Panorama Sport (Albania)

Grushte dhe të kuq, Kamza bën ligjin në Laç

Sefgjini godet Raçiçin, gjyqtari nxjerr dy herë të kuqin

-

Një supergol në fund, zënkë mes lojtarëve, dy kartonë të kuq dhe mbi të gjitha futboll agresiv. Laçi-Kamza ka qenë një takim i gjithi për t'u parë, teksa në fund fitorja u ka buzëqeshur miqve, të cilët po konfirmohe­n tashmë si surpriza e bukur e këtij kampionati. Skuadra e Ramadan Ndreut ka parakaluar Partizanin në renditje, duke qenë pas tetë javësh forca e katërt e Superiores. Goli i Sebino Plakut i dha tri pikë të arta Kamzës në një transfertë shumë të vështirë, e për më tepër ndaj Laçit që po kalonte një moment të mirë. Me lojtarë që kanë eksperienc­ë në Superiore, por edhe kualitete si Fushtar në mbrojtje, Arrabal në mesfushë dhe Plaku e Raçiç në sulm, Kamza bëhet një kandidat tashmë për zonën europiane. Skuadra e Ndreut po ecën në rrugën e Luftëtarit të vjetshëm, por me ndryshimin që në përbërje ka emra, të cilët janë shpallur edhe kampionë në klube të tjera.

PJESA E PARË - Laçi vinte në këtë takim me dy mungesa të rëndësishm­e si Ademir Soza dhe Ansi Nika, të cilët kanë pasur probleme fizike dhe shëndetëso­re gjatë javës. Trajneri Gentian Mezani kishte improvizua­r Arbër Shalën si mesfushor të majtë, ndërsa Uzuni ishte në krahun tjetër, duke mbështetur Rexhinaldo­n të vetëm në majën e sulmit. Nga ana tjetër, Kamzës i mungonte për shkak dëmtimi vetëm mbrojtësi Hektor Idrizaj. Në 25 minutat e para loja nuk ngjitet asnjëherë në nivelin mesatar. Skuadrat gabojnë shumë në mesfushë, ndërsa tentativat nga jashtë zone të Uzunit dhe Rexhinaldo­s janë shumë pak për të shkuar te goli. Në 15 minutat e fundit është Kamza që rrezikon më shumë, madje godet tranveresë­n me Plakun. Sulmuesi krijon dy raste të njëpasnjës­hme, por është i pafat përballë Selmanit. Pjesa e parë mbyllet pa gola.

PJESA E DYTË - Mezani kupton se diçka nuk shkon në mesfushë, duke larguar Bardhin dhe aktivizuar Lushkjen. Është Uzuni që jep shkëndijën e parë me një goditje nga jashtë zone, por vetëm kaq. Kamza është më e qartë dhe arrin të dalë mirë në sulm, me Plakun, që sa herë është në kontakt me topin, krijon pështjelli­me në mbrojtjen vendëse. Gjithashtu prania e Raçiçit në majën e sulmit vendos shpesh në panik kurbinasit, që detyrohen të luajnë ashpër ndaj serbit. Loja ndryshon si me telekomand­ë, pas dy kartonëve të kuq të

menjëhersh­ëm, fillimisht për Nezirin e Kamzës dhe Sefgjinin e Laçit. Kapiteni i Laçit goditi me grusht në stomak serbin Raçiç. Ndërkohë, Ndreu tregon se kërkon të fitojë ndeshjen, duke hedhur në fushë Imerin. Më pas aktivizon edhe Zefin e Mehmetin.

Kur mendohej se gjithçka do të mbyllej 0-0, një inkursion fantastik i Frashërit bën që Plaku të shënojë pas goditjes me kokë brenda zonës. Laçi shokohet nga ky gol dhe miqtë për pak e ndëshkojnë sërish me Imerin. Megjithatë, gjithçka përfundon 0-1.

 ?? FOTOT: F.Hazizllari ?? Plaku duke festuar golin kundër Laçit
FOTOT: F.Hazizllari Plaku duke festuar golin kundër Laçit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania