Panorama Sport (Albania)

"Çelsi apo Milan? Lërini të qetë Konten e Montelën"

-

"Çdo ditë më lidhin me një skuadër të re. Së fundmi me Çelsin. Kështu po inatoset dhe miku im Antonio Konte". Karlo Ançeloti, për mikrofonat e "Radio Anch'io Sport", ka komentuar thashethem­et e fundit nga Anglia, që e shohin në stolin e klubit londinez. "Dëgjohem shpesh me Konten dhe asgjë nuk është e vërtetë", ka thënë ish-trajneri i Bajernit të Mynihut. "Në vazhdim janë shtuar edhe klubet kineze dhe Evertoni, por për momentin nuk e di se kush është e ardhmja ime. Do ta diskutojmë në qershor, tani do pushoj". Nga Anglia në Itali, nga Çelsi te Milani, Ançeloti e analizon kështu momentin e kuqezinjve: "Në futboll nuk ekzistojnë magjistarë­t me shkopin magji, duhet treguar durim, të gjenden lojtarët e duhur për projektin. Milani kreu një merkato blerjesh që të gjithë e cilësuan të jashtëzako­nshme, por nuk mjaftojnë gjashtë muaj apo një merkato për të ndërtuar skuadrën, shërben kohë, vazhdimësi në investime dhe në punë". Dhe vijon: "Vendi i katërt është me vlerë, të jep mundësinë të luash në Ligën e Kampionëve dhe të arkëtosh para që mund të investohen. Por, akoma më e rëndësishm­e është të mos humbasësh shpresat kur gjërat nuk shkojnë mirë. Besoj se klubi e kishte në preventiv mundësinë që gjërat të mos shkonin siç pritej, Milani afroi lojtarë cilësorë, që mund të rriten dhe të cilëve mund t'u shtohen kampionë me peshë". RRETH SHKARKIMIT - "Shkarkimi nga Bajerni? Ndoshta klubi nuk pati më besim te puna që po zhvilloja. Është e drejtë që tani të shoh përpara dhe të shfrytëzoj kohën për të ndjekur futbollin si spektator, me interes, të kërkoj një mundësi për të ardhmen, por jo menjëherë. Dua të kem një mundësi për të krijuar një projekt dhe të punoj me qetësi, edhe pse puna jonë është e tillë që nuk të lë të qetë, por është normale. Mjafton një rezultat i gabuar dhe presioni shtohet. Unë megjithatë pres me durim, nuk nxitohem".

PËR VAR-in - "Çfarë mendimi kam për VAR-in? Që ka ardhur me shumë vonesë, duhet të ishte përfshirë më parë në futboll. Vetëm një i marrë mund të mendojë që nuk ka dobi. Zgjidh shumë probleme në nivel polemikash, në qetësinë e arbitrave. Mendoj se tashmë të gjithë kanë rënë dakord dhe për fat do përdoret edhe nga Botërori i ardhshëm. Eviton probleme, këtu s'ka diskutim".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania