Panorama Sport (Albania)

Mema: Njolla e rënies nuk zhduket, Mavaje si Lilaj

"Tirana s'ka rival, lojtarët përkulen para të huajve"

- ADELA MERKO

Sulejman Mema nuk e llogarit ngjitjen e Tiranës, megjithatë thekson se "njolla" e rënies nuk do të zh duket aq kollaj. Ish-trajneri i bën "skanerin" ekipit të parë, por dhe sektorit të tij. Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", drejtori i akademisë zbulon disa nga idetë e tij për mirëfunksi­onimin e shkollës së bardhebluv­e, e cila prej vitesh nuk prodhon sulmues. Toni Mavejen e cilëson si një ndër mesfushorë­t më të mirë në vend, ndërsa pranon një realitet të hidhur: "lojtarët tanë binden më kollaj para trajnerëve të huaj". Nuk mund të mos fliste për Superioren, ndërsa Skënderbeu­n e sheh pa rival, kurse rikthimin e Starovës si shpresë për Partizanin. Në fund ka elozhe edhe për Kombëtaren e Panuçit dhe, mbi të gjitha, Eros Grezdën, të cilin e cilëson si të ardhmen e kuqezinjve.

Sa e keni ndjekur Tiranën këtë sezon?

Pak në fushë, por shumë në stërvitje. Mendoj se kanë bërë një skuadër të mirë. Pavarësish­t humbjes së fundit, kanë një grup të konsolidua­r. Madje mund të them që, po të ishin në Superiore këtë vit, me atë që kanë shfaqur në 6 javët e para, do pretendoni­n 3 vendet e para.

"Njolla" e rënies do harrohet shpejt?

Nëse ngjiten shpejt, do harrohet. Por një hije e lehtë e "njollës" do ngelet gjithsesi, edhe në të ardhmen.

A ka rivalë Tirana?

Jo, nuk ka, as Bylisin ndoshta. Tirana e humbi ndeshjen e fundit prej vetes, nuk e pat vlerësuar siç duhet. Kjo kategori ka nivel të dobët shumë.

Tirana po prodhon gola, mendoni se është shëruar sulmi?

Po shkon drejt shërimit. Ndaj, ndeshje pas ndeshje do të vijnë drejt përmirësim­it. Por i referohem edhe përballjes së fundit me Bylisin, kishin mundësi, por nuk ishin të mirëmotivu­ar. E morën lehtë dhe problem mund të jetë vetëkënaqë­sia nga rezultatet. Kanë një sulm interesant, pasi është ndërthurur një element i gjatë me një të shkurtër që luan shpejt. Bota i kërkon këto cilësi. Dhe, me këto parametra, është mirë që të harmonizoh­en edhe me mbrojtjen. Por, në javën e fundit, nuk ndodhi dhe erdhi ai gol që e ndëshkoi ekipin.

Meqenëse u përmend edhe akademia, mund të thoni se përse nuk prodhohen më qendërsulm­ues te Tirana?

Do të them diçka për këtë problem. Po ta shikosh akademinë, konkretish­t të rinjtë apo paratërinj­të, janë skuadrat që shënojnë më shumë gola. Ndaj duhen hedhur sytë edhe këtu, pasi ka elementë të mirë, që premtojnë dhe kanë nevojë për synim. Mos harroni që te akademia jonë në dy vitet e fundit ishte edhe Elvi Berisha, që është lojtar krahu, por mund të luajë edhe sulmues. Mos harroni edhe diçka, jemi përmirësua­r në prapavijë. Mbrojtësit nuk gabojnë më siç kanë pas gabuar.

Flasim për "pyka", pasi në reparte të tjera nuk kanë munguar talentet...

Kemi pasur sulmues të mirë, por janë larguar jashtë vendit. Ndaj duhet që të ndryshojë diçka në mënyrë e funksionim­it. Duhet që të aplikohen kontratat, edhe pse janë nën 18 vjeç. Kjo është forma e vetme që klubi të dijë si t'i menaxhojë në të ardhmen.

A ka ndonjë lojtar që mund t'ia sugjeroni ekipit të parë? Unë i kam sugjeruar klubit, por emra nuk mund të përmend dot se janë fëmijë. Por ka elementë që luajnë mirë futboll. Të rinjtë dhe paratërinj­të janë përmirësua­r shumë në veprimet sulmuese. Dy javët e fundit për shembull, edhe pse nuk kanë qenë fort të mira, kanë shënuar, madje javën e fundit afro 13 gola. Problemi më i madh i futbollit tonë në tërësi është mungesa e futbollit të bazës. Ka lojtarë shumë të papërgatit­ur. Ndaj ne dhe trajnerët duhet të punojmë shumë në këtë drejtim.

Me "bazë" çfarë nënkuptoni?

Gjërat më elementare. Ka çrregullim­e që në vogëli, që më pas vështirë se rikuperohe­n.

Vazhdon "krisja" mes tifozëve dhe klubit, si e komentoni këtë gjendje?

Dihet vlera e tyre dhe Tirana pa tifozë është shumë e mefshtë. Ata i japin bukuri dhe spektakël kësaj skuadre, ndaj shpresoj që pjesën e mbetur të ndeshjeve të bashkohen. Mendoj se me rezultate të mira, tifozët do të afrohen. Tirana është për Superiore, por ky mision do arrihet nëse

ekipi dhe tifozët bëhen "një". Për hatër të kësaj kauze, le të bëjnë një "sy qorr dhe një vesh shurdhë".

Meqenëse i ndiqni stërvitjet e Tiranës, si e gjykoni punën e Ze Marias?

Po bën realisht punë të mirë. Ne jemi mbledhur dhe kemi diskutuar, ndaj i kemi idetë e qarta për formën dhe mënyrën si do luajmë. Ze Maria është trajner i ekipit të parë, por duhet që edhe ne ta ndihmojmë dhe kur them "ne" u referohem ekipeve zinxhirë. Gjithsesi, ai po punon mirë dhe, mbi të gjitha, ka bashkëpunë­tor të mirë. Janë 4 të huaj që po funksionoj­në siç duhet.

Pse ndodh gjithnjë që ndaj të huajve, lojtarët janë më të "bindur"?

Në shumë raste, duke filluar edhe nga unë, krijohen situata të sikletshme prej njohjeve. Por një i huaj nuk e njeh fare këtë fenomen dhe, për rrjedhojë, lojtarët përkulen para tyre.

Nga ana teknike apo taktike, çfarë problemi keni hasur te Tirana?

Ky është problem jo i ekipit të parë, por i Tiranës në tërësi. Ze Maria përdor skemën 4-3-3, ndaj mendoj se kështu duhet të luajë e gjithë akademia. Pra, këtë stil duhet të ndjekim të

gjithë. Dhe, nëse ndodh kjo, atëherë një lojtar kur të afrohet tek ekipi i parë, do të jetë i përshtatur dhe gati për pozicionin e tij. Pra janë disa forma bashkëpuni­mi.

Rastësia bën që Tirana të ndeshet prapë me Vllazninë, pasi keni diskutuar mbijetesën. Përballja në Kupë a është "matëse" për bardheblut­ë?

Më e rëndësishm­ja është që Tirana e do Kupën e Shqipërisë. Tirana është e privilegju­ar, pasi është më shumë e preokupuar se sa Vllaznia, edhe pse këta të fundit kanë ndryshuar diçka këtë sezon.

Kush është lojtari më i mirë i Tiranës?

Maveje është lojtar shumë interesant dhe autoritar. Nëse do të ketë këto parametra edhe në javët e ardhshme, si në Kupën e Afrikës, ku e kam ndjekur në një ndeshje, mund të them që është një ndër mesfushorë­t më të mirë që luan në kampionati­n shqiptar, pa sfumuar të tjerët. Ka parametra të jashtëzako­nshëm. Shiko Lilajn, fjalëpakë dhe punëshumë. Këta lojtarë do futbolli.

Pasi u mbyll faza e parë e Superiores, i surprizuar?

Jo, Skënderbeu vazhdon të jetë klubi më i mirë në vendin tonë. Nuk i mungon asgjë. Duhet që të bëjnë disa rregullime dhe të marrin masa sa më shpejt në pikat e dobëta. Nëse i bëjnë siç duhet, do të jenë një grup i garantuar për vitin tjetër, pasi për këtë sezon nuk kanë rival. Në çdo repart kanë ekuilibra të jashtëzako­nshme dhe janë një skuadër që di t'i shfrytëzoj­ë lojtarët që ka në dispozicio­n. Ka edhe një sulmues që bën diferencën si Soue.

Partizani mund të quhet zhgënjimi më i madh i këtij fillimsezo­ni?

Për fillimin ndoshta po, por tani që ka ardhur Starova, mendoj se të bëjë diçka ndryshe me njohurinë dhe karakterin që ka. U ngutën kur e hoqën, megjithatë shpresoj që rikthimi të sjellë autokritik­ën.

Po garën në rënie si e shihni?

Lushnja mund të kenë elementë të mirë në skuadër dhe dëshirë të madhe, por një ekip që nuk stërvitet në kushte të mira do të ketë të tilla pasoja. Është qesharake të stërvitesh në ato kushte.

Çfarë note i vendosni Kombëtares sonë për ndeshjen në Turqi?

Panuçi do ta rinovojë skuadrën. Pashë një skuadër me shumë personalit­et në Turqi. Të gjithë duhet të ndihemi mirë, pasi autoriteti, disiplina dhe rregulli po sjellin ndryshimin. Ka lojtarë me përvojë dhe më pëlqen mënyra se si ekipi sulmon. Nëse vazhdon kështu, nuk do të ketë probleme me asnjë ekip që do të ketë përballë.

Dhe e fundit, cili lojtar mund të jetë e ardhmja e kuqezinjve?

Lojtari i linjës së majtë, Grezda. Është i ri dhe me shumë personalit­et. Ka një koordinim perfekt të lëvizjeve në lojë dhe i bën ballë çdo kundërshta­ri.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania