Karvahal: Pata frikë se do tërhiqesha

Panorama Sport (Albania) - - FUTBOLL -

30 shtatori ishte një ditë e vështirë në jetën e Dani Karvahalit, i cili pranon se pati frikë se do të tërhiqej nga futbolli, pasi u diagnostifikua me perikardit. Fillimisht, mbrojtësi i Realit u përjashtua për një kohë të përcaktuar nga aktiviteti pas problemit të papritur në zemër: "U tremba aq shumë që mund të ishte aq serioze, sa do të më duhej që të tërhiqesha", shpjegon spanjolli në një intervistë për "Diario Madridista". "Tre-katër javët e para ishin më të këqijat sepse praktikisht nuk mund të bëja asgjë, nuk mund të rrezikoja që të shtoja të rrahurat e zemrës. Trupi kërkon aktivitet, sidomos ai i sportistëve, por unë nuk duhet të lëvizja absolutisht". Derbi me Atletikon e Madridit vjen shumë shpejt për Karvahalin, i cili tashmë është rikthyer në dispozicion të skuadrës: "Do të më kishte pëlqyer që të rikthehesha më herët, por në fund arritëm në konkluzionin se do ishte më mirë që ta bënim pas pushimit ndërkombëtar. Kjo do më shërbejë për t'u rikthyer në ritmin për të luajtur normalisht gjatë muajit dhjetor. Kam lejen e doktorëve për të luajtur sërish futboll pa asnjë problem. Nuk kam frikë dhe nuk mendoj se mund të më ndodhë diçka".

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania

© PressReader. All rights reserved.