Trajneri dha dorëheqjen që në Suedi për faj të "senatorëve"

Panorama Sport (Albania) - - FUTBOLL -

Nuk është vendosur ende që të dorëhiqet pas eliminimit nga Botërori "Rusi 2018", por me sa duket këtë gjë kishte dashur ta bënte pas humbjes 1- 0 me Suedinë, që në Stokholm. Sipas burimeve të rrjetit "SkySport", trajneri i Kombëtares së Italisë, Xhanpiero Ventura, pas sfidës së vajtjes, nuk i ka gëlltitur disa këshilla që, me sa duket, u paskan dhënë disa prej "senatorëve" të skuadrës. Ai është ndierë i fyer aq shumë, saqë në fund ka shpërthyer kundër tyre me frazën: "Atëherë formacionin bëjeni ju". Gjithsesi, nëse ai kërkoi që ta dorëzonte postin e tij që në Stokholm, ndoshta i shtyrë edhe nga nervozizmi që grumbulloi edhe humbja, të hënën në mbrëmje, Xhampiero Ventura, pas barazimit 0- 0, u prezantua në mesnatë përpara gazetarëve, por atë që të gjithë prisnin, dorëheqjen, nuk erdhi. Trajneri kërkoi falje në mënyrë publike kundrejt të gjithë italianëve për rezultatin, por nënvizoi se për të ardhmen e tij duhej fillimisht që të bisedonte me krerët e federatës dhe, më pas, do të pranonte çdo vendim. Ndoshta, bashkëpunimi mes Venturës dhe Federatës Italiane të Futbollit vështirë që do të vazhdojë, duke parë impaktin negativ që mungesa në Botëror ka, qoftë në aspektin sportiv, ashtu sikurse në atë ekonomik, por gjithçka do të mësohet më qartë sot, pas mbledhjes së përgjithshme.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.