Panorama Sport (Albania)

Javë surprizash dhe dyshimesh, ka shumë dilema

-

Java e surprizave. Kështu mund të konsideroh­et e 7-ta e Kategorisë së Parë që u mbyll të hënën me dy supersfida. Nga Bylisi që mund Tiranën për herë të parë këtë sezon, te Besa që vazhdon të habisë nga java në javë e deri te përmbysja e çmendur e Tomorit në Fier ndaj Apolonisë, ku brenda katër minutash shënon tre gola. Është nga ato javë ku janë hedhur dyshime dhe janë ngritur hipoteza. Rrjetet sociale janë një mundësi e mirë për tifozët që, pasi shfryjnë për dy orë nëpër stadiume, kalojnë në idetë e konspiraci­onet që startojnë dhe më pas shumohen në rrjetet sociale. Me koeficient­ë, tolerime dhe dyshime për trukimet, një sëmundje që duket se është e vështirë tashmë që të largohet nga futbolli shqiptar. Tirana kishte mundësinë më të mirë që të shkëputej në krye, nëse do të fitonte ndaj Bylisit në sfidën në "Selman Stërmasi". Me gjashtë fitore radhazi, 17 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar, bardheblut­ë duket se e kishin llogaritur edhe këtë 3-pikësh ende pa u luajtur takimi. Por, Bylisi bën surprizën më të madhe të javës. Mund Tiranën dhe rihap garën për kreun. Talenti Zisi vendos sfidën me një inkursion shumë të bukur që nga mesfusha dhe me goditjen vrasëse për Likën. Tashmë, diferenca mes Tiranës dhe Bylisit është ngushtuar në vetëm tri pikë dhe lufta është më se e hapur. Tomori ishte surpriza e radhës këtë javë. Apolonia në avantazh të dy golave, në një kohë që beratasit përmbysin gjithçka në vetëm katër minuta duke nisur nga e 82-ta. Tifozët kanë hedhur dyshime për trukim, në një kohë që ka pasur akuza të shumta. Për sa i përket klasifikim­it, Tomori dhe Apolonia janë me pikë të barabarta me nga 11. Pogradeci është rikthyer te fitorja duke mundur lehtësisht Naftëtarin 2- 0. Nga ana tjetër, kuçovarët vazhdojnë të jenë të fundit duke rrezikuar seriozisht rënien. Shënkolli nuk fal në shtëpi. Lezhjanët mundin Turbinën 2-1 dhe nisin ngjitjen. Duket se ekipi po ambientohe­t edhe me Grupin B javë pas jave. Ndërsa, Iliria ka fituar 2-0 me Shkumbinin në një sfidë shumë të luftuar. Në Grupin A, Kastriotit i kanë mjaftuar vetëm tri minuta për të zgjidhur sfidën më të rëndësishm­e të javës me Besëlidhje­n. Krutanët realizojnë dy gola të shpejtë në minutat e para dhe më pas menaxhojnë më së miri avantazhin. Një 3-pikësh që e shkëput Kastriotin në krye të grupit me pesë pikë më shumë se Besa që është e dyta. Kavajasit nga ana e tyre mbeten në krizë. Pas humbjes turpëruese 5-1 që pësuan një javë më parë në fushën e tyre me Egnatian, të shtunën u thyen sërish në Shkodër nga Vllaznia B. Pas një starti shumë të mirë duke ngjallur besim për rikthimin në elitë, në Kavajë duket se gjërat janë më të ndërlikuar­a se sa shfaqen. Ekipi i ndërtuar vetëm në ditët e fundit ka probleme dhe nuk do ta ketë aspak të lehtë. Korabi kalon lehtësisht Dinamon duke e mundur 2- 0. Një sfidë ku dibranët janë dominues gjatë të gjithë lojës dhe sigurojnë 3-pikëshin. Egnatia e dehur nga fitorja 5-1 me Besën, në takimin e radhës nuk shkon më shumë se një barazim pa gola ndaj Erzenit duke humbur një mundësi të mirë për të ngjitur shkallë në renditje. Burreli po përjeton një prej sezoneve më të dobëta të viteve të fundit. Matjanët u mundën 2-0 në fushën e tyre nga Tërbuni dhe vazhdojnë të jenë të fundit. Besar Bozgo

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania