Panorama Sport (Albania)

Frika nga trukimet, FSHF heq ndeshjet të premten dhe të hënën

Zyrtarizoh­et vendimi, takimet të shtunën dhe të dielën

-

Ajo që gazeta "Panorama Sport" e kishte lajmëruar dy ditë më parë, u konfirmua dje. Në shkrimin e së mërkurës u zbardh kërkesa e Federatës Shqiptare të Futbollit drejtuar TVSH-së, që zotëron ekskluzivi­tetin e transmetim­it të ndeshjeve të Kategorisë së Parë, që të shmangeshi­n ndeshjet të premteve dhe të hënave. Kjo, për shkak të dyshimeve të mëdha për trukimin e takimeve për përfitime bastesh. Dje ka ardhur edhe konfirmimi nga FSHF se një kërkesë e tillë duket se është plotësuar. VENDIMI - Takimet e javës së tetë të Kategorisë së Parë, të cilat do të luhen fundjavën e ardhshme, janë vendosur të zhvillohen të shtunën dhe të dielën. Federata ka bërë publik dje kalendarin e këtyre takimeve ku nëntë prej tyre do të luhen të shtunën në orën 14:00 dhe vetëm Besa-Kastrioti do të zhvillohet të dielën po në të njëjtën orë. Në këtë mënyrë, Federata vendos të marrë një masë paraprake për të ulur rrezikun e trukimit të ndeshjeve për përfitime bastesh. Një fenomen që u bë shumë shqetësues në javët e fundit në Kategorinë e Parë, ku u regjistrua­n rezultate të dyshimta. Megjithatë, mbetet për t'u parë nëse kjo masë do të ruhet deri në fund të sezonit apo jo. Pasi në shumë raste ka ndodhur që vendime të tilla, Federata i zbaton për pak kohë. PRECEDENTË­T - Gjatë sezonit të kaluar në Kategorinë e Parë, fenomeni i trukimit të ndeshjeve u bë shqetësues. Tolerimet bëheshin pa asnjë lloj problemi, në një kohë që shfaqjet që jepeshin në fushë ishin të shëmtuara. Aktorë në këtë garë akuzuan në mënyrë të drejtpërdr­ejtë, ndërsa askush nuk frikësohej. Dhe Federata Shqiptare e Futbollit nisi hetime në lidhje me takimet e trukuara, por që nuk u mor asnjë masë. Gjithçka kaloi në heshtje duke mos dënuar askënd. Në këtë mënyrë, u amnistuan të gjithë duke u dhënë zemër skuadrave që të vazhdojnë me këtë mënyrë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania