Panorama Sport (Albania)

Iliria thyen Shkumbinin, fitore me zemër në dorë

-

Iliria rikthehet te fitorja, pasi dje mposhti me rezultatin 2-0 Shkumbinin. Fushë-krujasit ishin në çdo moment dominues në këtë takim, të cilin e zhbllokuan fillimisht me Boçin, i cili duhet theksuar që ishte njëri ndër lojtarët më të mirë të ndeshjes. Goli i dytë erdhi në fundin e takimit nga Bardhi që vulosi shifrat 2-0. Fushë-krujasit pas kësaj fitoreje arrijnë në kuotën e 9-të pikëve, duke u renditur të 5-ët në klasifikim. NDESHJA - Topin e parë e nisin vendësit me Xhabrahimi­n që jep një asist për Doçin, ky i fundit kroson në zonë aty ku ndodhet Sala, i cili me kokë tenton portën, por topi përfundon jashtë. Fushë-krujasit janë ata që, herë pas here, rrezikojnë, por miqtë luajnë vetëm në fushën e tyre dhe mbrojnë mirë. Bardhi shfaqet rrezikshëm dhe në të 17-ën ka një mundësi të artë, por sfera e goditur prej tij, kalon ngjitur me shtyllën pingule. Iliria vazhdon të sulmojë dhe miqtë vetëm largojnë topin. Në të 20-ën ka një goditje këndi për vendësit. Është Balluku ai që kroson bukur në zonë, aty gjendet Boçi, i cili me kokë tund rrjetën dhe kalon Ilirinë në avantazh 1-0. Vendësit kërkojnë të shënojnë sërish dhe, fill pas golit të parë, kërkohet i dyti. Gjokeja kroson në zonë, aty ku ndodhet Xhabrahimi, i cili provon me kokë, por është i pafat. Miqtë as nuk e marrin mundimin të sulmojnë. Në harkun kohor të disa minutave, janë Sala, Boçi dhe Bardhi që i afrohen golit, me raste të pastra, por pa rezultat. Disa minuta pa u mbyllur pjesa e parë, Sala është i detyruar të kryejë dy zëvendësim­e, pasi Balluku dhe Sala dëmtohen dhe në vendin e tyre aktivizohe­n Berberi dhe Zuna. Fraksioni i parë mbyllet me rezultatin 1-0, ndërsa pjesa e dytë nis me një rast të miqve. Është Bullari i sapofutur në lojë që tenton portën, por topi kalon ngjitur me shtyllën. Vendësit marrin sërish kontrollin e topit dhe është i sapofuturi në lojë Kevi Berberi që shfaqet rrezikshëm, por pret Ajazi. Dy minuta nga fundi është Bardhi ai që me një goditje potente, e çon topin në rrjetë dhe shifrat në 2-0, rezultat me të cilin mbyllet i gjithë takimi. Shkëlqim Hasani GOLAT: Boçi 20', Bardhi 88' ILIRIA: Baku, Sala (Zuna 41'), Papleka ( Turkaj 76'), Boçi, Gjokeja, Doçi, Bardhi, Mëllugja, Kurti, Balluku ( Berberi 41'), Xhabrahimi. Trajner: F.Sala SHKUMBINI: Ajazi, Meta, Xhyra, Beqiri (Lluta 65'), Nexha, Bërdufi, Sadiku, Musaku, Dervishi (Bullari 38'), Hasanaj (Hasalliu 65'), E.Lluca. Trajner: S.Branica KARTONË TË VERDHË: Boçi 27'/ Dervishi 35', Beqiri 59', Bajramaj 63'

GJYQTARË: B.Kaimi, R.Avdo, S.Zeka

VËZHGUES: Alfred Lamçe DELEGAT: Alban Tafaj

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania