‘Terminatori’ i Shqipërisë, skaneri i golave të Sadikut

Zero penallti, dopieta, gola spektakolarë dhe nga... ajri

Panorama Sport (Albania) - - KOMB ËTARJA - GENTJAN ALINANI

Armando Sadiku është zyrtarisht kandidati kryesor për të qenë golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares Shqiptare. Me dopietën e shënuar ndaj Turqisë arriti të parakalonte Igli Taren ( 10 gola) dhe të barazonte Rrakllin dhe Hamdi Salihin me 11 gola. Erjon Bogdani ka 18 të tillë, por me këtë ecuri Sadiku me shumë mundësi do ta parakalojë duke parë moshën e tij dhe faktin që do të ketë shumë ndeshje në dispozicion për shkak të eliminatoreve dhe të "Nations League". 26-vjeçari është sulmuesi më në formë i Shqipërisë dhe këtë po e tregon me vazhdimësinë e tij dhe me golat e njëpasnjëshëm, si në ndeshjet zyrtare, ashtu edhe në ato miqësore. Dopieta e shënuar ndaj Turqisë nuk ishte aspak rastësi, për më tepër u arrit vetëm me dy goditje në portën kundërshtare. Por, rritja që ka pësuar Armando Sadiku si sulmues është një paralele me rritjen e Kombëtares Shqiptare. Ishte i pari që shënoi golin zyrtar në epokën "De Biazi" ndaj Qipros, pastaj goli në Europian dhe më vonë golat në eliminatoret e Botërorit me Maqedoninë dhe Izraelin. Për një kohë u "zhduk" për shkak të dëmtimit, por u rikthye për të marrë nën kontroll frenat e sulmit kuqezi.

DOPIETAT - Ai spikati pikërisht falë dopietave që shënoi me Kombëtaren e moshave U-21 dhe fitoi besimin e trajnerit De Biazi. Në tri ndeshje me Shpresat Sadiku arriti të realizonte 6 gola (2 për çdo ndeshje). Këtë ritëm nuk e mbajti dot në startin e aventurës së tij me kuqezinjtë, por në dy ndeshjet e fundit që ka shënuar e ka dërguar topin nga dy herë në rrjetë. Izraeli dhe Turqia janë viktimat e tij të preferuara, ndërsa ekipeve të tjera u ka shënuar nga 1 gol.

VENDIMTAR - Armando Sadiku është vendimtar në ecurinë e Kombëtares Shqiptare dhe këtë e tregojnë statistikat. Jo vetëm për faktin që do të mbetet në histori si autori i golit të parë në Europian, por sepse deri tani nga 9 ndeshjet ku ka shënuar, Shqipëria ka humbur vetëm 1 prej tyre dhe ka fituar 8. Sa herë shënon Sadiku, probabiliteti është që Shqipëria t'i fitojë ndeshjet. Humbja e vetme ka qenë me Austrinë në miqësore.

EFEKTIVITETI - Ka një tjetër aspekt ku 26-vjeçari nga Elbasani është i pari. Në raportin gola për ndeshje ai tashmë ka arritur të jetë në krye sepse në 32 sfida e ka dërguar topin në rrjetë 11 herë. Kjo do të thotë 0.34 gola për ndeshje duke lënë pas Kushtën me 0.32, Aliajn me 0.27, Boriçin me 0.25, Bogdanin me 0.24 dhe Salihin me 0.22. Ai është sulmuesi më produktiv nga 10 golashënuesit më të mirë të Shqipërisë.

ROSHI - Armando Sadiku duhet t'i ndajë meritat me shokun e skuadrës Odise Roshi. Ka një fakt shumë interesant. Me dy asistet që mesfushori i djathtë i dha sulmuesit ndaj Turqisë e dërgoi në 5 numrin e asisteve për Sadikun. E thënë më qartë, Roshi ka kontribuar në 5 gola të Sadikut, ndërsa 3 të tjerë janë për meritë individuale të sulmuesit. Meha, Kaçe dhe Memushaj i kanë dhënë 3 asistet e tjerë për gol.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.