Panorama Sport (Albania)

Dueli në Kosovë, Shkëmbi mposht Prishtinën e Josës

Trajneri i Lirisë: Mësuesi ka qenë i mirë, kam përfituar nga Mireli

-

Liria e Prizrenit ka mposhtur Prishtinën në kryendeshj­en e javës së 14-të të kampionati­t kosovar. Ndeshja bëhej më e veçantë, pasi përballë ishin si trajnerë Bledi Shkëmbi dhe Mirel Josa, që vetëm pak vite më parë kanë bërë historinë te Skënderbeu, duke fituar tituj kampionë radhazi dhe u kualifikua­r në grupet e Ligës së Europës. Prizrenasi­t e drejtuar nga Shkëmbi fituan në stadiumin "Përparim Thaçi" me rezultat minimal 1-0, falë golit të sulmuesit peqinas Artur Magani në minutën e 75të. Momentalis­ht renditja e Vala Superligës kryesohet nga Llapi me 26 pikë në 13 ndeshje, ndërsa pas tij qëndrojnë Prishtina me 25 pikë dhe Drita me Lirinë, që kanë secila nga 22 pikë. SHKËMBI - Trajneri i Lirisë, Bledi Shkëmbi, është shprehur shumë i kënaqur me fitoren ndaj Prishtinës. Ai përgëzoi lojtarët e tij për angazhimin dhe disiplinën gjatë 95 minutave. "Si trajner e dua vazhdimësi­në. Ishte një fitore e merituar, por duhet të marrim pikë edhe jashtë fushës sonë. Mposhta mësuesin? I bie që mësuesi ka qenë i mirë, sepse unë kam mësuar shumë nga ai. E kam thënë edhe më parë, që ardhja e Josës i ka dhënë një fizionomi tjetër Prishtinës. Mbase nuk është një Prishtinë e bukur, por mbetet shumë e fortë. Ndihem shumë i kënaqur që i mposhtëm. Ky është një kampionat shumë i fortë, i barabartë. Kjo i shërben shumë futbollit kosovar", deklaroi Shkëmbi pas ndeshjes për "Supersport".

JOSA - Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, evidentoi dy problemet që ia shkaktuan këtë disfatë ekipit bardhekalt­ër. Sipas Josës, dyluftimet e fituara nga Liria në mesin e fushës ishin fatale. "E vendosi shpirti i garës që e pati Liria. I fitoi dyluftimet, fitoi shumë topa në mesfushë. Topat që na fituan, bënë që ne të mos jemi mirë në repartin defenziv. Na prishi planet edhe dëmtimi i Mankendas, pasi kemi shumë lojtarë me probleme dhe e patëm të pamundur të implemento­jmë planin tonë. Pas pësimit të golit, skuadra pati dëshirë për të shënuar, reagoi mirë, mirëpo nuk patëm kohë për të shënuar. Prishtina është ende në garë për titullin kampion dhe kjo humbje mund të na shërbejë".

MAGANI - Sulmuesi peqinas ishte heroi i ndeshjes. Ai e vlerëson maksimalis­ht fitoren, pasi sipas tij, Prishtina është ekipi më kualitativ në Superligë momentalis­ht. "Ky ishte goli i katërt për mua, por nuk do ta veçoja nga tre të tjerët, sepse kam bërë punë të madhe gjatë gjithë këtyre muajve. Prishtina ishte një rival shumë i fortë. Është ekipi më kualitativ në Superligë, prandaj ishte një fitore shumë e rëndësishm­e për ne. Kampionati këtu është shumë i vështirë".

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania