nevojë për komente. Fat i ndryshëm për Zakeronin që fitoi një titull me kuqezinjtë, ndërsa me "Zonjën" nuk la gjurmë. I fundit është Maks Alegri që pas një titulli me "Djallin" u bë pjesë e serisë fituese juventine, me 3 tituj kampionë në 3 vite karrierë si bardhezi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania