Tebas: Mesi ka firmosur, thjesht s'e kanë zyrtarizuar
Në verë Lionel Mesi kishte firmosur një kontratë 4- vjeçare deri në qershor 2021, pas së cilës do të ishte 34 vjeç. Ditët e fundit është folur edhe për një akord të përjetshëm me klubin e Barcelonës, hipotezë që tani është bërë realitet sepse sipas asaj që thotë presidenti i La Ligës, Havier Tebas, gjatë një konference për shtyp me gazetarët, gjithçka është firmosur e zezë mbi të bardhë. Asnjë përgënjeshtrim nga ana e Barcelonës dhe nga avokatët e argjentinasit. "Kontratat bëhen zyrtare pasi firmosen dhe jo kur thuhet se janë firmosur", ishin fjalët e Tebasit. "Mesi ka rinovuar me Barcelonën dhe nëse nuk më kanë thënë një gënjeshtër, ai ka firmosur". Megjithatë, për sa kohë tifozët nuk do të shohin yllin e tyre përkrah presidentiT Bartomeu me stilograf në dorë, ata do të vazhdojnë të kenë dyshime pas vonesave që ka sjellë ky zyrtarizm. Administratori i klubit, Oskar Grau, ka deklaruar së fundmi se Barça po mendonte t'i ofronte një kontratë të përjetshme numrit 10, si ajo që firmosi në muajin tetor kapiteni Andres Iniesta.