Gjermania zhgënjen Francën

Goli i Lars Shtindl shpëton "pancerat" në miqësoren me ekipin e Deshamp

Panorama Sport (Albania) - - FUTBOLL - Përgatiti: ANTON LUMEZI

Përballja miqësore mes kombëtares gjermane dhe asaj franceze, e cila u luajt në stadiumin e Këlnit "Rhein Energie Stadion" ka përfunduar me barazimin 2-2. Vendësit, e drejtuar nga tekniku gjerman Joakim Lëv (ka qenë ndeshja e 159-të nën udhëheqjen e kombëtares gjermane) janë aktivizuar në fushë në bazë të sistemit 4-2-3-1, i cili ka qenë edhe klasiku për "pancerat". Ndryshe nga sfidat e mëparshme, në portën e kampionëve të botës është pozicionuar Kevin Trap. Që prej fillimit të pjesës së parë, kombëtarja gjermane ka shfaqur një paraqitje të jashtëzakonshme duke fituar dhe kontrollin e lojës në minutat e para të saj. Nga ana tjetër, kundërshtarët francezë kanë arritur të krijojnë dy raste tepër të rrezikshme falë Lakacet, i cili ka tentuar dy herë në startin e lojës të zhbllokojë rezultatin, por është ndalur nga duart e portierit Trap. Gjermanët e Joakim Lëv janë kundërpërgjigjur duke kërcënuar gjithashtu portën e francezëve, por janë ndalur nga mbrojtja mjaft e përqendruar e tyre. Në minutën e 34-t të pjesës së parë, kombëtarja franceze ka arritur të zhbllokojë rezultatin pas një manovre të jashtëzakonshme në zonën e kundërshtarëve gjermanë falë Marsial, i cili ka kaluar mbrojtjen dhe portierin Trap, duke ia falur golin pikërisht Lakacet. Në këtë mënyrë, francezët kanë mbyllur pjesën e parë në favorin e tyre. Sa i përket pjesës së dytë, kombëtarja gjermane ka nisur lojën duke shfaqur shenja jo të mira në koordinim. Trajneri Joakim Lëv ka menduar të bëjë disa zëvendësime në këtë gjysmë të dytë të lojës për të freskuar skuadrën duke aktivizuar Rudiger në vendin e Humels. Në minutën e 56-të, kampionët e botës arritën të barazojnë rezultatin falë një asisti të Mesut Ozil drejtuar Timo Verner, i cili ka ndëshkuar portierin Mandanda duke gjetur lehtësisht kuadratin. Menjëherë pas këtij goli, sfida ësh-

të ndezur në stadiumin e Këlnit. Të dyja skuadrat kanë rritur intensitetin e lojës, edhe pse gjermanët e Joakim Lëv kanë vazhduar të dominojnë në fushë. Megjithatë, dominimi i vendësve nuk i ka penguar francezët të krijojnë raste të rrezikshme duke finalizuar

sërish me anë të Lakacet në minutën e 71, duke kaluar në avantazhin 1- 2. Mirëpo në minutën e 2-të dhe të fundit të shtesave, i sapoaktivizuari Lars Shtindl shënon golin e dytë për gjermanët duke mbyllur me barazimin 2-2 këtë përballje.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.