Panorama Sport (Albania)

Frika nga incidentet, Skënderbeu si në "Big Brother"

- Nga i dërguari ynë në Beograd, JORGIS MEMO

"Kanë

vënë mend nga ndeshja e tri viteve më parë, SerbiShqip­ëri. Asgjë nuk do të ndodhë, i gjithë shteti është angazhuar për këtë ndeshje. Edhe xhandarmër­ia ka dalë në rrugët e qytetit". Teksa ankthi sapo vinte e shtohej, me ndjenjën e frikës dhe rikujtimin e skenave të dhunës së 14 tetorit 2014, është një diplomat shqiptar ai që qetëson të gjithë stafin korçar përpara nisjes për në stadium. Lojtarët e Skënderbeu­t dukeshin të qetë, madje me shumë vetëbesim për atë do të ndodhte brenda fushës, edhe pse nuk u evitua humbja pas 90 minutave. Tensioni më i madh ishte te delegacion­i që shoqëronte Skënderbeu­n. Prania e një numri të madh forcash rendi, duke filluar nga hoteli, të gjitha rrugët e Beogradit dhe natyrisht në stadium, të krijonte një situatë frike. Autobusi i Skënderbeu­t është i rrethuar nga forca speciale dhe makina të blinduara. Në Beograd befas të shfaqet pamja e rrugëve tona të bllokuara sa herë që luan Kombëtarja në Elbasan apo Shkodër. Askush nuk mund të kalonte me makinë nga hoteli "Crown Plaza", ku ishin akomoduar korçarët dhe deri te stadiumi në orën 17:00 të së enjtes. Gjithsesi, situate shtensiono­het shpejt, kur pas vetëm 5 minutash udhëtimi, ekipi mbërrin në stadium. Sjellja e policisë serbe është korrekte dhe, mbi të gjitha, jep garanci se nuk do të ketë asnjë moment të pakëndshëm. Për shkak edhe të emocioneve të momentit, në fushën e stadiumit "Partizani" nuk futet vetëm ekipi, por thuajse i gjithë delegacion­i. Diçka që nuk lejohet, por oficerët e sigurisë së UEFA-s e kuptojnë që kemi të bëjmë thjesht me një ngatërresë dhe situata zgjidhet shpejt. Por, lind një problem me përfaqësue­sit e medias të ardhur nga Shqipëria për të ndjekur ndeshjen e Skënderbeu­t. Tribuna e gazetarëve ndodhej në pjesën përballë të stadiumit, aty ku kishte vetëm serbë. Policia nuk donte që ekipi dhe delegacion­i që e shoqëronte të futej në stadium i ndarë. Kjo, për efekt sigurie. Përfaqësue­si i UEFA-s vendos të fusë edhe gazetarët në fushë. Kalojmë përmes pistës së stadiumit, aty ku forcat e rendit na shoqërojnë pa rënë shumë në sy, ndërsa surpriza është një stjuart shqiptar. "Jam shqiptar nga Presheva. Rrini të qetë, mos kini frikë, asgjë nuk do të ndodhë", siguron ai, pa mohuar që është tifoz i Cervena Zvdezës dhe "urren" Partizan Beogradin.

NDESHJA DHE PROVOKIMET

Sipas autoritete­ve serbe, në stadium ishin afro 1200 forca rendi. Natyrisht, në të gjithë sektorët e stadiumit kishte agjentë të infiltruar. "Në tribuna një në katër veta është polic. Agjentura serbe është në gatishmëri, ashtu si xhandarmër­ia", na tregon një zyrtar i policisë serbe. Forcat e rendit përqendroh­en më shumë te tribuna ku ishin ulur ultrasit e Partizanit, të quajtur "Grobari". Për policinë ndeshja dukej më e menaxhuesh­me nga shkallët, edhe për faktin se nuk kishte as 12 mijë tifozë. Provokimet nga ultrasit serbë janë të natyrshëm, por asgjë nuk ndodh. Lojtarët e Skënderbeu­t tregohen profesioni­stë dhe nuk bëjnë asnjë gjest antisporti­v, madje edhe kur serbë që dinin pak shqip, ofendojnë në gjuhën tonë. Dy oficerët e sigurisë së UEFAs mbajnë shënim gjithçka, ndërsa i acaron më shumë spikeri i ndeshjes, që në vend të bëjë detyrën, nxit shpesh tifozët me thirrje që janë të palejueshm­e. "Ajmo, ajmo, ajmo (hajde, hajde, hajde)", u tha shpesh nga fonia në drejtim të grupimit "Grobari", që fjalën "shqiptar" e përmendën pak, ndërsa atë "Kosova", me aq fuqi sa kishin nga të gjithë sektorët e impiantit.

POST-NDESHJA DHE LARGIMI

Kalojmë sërish nga pista e stadiumit për të shkuar në sallën e konferenca­ve për shtyp, që është improvizua­r në një fushë basketboll­i. Serbët duken shumë të kënaqur, jo thjesht për fitoren, por mbi të gjitha organizimi­n e ndeshjes. Ndërsa tifogrupi "Grobari" nuk ka ndër mend të largohet nga stadiumi, duke kënduar edhe për 10 minuta në kor pas përfundimi­t të ndeshjes. Ky është momenti më i sikletshëm për policinë, pasi duhet të shoqërojë ekipin shqiptar deri te hoteli, në një kohë që rrugët janë plot me tifozë. Por, çdo gjë shkon sipas parashikim­eve. Skuadra qëndron jo më shumë se një orë në hotel. Pasi konsumon darkën, niset drejt aeroportit të Beogradit, pasi më 01: 00 duhet të udhëtonte drejt Tiranës. Masat e sigurisë në shoqërimin deri tek aeroporti janë edhe më ekstreme. Autobusi i ekipit dhe dy furgonë, ku udhëtojnë drejtuesit e klubit dhe përfaqësue­sit e medias, rrethohen nga të katërta anët me makina të blinduara. Shpejtësia e makinave në rrugëtimin në autostradë­n që të çon tek aeroporti i kalon 140 km në orë. Një makinë policie qëndron pas autobusit me një zyrtar që ka kamerën në dorë. "Filmojnë gjithçka, pasi duan të evitojnë edhe incidentin më të vogël", tregon një prej zyrtarëve të Ambasadës Shqiptare në Serbi. Për efekt sigurie, edhe pse nuk do të ktheheshin në Shqipëri me ekipin, policia detyron një grup prej 10 vetash, mes tyre gazetarë dhe drejtues të klubit, që të shkonin deri në aeroport. Kjo ishte taktika e policisë, duke lënë të kuptohet se të gjithë shqiptarët e akomoduar në hotelin e Skënderbeu­t janë larguar tashmë. Pasi skuadra futet në aeroport, pjesa e mbetur ka një destinacio­n tjetër. Duhet të shkojë në një hotel 30 kilometra larg stadiumit. Për autoritete­t vendëse puna nuk ka përfunduar, pasi ata duan që edhe shqiptari i fundit që do të lërë Serbinë të shkojë pa probleme deri në aeroport. Dhe ashtu ndodh. Policia është e pranishme edhe në hotelin e ndryshuar, për të thënë të premten në mëngjes: "Mirupafshi­m dhe mirëardhsh­i në Beograd!".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania