Nis "shtrydhja", 240 minuta stërvitje në fushë sintetike

Panorama Sport (Albania) - - KATEGORIA E PARË -

Tirana ka vijuar përgatitjet edhe dje. Ashtu sikundër është bërë zakon, e marta është shoqëruar me dy seanca. Dhe stërvitjet nuk janë dosido. Për të kuptuar këtë mjafton të shohësh larmishmërinë, ngarkesën dhe kohëzgjatjen. E para ka nisur që pa gdhirë, ndërsa e dyta pasdite. Përveç ritmit, ngarkesat u shtuan edhe nga terreni. Bardheblutë u stërviten në fushën me bar sintetik për afro 240 minuta. Lodhja është pjesë e pandarë e përgatitjeve, megjithatë Ze Maria e gjen kurdoherë formën që, përtej kërkesës së lartë të llogarisë, t'ua bëjë të lehtë punën. Gabimet e shfaqura në javën e fundit e kanë detyruar që të "shkundë" disi skuadrën, ndaj pret perfeksionin në çdo repart të lojës. Ekipi në mëngjes zhvilloi një seancë më shumti fizike, ku dominuan ushtrimet e forcës, ndërsa pasditja ia la vendin taktikës dhe lojërave të ndryshme, për të përmirësuar qarkullim topi dhe gjuajtje në portë. Bardheblutë të shtunën presin Apoloninë dhe objektivi për këtë takim dhe 10 të tjerat për të përmbyllur dy faza, mbetet fitorja.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.